Petrit Guma, “balena” që vallëzoi me ujin si një skiator

32
Sigal

PROFIL/ Një nga të mëdhenjtë e Notit shqiptar tregon eksluzivisht për gazetën “Telegraf” gjithë karrierën e tij, Mjeshtri i Madh vlerësohet nga kolegët si “IKONË” e historisë

 

Agron Kaja

Historia e Notit shqiptar ka patur notarë yje që kanë kryesuar në periudha të ndryshme, dhe i tillë është edhe Mjeshtri i Madh, Petrit Guma, i cili bën pjesë te “Ikonat” e historisë së Notit shqiptar. Petrit Guma e ka shënuar emrin e tij si një nga personazhet kryesorë të zhvillimit të notit në vëndin tonë. Ai dallohej për teknikën dhe nivelin e lartë të garimit, kryesisht në stilin e lirë. “Kur unë bëra sport, niveli ishte si biçikleta. Ndërsa sot është si të ecësh nga biçikleta, me Ferrari”

Nuk është hera e parë që gazeta “Telegraf” shkruan për ju si notar elite, po cila është familja juaj, gjenetike dhe ajo sportive?

Jemi familje e madhe sportistësh në Durrës. Babai im Ymeri dhe xhaxhai Lul Guma, kanë qënë futbollistë. Nga vëllezërit, Luani ka qënë notar, ndërsa Ervini futbollist. Të gjithë kemi qënë të dashuruar e të respektuar në sportet ku kemi garuar.

Po Tit Guma, cilin sport ka patur më shumë preferencë, apo dashuri?

Në fakt, e gjithë familja “Guma” e ka patur dashuri sportin, çka tregon njëherësh se ne jemi pjesë e sporteve në Durrës, e më tej. Ndërsa për mua, në karrierën time sportive janë tre dashuri: Lokomotiva, Agron Ismailati dhe Sadik Mema.

Cilët kanë qënë motivet, apo arsyet që ju nisët ta ushtronit sportin e notit?

Kam një të veçantë në karrierën time sportive. Unë e kam nisur sportin si gjimnast, e më pas noti më tërhoqi, pasi edhe nga fiziku isha i aftë. Por kam edhe një karrierë të shkurtër me futbollin, ndërsa noti mbeti preferencë kryesore sportive, 1977-1992.

Të rrallë janë durrsakët që nuk dinë të notojnë, por të rrrallë janë edhe ata që dinë të garojnë, sa vend ze për ju ky konstatim?

Unë e përmënda më sipër se, noti mbeti dashuria ime sportive kryesore në karrierë, edhe pse kam patur mundësi të luaja futboll. Madje do ju thoja se jam thirrur edhe në Kombëtaren U17 të Shqipërisë, ku trajneri Agim Bulku më quajti të talentuar.

Kur ka nisur Petrit Guma të notojë me një ekip noti në Shqipëri?

E kam nisur me pionierët në vitin 1977, me të rinjtë në vitin 1979 vetëm një garë dhe kalova direkt me të rriturit. Ishte trajneri Agron Ismailati që më morri, ndaj dhe karrierën time si notar, me shumë tituj e rekorde, ia dedikoj këtij personaliteti. Ndjesitë kanë qënë të mëdha, sepse vija nga një familje me tradita sportive dhe hyra në elitën e notit si pjesë e këtij geni sportiv.

E nisët rrugëtimin sportiv në Durrës me Lokomotivën, vazhduat me Partizanin, Tiranën dhe me Kombëtaren, pse gjithë këto lëvizje?

Të gjitha lëvizjet e mia sportive erdhën më shumë si një inerci e kohës. Nga Lokomotiva për gjashtë vite, shkova me Partizanin, me 17 Nëntorin e Dinamon, por Lokomotiva ishte mbi të gjitha. Gjatë kësaj kohe garova edhe me Kombëtaren.

Si e mbani mënd ekipin e parë që ju keni garuar, garën e parë dhe rekordin e parë që ju keni thyer në karrierë?

Rekordet kombëtare i kam thyer në moshë të re. Garoja me të pionierët në vitin 1978 në garën 50 m Delfin. Me të Rinjtë bëra vetëm një garë në vitin 1979, e kalova me të rriturit. Rekordi i parë personal u thye në vitin 1978 në 50 m Delfin, në vitin 1979 me Lokomotivën në stafetën 4X200 m Stil i Lirë.

