Myfit Qorduka/ Vizita sekrete e Hrushovit dhe Enverit në Pashaliman dhe Vlonjati që i tha Hrushovit: Ti je tradhëtar!

1728
Sigal

Rrëfimi i ish-oficerit madhor të Flotës Detare, Myfit Qorduka:

Albert Z. ZHOLI

1 qershor 1959, Enveri, Hrushovi e Grotenvold shkojnë për vizitë në Pashaliman

Vizita e Hrushovit në bazat luftarake detare të vendit, u mësua në fund të muajit maj 1959, kur kreu i vendit më të madh të kampit socialist, kishte ardhur për një vizitë të gjatë në Shqipëri. Një urdhër i dërguar nga kreu i Ministrisë së Mbrojtjes për komandat e bazave ushtarake, kërkonte vënien në shkallën më të lartë të gatishmërisë, si teknikën luftarake, ashtu dhe efektivat përkatëse, shqiptare e sovjetike; njëkohësisht, të krijonin mjedise të kulturuara e funksionale në të gjithë territorin e shtrirjes së njësive. Sipas burimeve të mësipërme, drejtues të lartë të ministrisë, ato ditë u gjendën në komandat e bazave për të ndihmuar nga afër, veçanërisht në bazën e Pashalimanit, ku ishin përqëndruar teknika dhe forcat kryesore të flotës, ku  mendohej se do të kalonte më gjatë Hrushovi gjatë vizitës nëpër njësitë detare të jugut. Baza e Pashalimanit, kujtojnë ish-ushtarakët që drejtonin bazën atë vit, u përgatit si në festë. Në mëngjesin e 1 qershorit 1959, ditën e henë, në këtë bazë erdhën vizitorët e shumëpritur. Nën shoqërimin e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut e drejtuesve të tjerë të lartë  të shtetit shqiptar, Hrushovi, së bashku me ministrat sovjetikë qe e shoqëronin, mbërriti në Pashaliman, ku u prit me ceremoninë përkatëse ushtarake. Së bashku me mikun e madh sovjetik, në këtë vizitë ishte dhe Otto Grotenvold, kryeministër i Gjermanisë Lindore.

Pritja e Hrushovit dhe miqve të tjerë në bazën e Pashalimanit, ishte një festë e vërtetë për efektivat shqiptare e sovjetike që shërbenin në këtë bazë të rëndësishme. Efektivat e bazës së Pashalimanit në atë kohë, nën drejtimin e kuadrove të aftë e të përkushtuar, Xhemal Shani, komandant i Brigadës së Nëndetëseve, bashkë me komandantët e nëndetëseve Aleko Pojani, Petrit Myftiu, Jak Gjergji, Mihal Xhamo, Pali Carapuli e ushtarakë të tjerë, si Skënder Doçi, Beqir Gerbi e Dashamir Ohri, një pjesë e të cilëve më vonë do të ishin titullarë  të FLD-së, kishin arritur jo vetëm të aftësoheshin profesionalisht e në një nivel me kolegët sovjetikë, por ishin të gatshëm në çdo moment, të zgjidhnin në mënyrë të pavarur detyra luftarake nga më të rëndësishmet. Hrushovi, në fjalën e tij, midis të tjerave, përgëzoi efktivat sovjetike e shqiptare për shkallën e gatishmërisë luftarake, miqësinë dhe bashkëpunimin e mirë mes tyre, si reflektim të miqësisë së pathyeshme shqiptaro-sovjetike, por duke theksuar nevojën e fuqizimit të FLD-së, për të neutralizuar e pasur në shënjestër Flotën e 6-të Amerikane “që e kemi përballë” dhe forcave ushtarake të NATO-s në Mesdhe.

Sipas kujtimeve të ish-drejtuesve të FLD-së të pranishëm në atë takim,

edhe Enver Hoxha, duke falenderuar miqtë që vizituan Shqipërinë e bazën e Pashalimanit, theksoi nevojën e forcimit të gatishmërisë për të mbajtur të paprekshëm kufijtë nga “imperialistët amerikanë dhe shërbëtorët e tyre të mbledhur në paktin agresiv të NATO-s”.

