Eksluzive me djalin e Teme Sejkos/ Babain ma vranë për xhelozi të rusëve

1327
Tirane-Gjyqi i Teme Sejkos me shoket e tij.Foto:Atsh
Sigal

FLET DJALI I TEME SEJKOS, RAJMOND SEJKO DHE TEME SEJKO( I RIU)

Përvit djali i vetëm i mbetur nga familja e Teme Sejkos, Rajmond Sejko, i cili prej vitesh jeton në SHBA, nuk mungon të vijë edhe në qytetin e Sarandës. Këtë vit qe i shoqëruar edhe me djalin e tij, Teme Sejko-i riu, për të cilin thotë se ëndërronte që zoti t’i sillte në jetë një djalë dhe t’i vinte emrin e të atit Teme Sejko. Dhe zoti ja solli dhuratën e ëndërruar, në krah të tij kemi Teme Sejkon e ri. Teme Sejko –i riu, shprehet se është krenar për personalitetin e gjyshit të tij, emrin e të cilit trashëgon. Rajmondi tregon ditën e internimit pas burgosjes së babait, kalvarin e vuajtjeve të familjes që nga arrestimi dhe vrasja e vëllait të tij, si dhe vetvrasjen e nënës së tij pas kalimit në deperesion nga mospërballimi i dhimbjes së vrasjes së të birit. Rajmondi tregon hamendësi dhe prapaskenat e arrestimit të të atit dhe grupit të të ashtuquajturve “Grupi Çam” ku u burgosën dhe u pushkatuan shumë persona, sidomos nga Konispoli. Rajmond Sejko thotë se shteti i asaj kohe u bë xheloz, se pse Hrushovi në Pashaliman takoi Temen dhe krah për krah, hyri në bazë. Por këtë e bëri se Temja qe komandanti. Këtë Hrushovi e përsëriti edhe në Sarandë gjatë vizitës së tij ku Temen e mori me vete. Por gjatë kësaj vizite qe edhe vet Enveri dhe kjo ngjalli xhelozi. Por qenë vite të turbullta në marrdhëniet mes dy shteteve dhe duhej një kurban t’i mbushej mendja popullit se BRSS-ja kish tradhëtuar dhe ja, shikoni, të këqijat që po përgatiteshin kundër socilaizmit dhe shtetit shqiptar. Rajmondi tregon plot ngjarje rrënqethëse nga kjo tragjedi si dhe bën apel për një tjetër gjyq të tyre që të rehabilitohen se ende janë të dënuar. Ju ftojmë të ndiqni bisedën.

Përshëndetje. Kemi përballë djalin e Teme Sejkos. A mund të na thoni diçka për kalvarin e vuajtjeve tuaja?

Kalvari është shumë i gjatë. Ca gjëra dihen. Ca të tjera nuk dihen. Filloi më 28 korrik 1960, kur im at, xhaxhai dhe Tahir Demi u arrestuan në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë. Im at në zyrën e Beqirit, xhaxhai në zyrën e tij në Shkodër dhe Tahiri në Elbasan. Që atë ditë fillon kalvari i familjes sonë kur erdhën dy sigurimsa, nuk lanë gjë pa kthyer përmbys dhe na dhanë mandatin se babai ishte arrestuar. Unë isha 11- vjeç, pa mbushur 12. Unë isha djali i madh, ndërsa vëllai im ishte 9 -vjeç në atë kohë. Dhe morëm vesh që ishin arrestuar këta, por ishim shumë të vegjël që t’i kuptonim mirë gjërat. Kur shkuam në Vlorë dhe pamë që shtëpia qe kontrolluar, atëhere morëm vesh se ditë më të këqia do të vinin. Na i morën, na i konsfiksuan pothuajse gjithçka dhe na lanë vetëm me rrobat e trupit dhe me nga një lugë e pirun….po mos të zgjatemi më shumë për atë punë. Na futën në një shtëpi në sheshin e Kateqit në Vlorë. Kontrolli i parë u bë në Tiranë, tek shtëpia e gjyshit nga mamaja ku rrinim, kurse kontrolli i dytë ishte bërë në Vlorë pa vajtur neve. Morën radion, e morën gjithçka. Jetonim në sheshin e Kateqit në një dhomë ku në koridorin e saj jetonin edhe katër familje të tjera me një banjë. Ne vazhdonim shkollën. Në shkollë nga shokët e shkollës nuk kam ndjerë ndonjë presion, sepse kishte dhe shumë çam rreth e rrotull. Gjyqi bëhej me altoparlant dhe të gjithë ktheheshin nga ne. Për të na ngacmuar, nuk na kanë ngacmuar në atë kohë.