Të gjithë sportistët e kujtojnë trajnerin e parë si shembull në rezultatet e tyre, po për ju kështu ka ndodhur?

Po, i kujtoj të gjithë trajnerët që kanë punuar me mua në karrierë, dhe me shumë respekt. I pari ishte Niko Korani, ndërsa me të Rriturit kujtoj të Madhin Agron Ismailati, 1979-1984 dhe 1986-1989. Suksesin tim në karrierë ia dedikoj vetëm atij personaliteti.

Cilët kanë qënë rivalët tuaj që në garë ju kanë nxitur të arrinit rezultate të larta, apo të përmirësonit edhe rekordet kombëtare?

Rivalin më me personalitet kisha Skardilajd Shytin e Flamurtarit, në garat e stilit të lirë. Në vitin 1981, kur e munda në garë dhe i theva rekordin kombëtar, rivaliteti ynë u bë edhe më i madh, por bashkëpunimi e miqësia u forcuan më shumë.

Ku e keni patur më të lehtë garimin tuaj, në pishinë, apo në det të hapur?

Durrsakët dashurojnë detin, dhe unë natyrisht që jam notar deti, Por po për mua njësoj kanë qënë garimet, si në pishinë ashtu edhe në det. Natyrisht që pishinat ishin më komode, edhe pse atëhere infrastruktura ishte e dobët në sportin e notit.

Si erdhi nga ju largimi nga aktiviteti si notar, fizikisht apo për probleme të tjera?

Largimi nga sporti erdhi natyrshëm në vitin 1992 kur isha 27 vjeç. Ndryshimet politike në Shqipëri më përfshinë edhe mua, e për pasojë, humbi interesi dhe emigrova në Itali për një periudhë jo shumë të gjatë. Por e mbylla me Rekordin e fundit në 50 m delfin.

Dhe largimi juaj nga garimi mund të quhet si një ikje rekordmeni, besoj?

Patjetër që po. Dhe pasi unë isha larguar si sportist, kur mësova se rekordet e mia kombëtare u thyenë pas 30 viteve nga notari Klavio Meça, ndjehesha edhe mirë se mendoja rritjen e cilësisë, por edhe jo mirë për këtë kohëzgjatje.

Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit në shërbimit të garimit?

E dobët! Nuk bëhej fjalë për kushte normale, por pasioni na mbante “peng”. Pas vitit 2000 u rregullua diçka me disa pishina të reja, por ende në sportin e notit nuk kemi një infrastrukturë që të themi se do konkurrojmë, të paktën në rajonin tonë.

Nëse do të ishe notar i brezit të pas vitit 1990, kishe menduar të garoje në një shtet tjetër ku sporti i Notit ka nivele të larta?

Nëse do isha më i ri pas vitit 1990, nuk do merresha me not, por me futboll. Sepse infrastruktura ishte e dobët dhe noti ishte si një sport i humbur. Unë e kam dashuruar notin si sport, por atëhere mundësitë ishin të pa konsiderueshme për ta ushtruar cilësisht.

Pasi jeni larguar nga aktiviteti fizik, e ndiqni ritmikën e garave kombëtare të notit në Shqipëri?

Ndjek më shumë Sadik Memën, kryesisht në gara, sepse ai ka krijuar një shkollë noti tek AN “Te Stela”. Jam konstant edhe në garat e veteranëve të notit shqiptar dhe më vjen mirë që kjo shoqatë po na mban gjallë kujtimet në vlerat tona sportive.

Nëse sot do t’u krijohej një mundësi të trajnonit një ekip noti, e keni mundësinë, apo dëshirën?

Mundësinë e kam, dëshirën jo. Sepse nuk e kam në plan që të trajnoj një ekip noti. Në vitin 2007 e kisha një projekt, ku edhe ndërtova një pishinë me përmasa 25 m. Tani jam më i përqëndruar te biznesi privat dhe te familja, por kurrë nuk po them kurrë!

Jo vetëm notar, Guma edhe futbollist

Të qënurit një sportist i lindur për shumë sporte, është e veçantë të thuhet se në vitin 1981 në moshën 16 vjeçare, Petrit Guma ka qënë futbollist i Kombëtares shqiptare U17, kur trajneri Agim Bulku e grumbulloi si lojtar me talent, me qëllimin që ai të mos angazhohej me notin. Por Mjeshtri i Madh Petrit Guma mbeti “peng” në sportin e notit, që ai vetë e thotë se ia pasuroi karrierën me rekordet kombëtare dhe rezultate të larta. Sepse ai kishte talent e pasion, jo vetëm si notar.