Miqtë, të shoqëruar  nga Enver Hoxha, pas takimit me kuadro e detarë të bazës së Pashalimanit, u nisën në udhëtimin drejt Sarandës me anijen luftarake të komanduar nga kapiteni sovjetik, Maksimov. Përkrah Maksimovit, në drejtimin e anijes ku lundronin dy udhëheqësit më të lartë, ishte komandanti shqiptar Stavri Çika e disa kolegë të tjerë ushtarake, si Skënder Doçi e Aleko Pojani.

Xhebro Gjika, nga Tërbaçi i Vlorës, i njohur në zonën e jugut për humorin e tij të hollë, thumbues e shprehës i opinionit kritik popullor, për ngjarjet nëpërmjet bejteve e sarkazmave, tregonte:

“Në mbarim të vizitës Enver Hoxha shtroi një darkë në Pallatin e Brigadave për nder të Hrushovit. Në këtë pritje isha ftuar edhe unë për të përshëndetur në emër të kooperativistëve. Më erdhi radha të shkoja tek Hrushovi, po në holl më ndaloi njëri, duke thënë:

– Nuk lejohet sepse Xhebrua nuk ka vënë gravatë!

Unë u shtanga, por më nxori nga ky siklet Kadri Hazbiu, i cili urdhëroi të më lejonin.

– Lëreni, – u tha, – se Xhebrua njeh vetëm kapistrën dhe jo gravatën…

Me gotën e rakisë në dorë, u drejtova për te Hrushovi. Enveri më prezantoi:

– Ky vjen nga bujqësia.

– Sa mirë, – m’u drejtua Hrushovi, – se dhe unë jam i bujqësisë.

– Jo, – iu përgjigja unë aty për aty, – ti je tradhtar!- Të gjithë u habitën, po unë vazhdova: -Ti ke tradhtuar bujqësinë dhe je bërë politikan i lartë, ndërsa unë jam akoma i bujqësisë.

Qeshën të gjithë tashmë të çliruar nga domethënia e shakasë sime. Ia përkthente Mehmet Shehu. Kur do largohesha më thanë që të takoja gotën edhe me mikun kinez, ministrin Pinde Huaj, që ishte në krah të Hrushovit dhe unë atë e kisha marrë për Shefqet Peçin.

–    Mirë, – i thashë atij, – do pimë nga një gotë plot për gabimin që bëra!

– Jo, jo, – u përgjegj ministri kinez.

– Pije, – i tha Mehmet Shehu, – se nuk të ndahet Xhebro Gjika!…

Dhe kështu u bë. E piu me fund dhe iu ndezën sytë flakë.”                                               -Kur nisi ftohja Shqipëri – BS?

Jo shumë kohë pas vizitës së Hrushovit në Pashaliman e Sarandë, vizitë që u shoqërua me pritje madhështore e entuziazëm, nisi të ndihej njëfarë ftohje edhe në marrëdheniet midis bashkëdrejtuesve shqiptarë e sovjetikë të nëndetëseve, në raste të veçanta shtrirë edhe në rangje më të ulëta. Referuar dokumenteve që u publikuan vite më vonë, kjo ftohje vinte nga kontradiktat që sapo kishin nisur midis udhëheqjeve përkatëse të dy vendeve, ku një nga pikat e mospërputhjeve, ishte dhe qëndrimi rus për misionin e bazës së Pashalimanit, për interesa të tyre, pa përfillur të zotët e shtëpisë, palën shqiptare. Enver Hoxha, në ditarin e tij (2 qershor 1959), midis të tjerave, sjell një fragment bisede mes Hrushovit dhe ministrit të tij të mbrojtjes, për Butrintin e Pashalimanin, ku Hrushovi është shprehur:  “…që këtej, me një flotë të fuqishme, ne kemi në dorë të gjithë Mesdheun, që nga Bosfori në Gjibralatar!…” Gjë që kundërshtohet prerë nga Enver Hoxha.

Mesviti1959, është periudha e incidenteve të para sporadike midis ushtarakëve tanë e atyre sovjetikë, por muaj më vonë, ato do të ishin më të shpeshta e më të ashpra.

