Prof. Dr. Spiro Mëhilli: Polonia-Viktimë e Luftës së Dytë Botërore

1026
Sigal

Dossier nga Spiro MËHILLI/

Polonia – Viktimë e Luftës së Dytë Botërore

 

Më 24 tetor 1938, ambasadori polak Lipski i parashtroi Hitlerit një sërë kërkesash për problemin e Dancingut

– Ushtria polake në atë kohë kishte 30 divizione aktive, 10 divizione rezervë dhe rreth 12 brigada kalorësie, me afërsisht 2.580.000 veta

– Anglia, në atë kohë, kishte rreth 600 avionë bombardues, sa dyfishi i Francës, por më pak se gjysma e Gjermanisë

– Hitleri, më 28 prill 1939 tha: Marrëveshja e bërë midis marshallit Pilsudski dhe meje është shkelur nga ana e Polonisë

Gjermania arriti në kohë rekord të ndërtonte rreth 1000 nëndetëse që u bënë tmerr i deteve dhe i oqeaneve

Shokët e mi polakë

 

Kur isha student në Leningrad kisha dy shokë polakë, Ludvinjakun dhe Peçakun. Ludvinjaku ishte anëtar i Partisë së Bashkuar Fshatare, ndërsa Peçaku, anëtar i Partisë Demokratike, megjithëse të dy ishin oficerë. Në atë kohë më dukej çudi sesi në Poloni kishte disa parti, kur në vendin tim, në Shqipëri, kishte vetëm një parti dhe ajo ishte Partia e Punës në një vend ku më tepër se 70% e popullsisë ishte fshatarë.

Më kujtohet një ditë, andej nga fillimi i netëve të bardha, Peçakun nuk e mbante vendi. Vinte vërdallë nëpër korridor. Dukej sikur fliste me vete. Ishte i shqetësuar. Zbriti shkallët e diku shkoi. U kthye pas një ore, por përsëri i shqetësuar.

– Çfarë ke Peçak? – e pata pyetur.

– Sot luajmë me Bashkimin Sovjetik. Në Moskë, djemtë tanë do të ndeshen me rusët.

– Po pastaj?

– Duhet të fitojmë me çdo kusht.

– Në futboll ka fitore, ka barazim, ka dhe humbje. Përjashto barazimin, dikush do ta fitojë ndeshjen.

– Ky takim nuk është vetëm futbollistik. Ne duhet të futemi në fushë vetëm për fitore. Duhet t’i mundim rusët.

Me ato fjalë u ndamë. Pasdite u takuam sërish dhe e pyeta:

– Hë, si përfundoi ndeshja?

– Mos më ngacmo. Na rrahën kot së koti.

– Si kot? Ju hëngrët shtatë petulla dhe jo një, që të thuash kot. Me sa duket, ju jeni të çmendur pas kombëtares së Polonisë.

– Po, po. Kështu jemi të gjithë. Të them të drejtën, nuk e duam Rusinë. Rusia ka shumë gjynahe ndaj nesh. Më 1 shtator të vitit 1939, Gjermania dhe më 17 shtator, Rusia, sulmuan vendin tonë. U ndodhëm në mes dy zjarresh. Polonia u nda në dy pjesë, gjysmën e morën gjermanët dhe gjysmën tjetër sovjetikët. Kur kujtojmë Katinin na dridhet mishi i trupit.

Nuk e kisha të qartë se ku donte të dilte Peçaku me Katinin, pasi nuk e kisha idenë se ku ndodhej Katini dhe se çfarë kishte ndodhur atje. Vite më vonë, si u ktheva në vendin tim, u interesova dhe e mora vesh të vërtetën, tragjedinë e pyjeve të Smolenskut dhe fatin e 250.000 trupave polake, ku rreth 22.000 ishin gjeneralë, oficerë, akademikë, mjekë, profesorë etj. të lidhur me pranga e të pushkatuar me plumb pas koke me urdhër Stalinit, apo të “Dajë Mustaqes”, sikundër e quanin atë midis tyre Rusvelti dhe Çërçilli. Në atë kohë, ato thënie m’u dukën tendencioze dhe mashtruese nga një oficer polak. Polonia jo vetëm që do të ishte viktimë e Luftës II Botërore, por do të mbante vendin e tretë për nga numri i viktimave, rreth 6.900.000, ku 3.100.000 ishin hebrenj.

98f/14/huty/12208/dh22x07

Populli polak ishte i pamposhtur.