Si vijoi më pas?

Më pas, megjithëse me vendim të gjyqit u dënua me internim, vendim që u kthye në dënim. Në gjyqin e babait ndodhi kjo punë. Më 22 tetor 1961 vijnë na marrin dhe na çojnë në Berat. Në fillim na çojnë tek “barangat e tërmetit”, kështu quheshin. Pas dy muajve na çuan në kalanë e Beratit, ku jetuam edhe 10 vjet. Edhe pse mbarova me nota të mira se deri në klasën e pestë isha pas dënimit të babait, edhe në gjimnaz isha nga më të mirët, asnjëherë nuk u përmend emri im. Mbas asaj, po të mos kishim pasur gjyshin dhe gjyshen nga mamaja, nuk e di si do kishim jetuar sepse ishim dy fëmijë të vegjël dhe një grua që kishte probleme me kurrizin dhe nuk mund të punonte dot. Më të shumtën e kohës deri sa ajo vdiq, pothuajse ka punuar shumë pak. Kjo histori zgjati dy vjet. Pas kësaj erdhi arrestimi i tim vëllai, i cili u rrestua për gjëra kot. 23- vjeç ishte kur u arrestua. 23 i bëri në tetor dhe u pushkatua në 6 mars të 1974. Gjyqi u bë në janar në kombinatin e tekstilit me akuzën se do ti vinte zjarrin kombinatit, terrorizëm, krijim bandash, arratisje, agjitacion. Ai nuk kishte bërë asnjë gjë. U morën në qafë edhe disa të tjerë që kishin dalë në fotografi me tim vëlla. Me këta u krijua grupi armiqësor, me shokët e fotografive dhe atë e pushkatuan sepse kishin dalë në fotografi me vëllanë!! (Pyetje-Si e mba mend baban? Përgjigje-Nuk e mbaj mend ndonjëherë baban që ai të ishte agresiv me ne, me mamanë ….(qan….).për mua ai ishte babai më i mirë në botë.)

Gjatë kohës që babai juaj ka qenë i arrestuar në burg, shkuat ndonjëherë për ta parë?

Kush të lejonte. Asnjëherë, asnjëherë nuk e kemi parë.

Rajmond Sejko

Kur u ekzekutua?

Gjyqi filloi më 15 maj dhe mbaroi në 27 maj dhe me letrat zyrtare që nuk gjendet asnjëherë se cila është data e pushkatimit, por thonë se më 30-31 janar. Po nga dokumentet e mëvonshme del se nuk u pushkatua . Mbas gjyqit të Kadri Hazbiut, kanë dalë dokumenta që atë e kanë torturuar, e kanë mbajtur një muaj gjallë, për të shkruar ato gjëra që ai nuk i kishte bërë kurrë. Dhe mbas një muaji e kanë marrë nga burgu i Tiranës, e kanë çuar në një vilë në periferi. Me inisiativën e Mihallaq Ziçishtit që dërgoi kushëririn e tij, shoferin, që të priste drunj shkoze dhe filluan ta torturonin që nga Kadriu vetë e me radhë Rexhep Kolli, Haznedari etj. Pas 10 orësh kur im atë, ndonëse kishte shumë pak shpirt erdhi përsëri Kadri Hazbiu e pa, iku dhe pasi im atë mbaroi e hipën në makinë dy vetë, ai Birçja dhe Gjondeda, i hodhën litarin në fyt duke e tërhequr nga të dyja anët, pastaj e çuan nga Linza, i çanë dhe kafkën para se ta varrosnin, kurse kushëriri i Mihallaq Ziçishtit i mori dhe rrobat që kishte veshur.