***

Prapa publicitetit të gjatë që iu bë në mediat e vendeve përkatëse si dhe ato botërore, vizitës së Hrushovit në maj të vitit 1959 në Shqipëri,veçanërisht në bazat ushtarake të Pashalimanit e Sarandës, të motivuara  “në frymën e miqësisë e bashkëpunimit”, sipas dokumenteve të kohës e siç u vërtetua pak kohë më vonë, pas kësaj vizite qëndronte interesi sovjetik dhe i Traktatit të Varshavës për pozicionin strategjik të këtyre njësive luftarake detare, përballë Flotës Amerikane e aleatëve të tjerë të NATO-s  që ishin të dislokuara e kryenin aktivitet stërvitor luftarak të përditshëm në Mesdhe.

Kuadrot që u përgatitën ishin të pranishëm në inspektimin e Hrushovit e Enverit në nëndetëse e efektiva, sigurisht që dinin më shumë rreth këtij misioni, por njëkohësisht, edhe efektivat amerikane në kuadër të paktit perëndimor që ndodheshin në detin Mesdhe, nga ana e tyre, në kuadër të detyrës që kishin, shpesh afroheshin fare pranë me nëndetëset, duke shkaktuar dhe situata luftarake, deri në përplasje me arsenalin e fuqishëm të armëve.

 Si u zbulua nëndetësja e huaj në gjirin e Vlorës…?

Sipas dokumenteve zyrtarë të kohës, ndër incidentet e shumta midis nëndetëseve e efektivave të Pashalimanit (ende nën komandën e përbashkët sovjeto-shqiptare) dhe atyre amerikanë (në kuadër të NATO-s), veçohen dy prej tyre, ku u përdorën manovra, goditje të shumta me gjithë arsenalin e armëve e municioneve që kishte flota jonë në këtë rajon. Sipas burimeve të mësipërme, përplasjet e armatosuara mbajnë datat 11 prill 1959 dhe18 tetor 1981, ku më e rënda qe ajo e vitit 1959. Operacionin kundër nëndetëses  së huaj në gjirin e Vlorës, në vitin 1981 e drejtoi ish-shefi shtabit të bazës së Sazanit, Ylli Lika, një oficer energjik e me fantazi në përplasje të tilla detare. Lidhur me incidentin e 11 prillit, ish-shefi operativ i Brigadës së Nëndetëseve, Xhafer Rrokaj, tregon: “Katër nëndetëset tona, së bashku me bazën e tyre lundruese ndodheshin në molin lundrues në Pashaliman. Oficerë e familjarë që banonin në Orikum, duke udhëtuar në mëngjes për në punë në bazë, rastësisht diktuan pasqyrën e periskopit që kishte dalë paksa mbi ujë. Fillimish, kishin menduar se mos ishte një nga  nëndetëset tona e planizuar për lundrim atë ditë. Por kur u afruan e panë se nëndetëset tonë ishin në gatishmëri, u dha alarmi. Komandanti sovjetik i nëndetëses, së bashku me kolegun e tij shqiptar, u vunë në ndjekje të nëndetëses së huaj…Falë gatishmërisë së efektivit nënujës shqiptar, nëndetësja e huaj u diktua dhe iu dha sinjali për daljen në sipërfaqe. Tentuan të hynin në lidhje me të me anë të aparatit mors, nëpërmjet nënstacionit hidroakustik Tamir-5, për ta detyruar të dilte në sipërfaqe, si shkelëse flagrante e ujërave të brendshme territoriale  të Shqipërisë, por drejtuesit e saj nuk pranuan t`u përgjigjen sinjaleve tona. Ndërkohë, sipas dokumenteve luftarake dhe dëshmitarëve të kohës, nga ishulli i Sazanit, u urdhëruan e erdhën me shpejtësi gjuajtësit tanë detarë, me armatim kundër-nëndetëse, të destinuar për të zbuluar dhe asgjësuar nëndetëset armike me bomba thellësie dhe predha reaktive. Atë kohë, gjuajtësit detarë ishin të kompletuar qind për qind me ekuipazh shqiptar e drejtoheshin me aftësi nga kuadrot Qemal  Hate, Petro Treni e Petrit Hysi, nën komandën e kapitenit të rangut të dytë, Azis Hasa.