Ai nuk e pranonte diktaturën, prandaj dhe disa herë u ngrit në revolta. Në vitet 1945-47 u vranë mbi 70 veta. Në vitin 1956, në Poznan, u zhvillua një revoltë tjetër, që përfundoi me 40 të ekzekutuar. Në vitin 1968 në universitete dhe në të gjithë vendin; në vitin 1970 në Poloninë veriore dhe në 1976 në Rodom dhe në Ursus pati revolta popullore. Në vitin 1980 vendi u trondit nga borxhi i madh publik, për pasojë shpërthyen grevat në Lublin, në kantierin detar në Gdansk dhe që më pas u përhapën në të gjithë vendin. Më 31 gusht 1980 greva e përgjithshme përfundoi me një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe grevistëve. Më 17 shtator 1980 u krijua Sindikata e Pavarur Vetëdrejtuese “Solidarnosti” (Solidariteti), që çoi në bashkimin rreth saj të mbi 10 milionë njerëzve. Do të ishte kjo organizatë e fuqishme që shumë shpejt do të çonte në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, në bashkimin e dy shteteve gjermane dhe rrëzimin në tërësi të komunizmit. Rreth 15 muaj më vonë autoritetet komuniste polake vunë re se situata ishte duke u dalë jashtë kontrollit prandaj vendosën të ndërhyjnë. Më 12-13 dhjetor 1981 gjenerali Vojçek Jaruzelski vendosi ligjin ushtarak, ku 70.000 ushtarë, 30.000 punonjës milicie, 1700 tanke, 1900 transportues të blinduar, 9000 kamionë dhe autobusë, skuadra helikopterësh dhe avionësh kontrollonin territorin polak. Të gjitha organizatat joqeveritare u konsideruan të jashtligjshme dhe anëtarët e saj u internuan. Në kufirin shtetëror polak rusët, gjermanët dhe çekët u përgatitën për ndërhyrje ushtarake, sepse “Dobzhët” po rrëshqisnin nga Kampi Socialist. Për shkak të gjendjes së tmerrshme të ekonomisë dhe në pamundësi për të udhëhequr vendin, më 6 shkurt 1989 udhëheqja polake me në krye Jaruzelskin filloi bisedimet me grupet opozitare ku futej edhe lëvizja e jashtëligjshme “Solidarnosti” dhe të mbështetur nga Karol Vojtila ose Papa Gjon Pali II; Les Valesa, Adam Mikniç, Jaçek Kuron dhe Beronisllav Geremek u sollën fitoren.

Kur flasim për Poloninë

Deri në vitin 1939, në prag të fillimit të L.II.B, Polonia shtrihej në një sipërfaqe prej 388,630 km2 dhe përfshinte brenda territorit të saj fraksionin çekosllovak të Silezisë (distriktin Techen ose Cieshin ose Teshin). Ajo ndodhet në pjesën qendrore të Evropës, duke kapur lartësinë mesatare 169 metra mbi nivelin e detit. Në veri, shtrihet përgjatë Detit Balltik, që kap thellësinë maksimale 100 metra; në jug, shtrihet në një pjesë të sistemit malor të Karpateve dhe Sudeteve, ku pika më e lartë mbi nivelin e detit është në pjesën jugore në lartësitë e Tatrës (mali Rëjs-2499 metra). Ajo në perëndim kufizohej me Gjermaninë, në jug me Çekosllovakinë dhe në lindje me Prusinë Lindore, Lituaninë dhe Bashkimin Sovjetik (aktualisht Ukrainën dhe Bjellorusinë). Polonia ka qenë mbretëri dhe mbret i fundit ka qenë Stanisllav August Paniatovski, një nga të dashurit pasionantë të Ekaterinës II. Ai vdiq në vitin 1798 dhe u varros në mënyrë ceremoniale në Shën-Petërburg, në kishën katolike të “Shën Katerinës”, ndërtuar në vitet 1763-1783 prej Valen Delamotit, ku pas disa vitesh po aty u varros edhe gjenerali francez Zh.V. Moro, që luftoi kundër Napoleon Bonapartit (Në vitin 1930, me vendim të Qeverisë Bolshevike, kisha iu nënshtrua shkatërrimit, u prishën muret, froni dhe mozaiku i dyshemesë, kurse organoja u çmontua. Në vitin 1984 ra zjarr dhe u zhduk gjithçka që kishte mbetur. Në vitin 1998 filloi rindërtimi i saj.)*. Që nga koha e vdekjes së Stanislavit Polonia konsiderohej “Tokë Ruse”. Nikollai II, kur nënshkruante ndonjë urdhër ose dekret, shprehej: “Me vullnetin e Zotit, Unë, Nikollai II, Perandor i gjithë Rusisë, Mbret i Polonisë dhe Princ i Madh i Finlandës dhe i të gjithë atyre që më besojnë, bëj të ditur…”.