Si e çmoni babain tuaj?

Unë e çmoj shumë se synonte të vinte emra të rinj, se emri i tij qe emër i vjetër, mirë emri i mamasë qe Shpresa, emri i vajzës së vogël është Didar si gjyshja nga mamaja, që ashtu e kërrusur, tërhiqte trastat dhe m’i sillte në Spaç, ka ardhur në internim, ka jetuar me mua. Më ndihmonte sa të mundëte. Për të gatuar shtynte furnellën e vajgurit me këmbë që ta çonte aty, afër krevatit. Ajo është heroina ime, gjyshja ime, por edhe gruaja është njeriu më i çmuar. Mbaj mend nga Konispoli, isha i vogël kur vinim në festën e Bogazit, nuk mbaj shumë mend shumë nga rruga se më zinte makina, por mbaj mend jeshillëk. Kam qenë nja dy –tre herë këtu. Nuk e di po unë kujtoj që atë e kanë respektuar. Por si duket ka bërë edhe armiq se Etem Gjinushi thotë që ishte arrogant se ai ishte shef i personelit të ministrisë së mbrojtjes dhe kalonin në dorën e tij gradat. Megjithatë, im at është graduar disa herë jashtë rradhe.

Gjatë gjithë këtij kalvari që ju kaluat duke u pushkatuar babai, xhaxhai, vëllai, duke i dhënë fund jetës mamaja në ato kushte depresioni të rëndë ku nuk mund ta duronte më jetën, a ka mundur ndonjëherë Mond Sejkua të thotë “mallkuar qofsh , o baba?” (Përgjigje –(tund kokën duke qarë dhe psherëtin): “Kurrë, asnjëherë” …(mbledh supet me psherëtima..)..asnjëherë nuk kam qenë i bindur se babai im ka qenë fajtor ….ndryshe nuk do ja kisha vënë emrin tim biri …(qan) …gjatë gjithë kohës kisha ëndërruar që nëse lindja djalë do ti vija emrin djalit.)

Çfarë keni  mësuar për arrestimin e tij?

Beqir Balluku i ka thënë që kjo është detyrë partie dhe do ta bësh, por nuk mund ta imagjinoj se ai do ta bënte detyrën e partisë dhe të mos mendonte edhe për ne të tjerët që na linte mbrapa. Nuk e di, nuk e di se çfarë ka ndodhur. Për mua ai ishte njeri shumë i rregullt, njeri që e donin të gjithë ata që e kanë njohur, çfarë të të them….fliste me pasion për vendlindjen, po jo shumë se ne ishim të vegjël dhe nuk kuptonim, po dhe ai nuk kishte shumë kohë të rrinte në shtëpi, sidomos kur shkoi në marinë dhe ai nuk ishte i profesionit. Akademinë e dytë “Voroshillov” në Rusi e mbaroi për oficer madhor për ushtrinë dhe jo për marinën.

Ai ishte kundëradmiral i FLD-së?

Po, ishte dhe më duket se e përdorën për ta mashtruar se kështu i thanë që do të dërgojmë në Rusi për specializim marine, i dhanë një zyrë në Tiranë dhe e arrestuan në zyrën e Beqirit. Babain e arrestuan dhe e vunë para faktit të kryer. Çfarë ka ndodhur unë e thashë më përpara që nuk e di , por mua ma merr mendja që truri i tyre ishte shpëlarë aty, u ishte bërë lavazh truri sepse e di me siguri nga Dervish Sulua që nuk ka pranuar dhe ja ka marrë kokën Ferat Matohiti e ja ka futur tek çelësi të shikonte se si po bëheshin përgatitjet e teatrit dhe çfarë do thoshin në gjyq . Po i pregatitnin se çfarë do thoshin. Dhe të pranosh të gjithë ato gjëra nuk e di, nuk ka mundësi që ti pranojë një njeri të gjitha gjërat, edhe sikur ti ketë bërë nuk ka mundësi ti pranojë të gjitha ato.