Urdhëri nga Tirana: “Mbroni me zjarr kufirin!”

 

Situata luftarake në njësinë detare të bazës së Vlorës, e raportuar menjëherë në Ministrinë e Mbrojtjes e krerët më të lartë të shtetit, përfshi Enver Hoxhën si Komandant i Përgjithshëm, pasohet me urdhrin (fonogramin) e firmosur nga kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Beqir Balluku: “Mbroni me zjarr kufijtë tanë detare!” Gjatë gjithë ditës vazhdoi shoqërimi dhe gjuetia e nëndetëses piratë nga anijet tona dhe, njëkohësisht, nëndetësja jonë orientonte gjuajtësit detarë të hidhnin mbi të bombat e thellësisë, me qëllim që ajo të dilte në sipërfaqe, ose ta asgjësonin. Sipas kujtimeve të ish-ushtarakëve pjesëmarrës në këtë operacion luftimi, për orë të tëra në drejtim të nëndetëses së huaj u hodhën predha të shumta, por ajo mundi të dilte nga ujërat tona pa u dëmtuar. Evitimi i dëmeve të nëndetëses pirate përballë zjarrit të përqëndruar të armëve tona, sipas analizës së specialistëve, ka ardhur për shkak të pajisjes së saj me aparate imituese të zhurmave dhe nivelit të larë të drejtimit e manovrimit nga ekuipazhi i saj luftarak. Ndërsa dalja e nëndetëses së huaj në sipërfaqe, gjë që bëri edhe të diktohej, po sipas specialistëve, lidhet, ose me kërkesën teknike të përcaktimit më të saktë të vendodhjes, ose ka qenë i rastësishëm, ose për të bërë një zbulim më të hollësishëm të objektëve tona ushtarake që ishin në gjirin e Vlorës.

Sidoqoftë, diktimi, shoqërimi dhe bombardimimi i nëndetëses së huaj, ishte një sukses për flotën tonë.

A ishte nëndetësja pirate provë fajësie në gjyqin e Teme Sejkos?

Problemi i incidentit me nëndetësen e huaj në ujërat tona detare të Vlorës me 11 prill 1959, u duk sikur u arshivua për gati dy vjet, për të ridalë përsëri në dritë në vitin 1961, në gjyqin e zhvilluar ndaj Teme Sejkos, ish-Komandantit të Flotës sonë Luftarake Detare në vitet 1958-1960, fakt që sipas dosjes së gjykimit, është  pranuar nga ana e tij. Shumë studentë shqiptarë, të sapokthyer nga Rusia, kanë marrë  pjesë në gjyqin e kundëradmiralit, i cili e pranoi vet që kishte dijeni për nëndetësen. Mes akuzave të tjera, cilësimit “Tradhti e lartë ndaj Atdheut, agjent i sovjetikëve e amerikanëve”, sipas dosjes gjyqësore të majit 1961 të dënimit të Teme Sejkos, u përmend edhe implikimi i kundëradmiralit në shkeljen e ujërave territoriale shqiptare në 11 prill të vitit 1959 nga  nëndetësja e huaj. Nga ai gjyq Teme Sejko, u dënua me pushkatim, ndërsa misioni i nëndetëses së huaj në gjirin e Vlorës, edhe pse u mor si prove fajësie kundër komandantit të FLD-ës, edhe sot, pas gati 5 dekadash, vazhdon të mbetet mister.

Misteret e anulimit të vizitës së Zhukovit në ishullin e Sazanit

 

Lakmia e udhëheqjes sovjetike për të mos hequr dorë nga baza detare e Vlorës edhe pas vizitës së Hrushovit, që u kundërshtua nga Enver Hoxha, emërimi në krye të FLD-së të Hito Çakos e ndërkohë përgjigjja e menjëhershme e rusëve me emërimin e Ribalkos në Brigadën e Nëndetëseve, bënë të qartë dhe paralajmëruan përkeqësimin e metejshëm të marrëdhënieve dhe shtimin e incidenteve.