Në prag të Luftës ë II Botërore

Në vitin 1925 gjermanët nisën ndërtimin e linjës së fortifikimit për të mbrojtur kufijtë e tyre nga pushtimi polak, i cili konsiderohej i mundshëm pas fitores së polakëve kundër Bashkimit Sovjetik. Ai u quajt Rajoni i Fortifikuar Miedzyrzecz (MRU) dhe u ndërtua për të mbrojtur Berlinin nga një sulm i mundshëm polak. Në largësi mbi 100 km. nga Skvierzyna, përmes zonës së Miedzyrzeczit deri tek lumi Odra, u ndërtuan rreth 100 vendstrehime ushtarake: bunkerë, fortifikime dhe pozicione për artileri të palëvizshme. Të gjitha këto vendstrehime lidheshin nga një sistem i tillë që për kohën ishte më i madhi në botë për fortifikimin nëntokësor dhe që ishte i pajisur me magazina për ushqime dhe municione, me stacione energjetike, me puse si dhe me një hekurudhë nëntokësore. Në sipërfaqe, zona e bunkerëve kontrollohej nga blloqe betoni të vendosur në mënyrë uniforme që quheshin “dhëmbët e dragoit” për të ndaluar tanket dhe armët lëvizëse që mund të arrinin fortifikimin.

Në vitin 1934 ambasadori gjerman në Rusi, si për t’ua kujtuar rusëve edhe njëherë atë turp, pasi qeveria gjermane ishte e interesuar për një përplasje ruso-polake, ishte shprehur: “Ekzistenca e Polonisë është e pajustifikueshme dhe e papranueshme për kushtet jetësore të domosdoshme për Gjermaninë. Ajo duhet të zhduket dhe do të zhduket për shkak të vetë interesave të ngushta dhe në sajë të Rusisë, me ndihmën tonë. Për Rusinë, Polonia është akoma më e papranueshme sesa për ne. Asnjë rus nuk mund ta pranojë Poloninë. Me Poloninë është në marrëdhënie të avancuara Franca, një nga shtyllat më të fuqishme të marrëveshjes së Versajës, që tashmë është rrëzuar”.

Kur gjithçka ishte qetësuar, Gjermania, pasi ishte bashkuar me Austrinë dhe kishte pushtuar Sudetet dhe vetë Çekosllovakinë, filloi të bënte presion mbi Poloninë që të lëshonte portin e madh të Dancingut, që prej kohësh ka qenë një mollë sherri në mes të interesave polake dhe gjermane dhe rrethinat e tij, të cilat i takonin Pomeranisë Lindore ose Pomozes, në mënyrë që në territorin polak të ngrinte një vijë hekurudhore për ta lidhur Gjermaninë me Prusinë Lindore. Polonia rezistonte. Presionet vazhdonin hapur nga ana e Hitlerit. Më 24 tetor 1938, ambasadori polak Lipski i parashtroi Hitlerit një sërë kërkesash për problemin e Dancingut dhe korridorit, pastaj Ribbentropi i kërkoi atij që të takohej me Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, kolonelin Bek. Sipas Ribbentropit zgjidhja do të ishte:

1- Qyteti i lirë i Dancingut t’i rikthehej Gjermanisë, pasi ai kishte qenë gjithnjë qytet gjerman dhe i tillë do të mbetej.

2- Përmes korridorit, Gjermania do të ndërtonte një autostradë dhe një hekurudhë me shumë kalime; të dyja do t’i përkisnin asaj dhe do të gëzonin një status ekstraterritorialiteti.

3- Nga ana e saj, Polonia do të lejohej që të ndërtonte me të njëjtat kushte në territorin e Dancingut një autostradë apo një hekurudhë; po ashtu do të kishte dhe një port të hapur.

4- Polonia do të gëzonte tërë lehtësitë për t’i sjellë produktet e veta në territorin e Dancingut.

5- Të dyja vendet do të njihnin vijën përkatëse të kufirit dhe konkretisht do t’i garantonin territoret e tyre.

6- Traktati Gjermano – Polak do të shpallej i vlefshëm për 25 vjet.

7- Të dyja vendet do të lidheshin me traktat me anë të një klauzole të posaçme.