Babai i pranoi ato akuza?

Po babai i pranoi të gjitha dhe në gjyq.

Sipas jush cila ishte arsyeja e vërtetë e arrestimit të babait tuaj?

Mendoj se arsyeja kryesore ishte se po prisheshim me rusët dhe babai im ishte në FLD, se përplasjet e para filluan në flotë po jo në kohën kur babai ishte arrestuar. Mendohet se Hrushovi i futi krahun babait në Pashaliman si komandant që qe dhe eci bashkë me të brenda . Kur isha në Sarandë vitin që kaloi mora vesh që edhe aty kur ka shkuar ai ka marrë për krahu tim at, kjo ngjalli xhelozi se me ta qe edhe Enveri, por edhe se me prishjen me rusët donin ti tregonin popullit se ja këto po na bëjnë rusët dhe mendimi është se propozimin e parë për këtë kurban ja kanë bërë Ilmi Seitit që nuk e ka pranuar dhe mendimi im është se këtë dyshim e kam edhe nga im at e po këtë mendim shprehnin edhe në burg shumë të dënuar. Ilmi Seitin e helmuan se kur mori vesh që Ilmiu ka vdekur ai ka vajtur urgjent në Shkodër dhe e di me siguri që ka pasur edhe armë në makinë kur ka vajtur në Shkodër. Atje gjeti faktin e kryer. Në qershor 1960 ne vajtëm në Shkodër dhe shkuam edhe tek varri i Ilmiut, këtë ja vunë edhe si provë babait në akuzë. Nuk e di çfarë ka ndodhur në hetuesi, po mund ti imagjinoj. (Pyetje- Cila është aryseja e dënimit? Përgjigje- Ah, asaj nuk ju dha asnjëherë arsyeja dhe as përgjigjia. Dhe babai im figuron akoma i dënuar. Babai im me xhaxhanë dhe gjithë grupi, për mua janë të dënuar akoma. Sepse nuk shikoj unë që ata mund të vazhdojnë urrejtjen që kanë për çamët, për mua ajo vazhdon dhe emrat e atyre nuk janë vënë në vend. Duhet të bëhet një gjyq siç u bë, që ata të marrin pafajësinë, jo me një vendim të kuvendit popullor, siç e bëri Sali Berisha.)

FLET TEME SEJKO-I RIU

Teme Sejko i riu

Ju jeni Teme Sejko- i riu?

– Po

Çfarë mban mbi shpinë një histori të dhimshme emri i gjyshit tuaj që i mori jetën jo vetëm atij, -por edhe shumë konispolatve. Çfarë mund të thoni për këtë?

– Më fal. Po jam shumë krenar për emrin tim dhe për të gjitha që ka bërë gjyshi dhe ça personi ishte ai. Kur isha i vogël pyesja shumë e shumë për gjyshin. ….Ndërhyn i ati: do të them unë një diçka, një histori të vogël. Ime shoqe u ka folur shumë, jashtëzakonisht, jashtë mase, më shumë se unë bile për Çamërinë këtyre. Kur ika unë për në Greqi dhe andej për në Amerikë, këta loznin. Fikeshin dritat dhe shpiknin lodra. Dhe midis lodrave ishte dhe një lodër si përshembull emra qytetesh që fillojnë me “T” dhe mbarojnë me “I” që ishte Tirana. Dhe i ky bëri një pyetje. I tha Yllkës se cili është një qytet që fillon me “F” dhe mbaron me “I”. Ajo filloi ti thoshte Fieri etj,  dhe në fund kur nuk e gjetën, ky u tha Filati. Dhe tani neve donim të shkonim aty, por është e pamundur udhëtimi.

Agron MEMA