48 herë Kampion

Në periudhën 1979-1992, në gjithë karrierën e tij, notari Petrit Guma si kampion absolut është shpallur 48 herë Kampion Kombëtar

57 Rekorde Kombëtare

Në periudhën 1979-1992, në gjithë karrierën e tij, notari rekordmen Petrit Guma ka përmirësuar e thyer 57 Rekorde Kombëtare

Mjeshtri i Madh Sadik Mema: Petrit Guma, notar me cilësi Olimpike

Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, një “udhërrëfyes” profesionist i organizimit të profileve për notarët elitarë shqiptarë, për Petrit Gumën ka një vlerësim të veçantë. “Historia e Notit shqiptar ka patur notarë yje që kanë kryesuar në periudha të ndryshme, dhe i tillë është edhe Mjeshtri i Madh, Petrit Guma, i cili bën pjesë te Ikonat e historisë së Notit shqiptar. E kujtoj me nostalgji garën e tij të parë në 800 m Stil i Lirë ku thyeu Rekordin Kombëtar dhe mundi në garë Skardilajd Shytin, edhe ai një nga të mëdhenjtë e notit shqiptar. Atje mendova se Notit shqiptar i kishte ardhur një Gjigant, një notar me cilësi Olimpike. Për mundësitë që kishte, rekordet e tij duhet të ishin më të larta e më të shumta, nëse do të kishim një infrastrukturë më të mirë. Në respekt të vlerave e kontributit të tij, Shoqata e Veteranëve Shqiptarë të Notit ka menduar organizimin e Kupës “Petrit Guma”, vit pas viti”.

Sportistë si familje: Babai, xhaxhai dhe dy vëllezërit, ndërkohë që edhe vajza e Petrit Gumës që quhet quhet Ejona, ka qënë sportiste. Vetë Titi tregon se ajo e ka nisur si pjaniste, por rreth vitit 2000 garoi në Atletikë me trajner Sabri Bejlerin. Në garat e shpejtësisë dhe në kërcimin së gjati, në moshën 14 vjeçare, Ejona i fitoi të gjitha garat ku morri pjesë. Ndërsa më pas, ajo ju përkushtua vetëm arsmimit të saj dhe u largua nga sporti në moshë shumë të re. Por, vetëm si fituese.

 

KONSIDERATA E VLERËSIME

Kampioni Pavllo Kisi: Petrit Guma, kampioni i historisë së Notit

Një ndër kampionët e Notit shqiptar, Pavllo Kisi, e kujton me respekt karrierën e Petrit Gumës si notar elite në Shqipëri. Madje ai edhe sot e konsideron atë si elitar në shoqërinë e notit në vendin tonë. “Petrit Guma e ka shënuar emrin e tij si një nga personazhet kryesorë të zhvillimit të notit në vëndin tonë. Ai dallohej për teknikën dhe nivelin e lartë të garimit, kryesisht në stilin e lirë, të arritur nga pak notarë në Shqipëri. Por admirohej për luftën sportive që tregonte në çdo garë, ndaj e them me bindje se Petrit Guma se e meriton si asnjë notar tjetër në Shqipëri, të quhet si një nga Kampionët e historisë së Notit Shqiptar. Është nder i madh për këtë histori dhe me këtë notar të përmasave të mëdha. Sepse sot jo vetëm që nuk po shohim, por edhe nuk po e mendojmë një si Petrit Guma”.

 

Trajneri Alfred Isaku: Nuk besoj se do kthehet një notar si Petrit Guma


Afred Isaku është një nga trajnerët e notit, i cili Petrit Gumën e vlerëson si notar pozitiv, të sakrificës dhe me pasion. “Më ka mbetur në kujtesë Petrit Guma, si një notar pozitiv në çdo stërvitje dhe garë, ngulmues dhe i sakrificës. Si fizikisht, ashtu edhe në garë, Titi ishte shëmbull dhe i zellshëm, madje deri në korrigjimin e teknikës. Së bashku kemi punuar shumë, por ai asnjëherë nuk u lodh, ndërsa kur mbaronte garën, për ne emocionet ishin të papërshkrueshme. Sepse Mjeshtri Guma na nderonte me rekordet kombëtare të tij, sidomos kur thyeu atë të notarit të Madh, Skardilajd Shyti. Jo vetëm për mua si trajner, por e mendoj se për gjithë historinë e Notit në Shqipëri, Petrit Guma mbetet një notar i kompletuar, dhe është e vështirë që sot të kthehet një notar i tillë, në përmasat e lartësinë e tij”.