Lipski mbajti qëndrim krejt të heshtur dhe theksoi se do t’i raportonte Bekut. Më 5 janar 1939 koloneli Bek u takua me Hitlerin në Berchtesgarden, dhe pas një jave me Ribbentropin. Më 25 janar Ribbentropi shkoi në Varshavë pa arritur që ta zgjidhte problemin e korridorit.

Marrëveshjet Europiane kundër Gjermanisë dhe Italisë

Në 21 mars 1939, Presidenti i Francës, Eduard Daladie dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bone, arritën në Londër. Daladieja, sygjeroi që të dyja vendet të bashkoheshin me Poloninë dhe Bashkimin Sovjetik me një deklaratë zyrtare, ku të shprehej qartë, se, të 4 vendet e tyre duhej të këshilloheshin me njëri – tjetrin për masat që duheshin ndërmarrë për të penguar çdo agresion tjetër në Evropë. Tre ditë më vonë, Litvinovi propozoi mbajtjen e një konferencë, ku të merrnin pjesë Franca, Britania, Polonia, Bashkimi Sovjetik, Rumania dhe Turqia, për të ndaluar Hitlerin. Por kryeministri anglez e kishte konsideruar si të parakohshme mbajtjen e kësaj konference. Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Beku, më 23 mars, i propozoi sër Hundër Konradit, ambasador i Britanisë së Madhe në Varshavë, që të përfundonin një marrëveshje anglo-polake. Më 28 mars 1939 Beku shkoi në Londër me një projekt miqësie midis të dyja vendeve, që u nënshkrua më 31 mars. Për pasojë, u mbyllën 300 nga 500 shkolla gjermane që gjendeshin në Poloni.

             Sipas H. Lidell, më 29 mars 1939, Daladieja mori vendimin të pengonte çdo përparim të mëtejshëm të Hitlerit dhe i propozoi Polonisë se do ta mbështeste ndaj çdo veprimi që do të kërcënonte pavarësinë polake. Ushtria polake në atë kohë kishte 30 divizione aktive, 10 divizione rezervë dhe rreth 12 brigada kalorësie, me afërsisht 2.580.000 veta. Franca, nga ana e saj, mund të mobilizonte 110 divizione, 65 nga të cilat ishin aktive dhe që përbëheshin nga 5 divizione kalorësie, 2 divizione të mekanizuara dhe një divizion i blinduar në formim e sipër. Pjesa e mbetur ishin divizione këmbësorie. Duke hequr ato që do duheshin për të mbrojtur Francën Jugore dhe Afrikën nga ndonjë kërcënim i mundshëm italian, në frontin gjerman, ajo do të kishte 85 divizione dhe mund të mobilizonte deri në 5 milionë njerëz. Edhe Britania Madhe premtonte se do të dërgonte në Francë 5 divizione të rregullta. Anglia, në atë kohë, kishte rreth 600 avionë bombardues, sa dyfishi i Francës, por më pak se gjysma e Gjermanisë.

Në 30 mars 1939 Sër Hundër Konradi i paraqiti Bekut një propozim franko – anglez, për të lidhur një traktat ndihme reciproke në rast agresioni gjerman. Në 31 mars Çambërleni bëri një deklaratë në Dhomën e Komuneve, ku zbuloi se Britania dhe Franca do t’i jepnin qeverisë polake të gjithë ndihmën e mundshme në rast se Polonia do të sulmohej nga Gjermania. Më 6 prill koloneli Bek nënshkroi në Londër me Britaninë e Madhe një traktat të përkohshëm ndihme reciproke.

Më 16 prill 1939 komisari për Punët e Jashtme i Bashkimit Sovjetik, Maksim Litvinovi, kundërshtar i politikave sovjetike të afrimit me ato gjermane, porositi ambasadorin sovjetik në Londër që ta përfundonte Paktin Anglo-Franko-Sovjetik për ndihmë reciproke. Në vijim ai priti ambasadorin e Britanisë së Madhe në Moskë për t’i propozuar zyrtarisht një traktat tripalësh midis Bashkimit Sovjetik, Anglisë dhe Francës, për ndihmë reciproke. Litvinovi propozoi një konventë ushtarake dhe dhënien nga nënshkruesit të një garancie për të gjitha vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, që ndiheshin të kërcënuar nga nazistët.

Si kundërpërgjigje, Hitleri, më 28 prill 1939 tha: “E konsideroj që marrëveshja e bërë midis marshallit Pilsudski dhe meje është shkelur nga ana e Polonisë dhe ky problem nuk qëndron më këtej e tutje”, për më tepër, që po atë ditë Gjermania nënshkroi me Anglinë marrëveshjen mbi shfrytëzimin e deteve; më 22 maj lidhi marrëveshjen ushtarako-politike me Italinë; më 30 shtator lidhi me Anglinë marrëveshjen e mossulmimit dhe më 6 dhjetor me Francën. Nga këto marrëveshje u duk sikur Evropa ra në qetësi. Gjermania e fuqizuar i ktheu sytë nga “armiku i vjetër”, Polonia.

