Frank Shkreli: Artisti i madh nga Malësia e Madhe Gjelosh Gjokaj që përhapi më të mirat e kulturës shqiptare në botë  

33
Sigal

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë* 

Ekspozitë në Prishtinë, 90-vjetorin e lindjes

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës si dhe Galeria Kombëtare e Kosovës njoftuan, javën që kaloi, se është hapur një ekspozitë retrospektive e artistit të ndjerë Gjelosh Gjokaj, e titulluar: Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj”, kuruar nga Shkëlzen Maliqi. I lindur në Milesh të Malësisë së Madhe, Gjelosh Gjokaj, artisti e piktori i shquar është njëri prej artistëve më të mëdhej shqiptarë, por jo vetëm, të periudhës së modernizmit shqiptar. Për më tepër në Kosovë – ku njihet gjithashtu edhe si, “babai i grafikës së Kosovës”, Gjelosh Gjokaj ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për brezat, edhe si pedagog e themelues i shkollës së grafikës në Kosovë dhe si piktor në përgjithësi. Gjelosh Gjokaj si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të Malit të Zi, la pas më shumë se 3 mijë vepra në pikturë e grafikë, të përhapura anë e mbanë botës.

Gjelosh Gjokaj, artisti i përmasave botërore nga Malësia e Madhe bashkpunoi ngusht me revistën e famëshme Shejzat të Ernest Koliqit duke e ngritur revistën në një nivel artistik, krejt ndryshe nga ç’ishte më parë.

Këto dy ente të Republikës së Kosovës, në bashkpunim me Ambasadën e Malit të Zi në Prishtinë, organizuan hapjen e ekspozitës me rastin e 90-vjetorit të lindjes së artistit të madh evropian nga Malësia, Gjelosh Gjokaj dhe të 18-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi. Ekspozitën e hapi, zyrtarisht, të mërkurën që kaloi në Prishtinë, Zëvendëskryeministri, njëherësh, ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Malit të Zi, Nikë Gjeloshaj, ku ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të Republikës së Kosovës, Hajrullah Çeku, njofton – Ulqini Online – (ulqini-online.com)

        Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca në fjalën e tij me këtë rast deklaroi se, “Kemi të bëjmë me një artist i cili mund të quhet me plot kuptimin e fjalës, botëror”.

 

Gjelosh Gjokaj, si artist e piktor njihet mirë në trojet shqiptare nën Malin e Zi, nga ku edhe rrjedhë, njihet mirë gjithashtu edhe në Kosovë ku edhe vlerësohet për punën dhe veprimtarinë e tij atje ku ka punuar para se të shkonte në Itali e Gjermani.  Ndërsa në Shqipëri, për fat të keq, me sa jam i informuar, nuk është edhe aq i njohur si në Kosovë dhe vende të tjera të Evropës. Unë e kisha takuar Gjelosh Gjokaj në Itali në vitin 1970, pasi ishte larguar nga ish-Jugosllavia për në Romë, prej ku, me punën e tij atje, megjithëse nën rrethana shumë të vështira për një artist – ky burrë malësor megjith sfidat para tij — përtej trojeve shqiptare, asokohe nën regjimet sllavo-komuniste në Tiranë e Beograd — nderoi Malësinë e Madhe dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, në Evropë dhe nepër botë, si përfaqësues i denjë i vlerave kulturore të trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Me veprimtarinë e tij prej artisti, grafisti e piktori, për katër dekadat e fundit të jetës së tij, në Itali e Gjermani, Gjelosh Gjokaj ka punuar si artist i lirë, në botën e lirë.  Këtë liri, Gjelosh Gjokaj e përdori në maksimum. Menjëherë pas arritjes në Itali, (1969), ai kishte ra në kontakt me Ernest Koliqin, botuesin e revistës së famëshme Shejzat dhe me bashkpuntorët e tij. Në të vërtetë, nepërmjet Shejzave ai përfitoi duke bërë kontakte me artistë italianë dhe si përfundim i bashkpunimit të tij me revistën e Koliqit – edhe Shejzat përfituan nga ekspertiza e tij artistike, pasi me ndihmën e tij revista mori një pamje krejt tjetër artistike duke filluar nga faqja e parë.

 


Syprina e ré e Shejzave, duke filluar nga viti 1970 dhe vizatimet në fund të artikujve në atë revistë, janë hartuar nga piktori Gjelosh Gjokaj.

 

Por suksesi i Gjelosh Gjokaj, vërtetë, mori nam nga eskpozitat e tija artistike ndërkombëtare, në Itali dhe në vende të tjera.  “Edhe nji tjetër artist plot talent po e nderon emnin e Atdheut tonë.  Ekspozita e tij (11prill-1maj,1970) korri nji sukses të madh në daç për numër vizituesish e shitjeje veprash, në daç për miratime ndër fletore kritikësh të njohun. E kemi fjalën për Z. Gjelosh Gjokaj, lindun në Milesh afër Tuzit”, shkruante Koliqi në revistën Shejzat (4-6, 1970).  “E shpejtë dhe e lumnueshme qe karrjera e tij artistike. Erdh tue e vû në spikamë artin e vet si   piktor e si grafist, në ekspozita të shumta, jo vetëm në Jugoslavi, por edhe nëAleksandri (Egjypt), n’Havana (Kuba) e n’Amerikë të Jugut: LaPiata, Rio Grande, Rio de Janeiro. Sukses të veçantë patën ekspozitat tij në Australi, në Hindi dhe në Viçenza (Itali)”, thuhet në atë artikull të para 50 e ca viteve.