CV Sportive PETRIT GUMA

Datëlindja: 28 maj 1965 Vendlindja: Durrës Vendbanimi: Durrës

Profesioni: Biznesmen Sporti që ka ushtruar: Notin

Starti i karrierës: Në vitin 1979 me të Rinjtë e Lokomotivës, Durrës.

Skuadra e parë me të Rritur: Lokomotiva e Durrësit, në periudhën 1979-1985

Stili i preferuar në gara: Stil i Lirë, por ka garuar edhe Delfin dhe Stafetë.

Skuadra e tjera në karrierë: Partizani 1985-1986; Dinamo 1989-1990, 17 Nëntori 1991-1992. Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1978, me fëmijët, Lokomotiva Durrës. Gara e parë ndërkombëtare: Viti 1990, Serres-Greqi.  Rekordi i parë kombëtar: Me të Rinjtë në vitin 1978, stil Delfin; Me të Rriturit viti 1980, Stil i Lirë në 800 dhe 1500 m. Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1992, Kampionati Ballkanik, Turqi; Rekordi i fundit kombëtar: Me Tiranën në vitin 1992, 50m Delfin. Fitues në gara të tjera: Fitues i pesë Maratonave Kombëtare të Notit në Shqipëri; Gara ndërkombëtare: Viti 1990, Medalje Bronxi në stafetë 4X50m dhe 4X100m Stil i Lirë, Serres-Greqi; Në vitin 1992, garues në Kampionatin Ballkanik, Turqi. Tre nga spikatjet në karrierë: (E para) 48 herë kampion kombëtar (Për GUINESS); (E dyta) Rekordi Kombëtar më jetëgjatë, nga viti 1982- në vitin 2016 në 800 m stil i lirë lirë, rekord që u thye nga notari Klavio Meça (Për GUINESS); (E treta) Fitues i maratonave kombëtare dhe rekordet kombëtare nuk janë thyer ende sot. Janë 39 vite rekordmen (Për GUINESS). Në karrierën sportive ka thyer e përmirësuar 57 Rekorde Kombëtare. Petrit Guma mbetet notari GUINESS i Shqipërisë!

Tituj e trofe: Në periudhën 1979-1992, ka dalë 48 herë Kampion Kombëtar, fituar 12 kupa në gara e veprimtari të notit, si Notari më i Mirë i Shqipërisë; Fitues i Kupës “Gjithmonë Kampionë”.

Largimi nga aktiviteti sportiv: Në vitin 1992 Vlerësime e dekorime: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Mjeshtër i Madh, Krenaria e Sportit Shqiptar, Nderi i Klubit Sportiv Partizani, Nderi i Klubit sportiv Dinamo.

Të tjera: Në periudhën 1996-1999, President i Federatës Shqiptare të Notit.

Aktualisht: Biznes Privat, Tiranë.

 

Biznesi mbetet primar, por Petrit Guma nuk i ndahet notit

Pas largimit nga sporti si notar elite, Petrit Guma i është përkushtuar biznesit privat, por nuk ka qëndruar indiferent në ndjekje të veprimtarive të notit në Shqipëri. “Lënia e sportit në këto 32 vite, nuk më ka larguar nga ndjekja direkte e veprimtarive kombëtare që FSHN-ja dhe veteranët e notit organizojnë. Shkoj kur ka gara noti në Shqipëri, më shpesh me Vetaranët ku kam garuar disa herë dhe jam ndjerrë mirë. Dua të them se, për mua sporti në përgjithësi dhe noti në veçanti, mbeten dashuri”, kështu e shikon Petrit Guma veten pas lënies së aktivitetit të tij si notar elite. Po si e dallon Mjeshtri Guma aktualitetin dje dhe realitetin sot? “Kur unë bëra sport, niveli ishte si biçikleta. Ndërsa sot, sporti i notit është si të ecësh nga biçikleta me Ferrari”.