Më 4 maj Çërçilli, deklaroi: “Nuk ka asnjë mundësi që të mbahet në lindje një front tjetër kundër agresionit nazist pa ndihmën aktive të Rusisë”. Qeveria angleze nuk iu përgjigj para 11 majit propozimit sovjetik të 16 prillit për aleancë ushtarake.

Në 13 maj Kulondër njoftonte ministrin e tij se Gjermania po kërkonte një marrëveshje me Rusinë dhe më 15 maj ambasadori nisi një telegram në Paris ku bënte të ditur se qarkullonin zëra në Berlin që “Gjermania kishte bërë ose do t’i bënte Rusisë propozime që synonin një ndarje të Polonisë”.

Më 19 maj Çambërleni, pas kritikash, ngarkoi ambasadorin britanik në Moskë që të ndërmerrte bisedime për një traktat ushtarak ndihme reciproke për dhënien e garancive vendeve të kërcënuara nga Hitleri. Më 23 maj 1939 Hitleri thirri shefat ushtarakë dhe u tha: “Që nga kjo ditë nuk mund të arrihen suksese të reja pa derdhur gjak dhe për pasojë lufta do të jetë e pashmangshme”. Ai ruante thënien “EX ORIENTE LUX” (Drita vjen nga lindja).

Më 24 maj gjenerali Xhorxh Tomas, Shefi i Shërbimeve për Ekonominë dhe Armatimin Gjerman, bëri të ditur se kishin 51 divizione, 5 të rënda dhe 46 të lehta, njësi moderne të motorizuara të luftës, 2 korracata 26.000 tonëshe, 2 kryqëzorë të rëndë, 17 destrojerë dhe 47 nëndetëse, dhe se kishin lëshuar në det korracata të tjera 35.000 tonëshe, një aeroplanmbajtës, 4 kryqëzorë të rëndë, 5 destrojerë dhe 7 nëndetëse, kurse Luftvafe kishte 21 skuadrilje me personel rreth 260.000 veta (Vlen të theksohet se Gjermania arriti në kohë rekord të ndërtonte rreth 1000 nëndetëse që u bënë tmerr i deteve dhe i oqeaneve).

Nesër do të lexoni:

– Më 14 gusht Voroshillovi theksoi “Çështja thelbësore është, nëse Polonia pranon që trupat sovjetike të kalojnë nëpër territorin e saj për t’iu kundërvënë gjermanëve.”

 

– Më 20 gusht polakët përgjigjen: “Me gjermanët rrezikojmë të humbim lirinë, ndërsa me rusët humbim shpirtin”

Stalini, i frikësuar nga potenciali dhe përgatitja ushtarake e Gjermanisë, në mëdyshje ishte shprehur:“Londra dhe Parisi po luajnë poker”

Hitleri, bazuar në dokumente sekrete donte të përfundonte me Stalinin një pakt ekonomik, kurse Stalini donte të kishte një pakt politik

VO: (Sot, me rastin e 80-vjetorit të nisjes të Luftës së Dytë Botërore, Ambasada e Polonisë promovon librin e z. Spiro Mëhilli  “ POLONIA – VIKTIMË E LUFTËS  SË DYTË  BOTËRORE“.

Pjesa II

 

Dossier nga Spiro Mëhilli

– Më 14 gusht Voroshillovi theksoi “Çështja thelbësore është, nëse Polonia pranon që trupat sovjetike të kalojnë nëpër territorin e saj për t’iu kundërvënë gjermanëve.”

 

– Më 20 gusht polakët përgjigjen: “Me gjermanët rrezikojmë të humbim lirinë, ndërsa me rusët humbim shpirtin”

Stalini, i frikësuar nga potenciali dhe përgatitja ushtarake e Gjermanisë, në mëdyshje ishte shprehur:“Londra dhe Parisi po luajnë poker”

Hitleri, bazuar në dokumente sekrete donte të përfundonte me Stalinin një pakt ekonomik, kurse Stalini donte të kishte një pakt politik

VO: (Sot, me rastin e 80-vjetorit të nisjes të Luftës së Dytë Botërore, Ambasada e Polonisë promovon librin e z. Spior Mhilli  “Luftimi dhe vuajtja”.