“Mosha foshnjore e kalueme në male shqiptare, lên mbresa të dukëshme në artin e tij.  Prirjet e natyrëshme kah simbolizmi i nji dèlli surrealizmi në ligjirimin artistik i rrethojnë thelbet autoktone në nji atmosferë krejt moderne ku ato zhvillohen pa zorim e përfundojnë në nji synthezë në të cilën frymzimet e thella të traditës bashkohen lumnisht në nji freski shprehjeje mahnitëse të këso-kohëshme”, thuhet më tej në atë shkrim nga botuesi i Shejzave. Ernest Koliqi i uron artistit, grafistit dhe piktorit të spikatur, të ri malësor, Gjelosh Gjokaj, përherë sukses më “ngadhnjyese në udhët e artit” dhe njëkohësisht, e falënnderon atë për kontributin e tij dhënë për Shjezat, “për syprinën dhe vizatimet e çmueshme plotësuese të faqeve në fund t’artikujve që pati mirësinë t’i dhurojë së përkohëshmes s’onë”, ka shkruar Koliqi për bashkpunimin e Gjelosh Gjokaj me revistën Shejzat – diçka që ndoshta shumë pak veta mund ta dinin e që fatkeqsisht, për të këtë bashkpunim, për arsye politike nuk flitet.

Gjelosh Gjokaj (1933-2016), nepëmjet veprave të tija artistike i përçoi botës “anët më të mira të kulturës kombëtare shqiptare duke përqafuar, njëkohësisht vlerat kulturore evropiane dhe botërore”.

Ndërkaq, në një shkrim tjetër në Shejzat (vitit (1971, 7-9) nga siç duket një autor arbëresh-italian sipas emrit (A.de Genti), theksohen gjithashtu vlerat artistike të artistit shqiptar, Gjelosh Gjokaj. Ai ka shkruar se që “kur ende ishte në moshë të njomë, i rritun në Veri (të Shqipërisë) në nji familje malcore shqiptare, me nji vullnet të pafashitun, kapërcei vështirsitë e studimeve që ka përhera nji i ri visesh të shkëputuna prej qendrave të mëdha kulturore.  Ai u shque midis të rijvet të kombësive të tjera, tue krye bukur e mirë studimet e arteve në Beograd. Pastaj shkoi me dhanë mësimin e pikzimit midis të rijvet shqiptarë të Kosovës.  Gjatë kësaj kohe ai brumosi edhe mâ mirë shijen artistike të gurrës kulturore mijëvjeçare të viseve arbërore. Gjelosh Gjokaj edhe në Jugoslavi kishte krijue nji emën si pikzues, por tash së mbrami i ndodhun në votrën e jehonës artistike evropjane e botënore, sukseset e tij janë bâ shumë mâ të spikatuna.  Emni i këtij shqiptari njihet prej Barcelone, Los Angeles, Paris, Moskë e deri në Tokjo.  Prania e punimeve të tij së bashku me ato të artistave italianë mâ në zâ, na dëshmon shumë. Dhe ajo që duhet të gëzojë çdo bashkatdhetar âshtë nji gjë: me i ruejt, me i shtue e me i çue mâtej anët më të mira kombëtare shqiptare, tue përqafue përparimin e kulturës evropjane dhe botnore.  Kjo, simbas nesh, âshtë edhe rruga e nënvetëdishme e artistit Gjelosh Gjokaj që âsht kah nderon kulturën shqiptare nëpër botë”, përfundon vlersimin e tij për Gjelosh Gjokajn, autori A.de Genti.  (Shejzat -Korrik-Shtator, 1971, 7-9).

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës të mërkurën që kaloi është hapur ekspozita retrospektive e artistit nga Malësia e Madhe, Gjelosh Gjokaj, (1933-2016) e titulluar “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj “, kuruar nga Shkëlzen Maliqi.

Nuk besoj se mund të ketë një vlerësim më të mirë e më të lartë sot se ky për artistin e piktorin e Malësisë së Madhe, Gjelosh Gjokaj — nga një autor i revistës Shejzat më shumë se 50-vjet më parë — me rastin e hapjes së ekspozitës së veprave të tij në Prishtinë dhe në 90-vjetorin e lindjes së këtij artisti malësor, i cili nepërmjet veprave të tij artistike vetëm ka çuar përpara anët më të mira kombëtare të kulturës shqiptare, duke përqafuar, njëkohësisht, edhe vlerat dhe përparimin e kulturës evropiane dhe botërore.  Një vlersim për një artist malsor që do duhej të gëzonte të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo edhe sot në 90-vjetorin e lindjes. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij në Malësi dhe anë e mbanë trojeve shqiptare!

Disa shembuj të vizatimeve botuar në fund të artikujve të revistës Shejzat që janë hartuar nga piktori Gjelosh Gjokaj. Marrë nga disa numra të revistës Shejzat të Ernest Koliqit