Ndonëse në dukje, marrëdhëniet mes bashkëdrejtuesve të nëndetëseve e anijeve luftarake dhe hallkave të tjera më të ulta të komandimit, përpiqeshin të ishin normale, si më parë, në fakt, në të dy kampet, veçanërisht në pjesën e dytë të vitit 1960 e në vazhdim, po instalohej klima e mosbesimit reciprok dhe tensioni i eprorëve përcillej nga lart-poshtë te të dy palët, ndërkohë që ishte dhënë urdhri për kalimin në gatishmëri të lartë luftarake për të përballuar çdo situatë.

Misteret e anulimit të  vizitës së Zhukovit në Sazan ishin prelud i përkeqësimit të situatës.

Largimi i mistershëm i ministrit të mbrojtjes të Bashkimit Sovjetik, Zhukovit, katër herë “Hero i Bashkimit Sovjetik”, në prag të vizitës së paralajmëruar e të përgatitur kohë më parë në ishullin e Sazanit, përkon me përkeqësimin e marrëdhënieve ndërmjet ushtarakëve sovjetikë e shqiptarë.

Skënder Spahivogli, ish-kryeinxhinier skuadriljesh e njëkohësisht përkthyes i Zhukovit, kujton me detaje këtë vizitë dhe misterët që mbartte pas urdhrit të dhënë për ndërprerjen e saj dhe udhëtimin e Zhukovit drejt Moskës:

“Atë kohë, krahas fuqizimit të bazave detare në bregdetin shqiptar, edhe Sazani ishte kthyer në një bazë të rëndësishme ushtarako-detare, ku përveç katërsilurëve u instaluan edhe gjuajtësit e mëdhenj detarë, minaheqëset, anijet ndihmuese etj. Një ditë mestetori, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Zhukovi bëri dhe një “rikonicion” të gjatë e të përpiktë në të gjithë bregdetin tonë, me piksynim njohjen në detaje të vendvendosjeve dhe detyrat e njësive e reparteve ushtarake. Unë, krahas detyrës sime funksionale si kryeinxhinier i skuadriljes, në këtë vizitë bëja edhe rolin e përkthyesit. Isha pranë mareshallit Zhukov në momentin kur ai i kërkoi adjutantit të tij hartën e detit Mesdhe dhe një laps kuq e blu,  me të cilin shënoi dy shigjeta: njerën në drejtim të kanalit të Suezit, tjetrën në drejtim të ngushticës së Gjibraltarit. Në atë çast nuk kuptova gjë, por shumë shpejt mësova se shigjeta e parë e Zhukovit në hartë kishte piketuar bazën detare në gji, ndërsa tjetra Sazanin”.

Më tej, në kujtimet e tij gjatë qëndrimit në krah të Zhukovit si përkthyes, Spahiviogli flet për momentet solemne të afrimit në ishullin e Sazanit të katërsiluruesit, “ ku prej kohësh ishin bërë përgatitje të mëdha të efektivit, drejtuar nga komandanti Jani Bushi, i cili ishte veshur me uniformë liridaljeje dhe priste hyrjen me solemnitet të miqve. Bile, në sinkron me atmosferen e përgjithshme festive, ishin sjellë e ishin “mbjellë”dhe pisha të mëdha në territorin me zhavorr të bazës, për t’i bërë hije mikut të nderuar. Por, në moment ndryshon gjithçka… Pikërisht në momentin e hyrjes në bazë, një fonogram urdhërues i dhënë në dorë Zhukovit, në praninë tonë, bën që të kthehet prapa, duke anuluar vizitën në Sazan.Vonë mësuam se ishte kthyer me avion në Moskë, ku pa zbritur mirë, i komunikojnë urdhrin e Hrushovit se ishte shkarkuar nga detyra e ministrit të mbrojtjes!”

Sipas ish-ushtarakëve tanë që pritën e shoqëruan Zhukovin, miku, gjatë gjithë kohës, foli me dashuri për vendin tonë, me respekt për ushtarakët, efektivat dhe gatishmërinë luftarake të njësive tona, duke shprehur konsideratën si një mik i mirë. Por, mesa duket, kjo miqësi e dashuri për Shqipërinë dhe ushtrinë shqiptare, që në atë kohë nuk përputhej me vlerësimin e qëndrimin e Hrushovit, mund të ketë qenë një nga arsyet e ndëshkimit të tij.

