KUPA “STEFAN PINGULI”/ 12 garues të moshave mbi 50 vjeç “pedaluan” 60 minuta në distanca të gjata. 83 vjeçari Sulejman Poda noton 1450 metra stil i lirë

17
Sigal

Agron Kaja

Me moton “Mësoni të ushtroni notin që të jetoni më gjatë”, u zhvillua këtë fundjavë Kupa “Stafan Pinguli” në pishinën 25m të Resortit “Te Stela”. Në këtë veprimtari, e cila ka nisur të organizohet që nga viti 2011, morën pjesë 12 pjesëmarrës (8 meshkuj dhe 4 femra), të cilët për 60 minuta “pedaluan” në ujin e ngrohtë të pishinës. Ata që garuan ishin të gjithë modele, tek të cilët notarët e sotëm duhet të mbështeten për të qenë të tillë. Bukuria e gjithçkaje në këtë garim 60 minutësh është fakti se noti shqiptar nuk i harron jo vetëm veteranët e vet, por edhe ata që sportin e notit e promovojnë si sportin e shëndetit, i mirëqënies fizike dhe i pamjes estetike për të gjitha moshat, e në veçanti për të moshuarit. Kështu ka ndodhur dhe paraditen e së dielës, ku është organizuar kjo garë, me motivacionin “Mësoni të ushtroni notin që të jetoni mirë dhe gjatë”. Një garim mirënjohjeje për këta dashamirës të notit për ngritjen dhe rritjen e sporteve të ujit. Mjeshtri i Madh Sadik Mema, një nga organizatorët dhe drejtuesit e këtij eventi, tregon për gazetën “Telegraf” edhe PSE-në e kësaj veprimtarie. “Nuk është një garë e mirëfilltë noti kjo Kupa “Stafan Pinguli”. Pjesëmarrja në këtë veprimtari ka qënë e kënaqshme, sepse e kemi konsideruar si një promovim të sportit të notit, si një sport i shëndetit, i mirëqënies fizike dhe i pamjes estetike për të gjitha moshat, e në veçanti për veteranët. Këta pjesëmarrës janë nga të dyja kategoritë e moshave dhe unë do veçoja 71 vjeçarin Sami Brixhi që në 60 minuta notoi distancën 2.600 metra, 83 vjeçarin Sulejman Podën i cili për një orë përshkroi distancën 1450 metra, si dhe 45 vjeçaren Lidra Elezajn, e cila notoi 2795 metra në 60 minuta”. Kjo veprimtari sa modeste aq edhe me karakter sensibilizues u mbyll me takimin e të gjithë pjesëmarrësve në ambientet e Restorantit të resortit, ku u shkëmbyen mendime dhe u ndanë përvoja nga garuesit, e e cila e bëri edhe më të afrtë këtë veprimtari. Për të gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë Kupa e Medalje.

GARUESI MË I VJETËR

Suleman Poda 83 vjeçar, garoi për një orë dhe përshkroi duke notuar distancën 1450 metra. Një distancë që për këtë moshë është e veçnatë.

 

Kupa “Stefan Pinguli”

Kupa për të cilën u garua në fundjavë mban emrin e Stefan Pingulit, në vlerësim dhe respekt për figurën e tij si Administrator i Birrës “STELA” dhe të resortit “TE STELA”, i cili ka ngritur qëndrën më të madhe të notit në Shqipëri me tre pishina, dy nga të cilat të mbyllura, me palestër force, vaska për fëmijë dhe për persona me dëmtime skeletore artikulare, SPA, sauna e masazh. Për më shumë se 13 vite, kjo Kupë zhvillohet rregullisht me pjesëmarrjen e notarëve amatorë që ushtrohen në këtë pishinë. Në këto ambiente kanë notuar, kanë garuar dhe janë relaksuar me qindra e mijra fëmijë, të rritur e veteranë, duke gjetur këtu jo vetëm relaksin, por edhe përgatitjen në këtë sport të bukurisë e shëndetit.