Po kthehet Partizani i lavdishëm, e kalon Play-off-in
“Mendoj se ky Partizan arriti një fitore të rëndësishme. Duke qenë në transfertë, e mendoj si një fitore kualifikuese, edhe pse luajti me dy tabllo. Kështu duket se po kthehet një Partizan i lavdishëm që do arrijë në grupet e Konferencë Ligë.”

Partizani është e vetmja skuadër futbolli në Shqipëri që po vazhdon të luajë në Europë. Të enjten e mbylli me fitore takimin e parë të turit të tretë në Konferencë Ligë, madje në një transfertë deri diku të vështirë. Valmeria e Letonisë nuk kishte shumë mundësi për më tepër se humbja, madje ajo mund të ishte edhe më e thellë se 1-2. Të gjitha skuadrat shqiptare dolën pozitive në këto ndeshje të para të turit të tretë në Konferencë Ligë. Ballkani i Kosovës që drejtohet nga Ilir Daja, fitoi 2-0 me Linkoln Red të Gjilbrartarit, ndërsa Struga e Maqedonisë së Veriut që drejtohet nga Shpëtim Duro, e zgjidhi me fitore 3-1 sfidën ndaj Hesperange të Luksemburg. Për ish-futbollistin e Partizanit dhe Kombëtares, Përparim Daiu, fitorja në Letoni ka qenë e rëndësishme. “Mendoj se ky Partizan arriti një fitore të rëndësishme. Duke qenë në transfertë, e mendoj si një fitore kualifikuese, edhe pse luajti me dy tabllo. Me një pjesë të parë të vakët në zotërimin e topit dhe në rrezikshmërinë para portës kundërshtare, dhe në pjesën e dytë me zëvendësimin e Murataj me Mageth, ishte më e mira që i dha kthesë lojës. Sepse ishte më kërkues dhe doli mbi kundërshtarin, si nga ana fizike, te gjuajtjet në portë dhe në rrezikshmërinë në të gjitha repartet”. Kështu e nisi bisedën specialisti i futbollit Përparim Daiu, i cili për ndeshjen e kthimit me Valmeiran kërkon që skuadra kundërshtare të mos nënvleftësohet nga Partizani. “Kualifikimi nuk mendohet asnjëherë në të tilla raste, sepse duhet mos nënvleftësohet kundërshtari. Nuk mendoj se ishte kundërshtar i lehtë dhe në Tiranë vjen të luajë për gjithçka. Pas kalimit të këtij kundërshtari, unë mendoj se do kthehet një Partizan i lavdishëm dhe besoj se do të arrijë deri në grupet eliminatore të Konferencë Ligë”. Por, Përparim Daiu nuk i ndan edhe dy skuadrat shqiptare që po luajnë me dinjitet deri në turin e tretë të Konferencë Ligë, Ballkanin e Kosovës dhe Strugën e Maqedonisë së Veriut. “Ballkani ka krijuar një fizionomi të qartë në lojën e tij duke i njohur meritat si një ekip solid. Këtu edhe trajneri Ilir Daja ka meritën e tij, e do të thoja se ka hedhur hap të sigurtë për të qenë pjesë e grupit Konferencë Ligës. Ndërsa Struga e Maqedonisë së Veriut mbetet “Hirushja” e skuadrave shqiptare në Europë, e natyrisht, trajneri Shpëtim Duro duket se këtu po e hedh në fushën e lojës gjithë eksperiencën e tij si një teknik i niveleve të larta”. Ndërsa për shtyrjen e startit të kampionatit në Abissnet Superiore, për Daiun, ajo do t’u japë kohë skuadrave të bëjnë rregullimet e mundshme.

KONFERENCË LIGË
SEZONI 2023-2024
Turi tretë eliminator
Skuadra shqiptare
Takimi i parë
Datë 10 gusht 2023
Valmeira (Lat)-Partizani 1-2
Kthimi, datë 17 gusht 2023
Partizani-Valmeira (Lat) 20:00
Skuadra kosovare
Takimi i parë
Datë 10 gusht 2023
Ballkani-Linkoln Red 2-0
Kthimi, datë 17 gusht 2023
Linkoln Red-Ballkani 18:00
Skuadra maqedonase
Takimi i parë
Datë 10 gusht 2023
Struga-Hesperanzh 3-1
Kthimi, datë 17 gusht 2023
Hesperanzh-Struga 20:00
“Çmendet” trajneri Valmeiras: Ne e kalojmë turin!
Në mesditën e djeshme, një deklaratë e trajnerit të Valmeiras, Jurgis Kalns, ka tërhequr vëmendjen e medias sportive në Shqipëri. Ai i ka qëndruar deklaratës pas ndeshjes me Partizanin, njëherësh ka thënë se ajo ishte humbje nga dy incidente. “Për fat të keq, duhet ta pranoj superioritetin e Partizanit, përfitoi nga dy incidente tonat. Por është edhe ndeshja e dytë dhe unë jam pozitiv se ne do ta kalojmë këtë tur”. Ndoshta më 17 gusht në Tiranë, trajneri Kalns do habitet me çka ka thënë!





