Realizimi me sovjetikët i një detyre të vështirë, shoqëronte gatishmërinë luftarake. Të parët që ndesheshin me klimën acaruese të marrëdhenieve përherë në tension me rusët, ishin drejtuesit e bazës, komandantët e anijeve e nëndetëseve. Por gjithsesi, ndonëse incidentet vinin në rritje, duke u thelluar, disa detyra të përbashkëta duheshin realizuar edhe në këtë klimë të papërshtatshme.

Qani Duro, komandant anijeje në ato vite, kujton: “Çdo anije e grupeve tona të bazës së Sazanit bënte nga një javë shërbim të pandërprerë në Mezokanal (ngushtica Sazan-Karaburun), ku asnjëherë deti nuk është i qetë, por i favorshëm për futje ilegale të nëndetëseve kundërshtare për vrojtim apo qëllime të tjera. Në situatën që po kalonim,vështirësite për këtë shërbim të veçantë shtoheshin. Na thanë se kishin ardhur nga BS e do të vendoseshin së shpejti fenerët akustike (vibratore), teknologji bashkëkohore dhe efektive per këtë shërbim, duke bërë që veçanërisht ne komandantët, që kishim përgjegjësinë direkte, të ndjenim lehtësim. Para se të bëhej instalimi i fenerve “çudibërës”, duhej bërë një çminim: të hiqeshin të gjitha objektet e mundshme metalike në Mezokanal, në mënyrë që të evitohej alarmi i kotë në aparaturë, detyrë që duhej të kryhej së bashku me sovjetikët. Me gjithë acarimet, klimën e mosbesimit që vinte e diktohej nga lart, bashkëpunimi me sovjetikët në realizimin e kësaj detyre qe i mirë, për të cilën u nënshkrua nga të dy palët edhe akti përkatës”.

Dy planet e rusëve për Pashalimanin dhe Sazanin dukej se përsëriteshin vazhdimisht. Mospërputhjet politike mes udhëheqjeve të dy vendeve, që do të merrnin krisjen e madhe në mbledhjen e 81 Partive në Moskë, sipas dokumenteve të kohës e kujtimeve të ish- ushtarakëve të FLD-së, prej kohësh kishin bërë që Ministria Sovjetike e Mbrojtjes të parapërgatiste plane për të mos lënë në duar të shqiptarëve këto pika strategjike të kontinentit, pavarësisht situatave që mund të pasonin.

Sipas ish-drejtuesve të anijeve, sovjetikët kishin ardhur me dy plane. Plani i parë, ishte ai i paqes, që në fakt u realizua për vite me radhë në bazë të përpjekjeve të përbashkëta të ushtarakëve tanë e atyre sovjetikë. Ndërsa plani i dytë, që mendohej të zbatohej në prag të ikjes, nuk u realizua falë këmbënguljes, gatishmërisë e qëndresës deri në vetëmohim të ushtarakëve tanë.

”Plani i dytë, plani i luftës, nuk ishte hipotetik, por real”- thotë Qani Duro.(Vite më vonë Qani Duro ish-komandant anijeje në Sazan, do caktohej me detyra në strukturat më të larta shtetërore e ushtarake, ku u shqua për kompetencë profesionale, ndërgjegje e përkushtim). Sipas tij, por edhe të dokumenteve të kohës, plani i dytë tentoi të realizohej me tentativën e zbritjes nga anija “Bjellij Ostrov” të shumë detarëve sovjetikë, të armatosur deri në dhëmbë, me helmeta në kokë, për të ndryshuar balancën e forcave në favor të tyre, në pikun e ndeshjes për rrëmbimin e nëndetëseve nga Pashalimani. Ndoshta isha unë i pari që e dhashë sinjalin për këti rrezik, sinjal që u vlerësua drejt dhe u morën masa të rëndësishme si nga komanda e FLD-ës, ashtu edhe nga Ministria e Mbrojtjes. Brigjet e Vlorës u bënë të pakalueshëm nga gatishmëria e përkushtimi i forcave tona, kurse në orët në vazhdim, njëra pas tjetrës, do të sillnin zhvillime të tjera kritike…