KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Skënderbeut Nesti Gjoka, tregon përgatitjet dhe synimet e sezonit të ri
Agron KAJA

Skuadra e Skënderbeut ka 10 ditë që ka nisur fazën përgatitore në qytetin e Korçës, fazë të cilën trajneri Nesti Gjoka e quan vendimtare për të rritur kontigjentin fizik të lojtarëve. Për gazetën “Telegraf”, dje tekniku i “Ujqërve të dëborës” u shpreh se, edhe i kanë hapur dyert për elementët e rinj, kryesisht nga U19 e Skënderbeut që u shpall kampione e kësaj moshe në sezonin e kaluar. “Është një mot shumë i nxehtë, madje edhe për qytetin e Korçës po bën të veçantën, por ne kemi 10 ditë që kemi zbritur në fushë me fazën përgatitore, e cila do të zgjasë 7-8 javë. Ky është momenti që ne si staf teknik, me programe të detajuara, kemi punuar që në këto ditë të para të rritim kontigjentin fizik të lojtarëve, të cilët i kemi në dispozicion. Ndërkohë që në strategjinë tonë të përgatitjeve, kemi afruar disa lojtarë të skuadrës U19 të Skënderbeut që në sezonin e kaluar u shpallën kampionë të kësaj moshe”, kështu e nisi dje bisedën tekniku i Skënderbeut Nesti Gjoka, i cili sa i përket merkatos për sezonin e ri, tregoi se në 60-70% është ruajtur elementi i sezonit të kaluar në Superiore. “Në muajin janar që ishin pjesë e Abissnet Superiore, u bënë disa blerje futbollistësh, dhe të gjithë tashmë janë bashkuar me skuadrën në këto përgatitje. E rëndësishme është se në 60-70% është ruajtur kontigjenti i sezonit të kaluar, e natyrisht që këta futbollistë do të jenë edhe baza e skuadrës për sezonin e ri. Kemi patur edhe largime, por që me lojtarët aktualë, skuadra duket e plotësuar në masën 80%. Ndaj edhe drejtuesit kanë menduar që të përforcohemi me 2-3 futbollistë nga më cilësorët në tregun tonë, pse jo edhe të huaj. Porta dhe sulmi mund të them se janë të plotësuar, por në merkaton që do bëjmë do të afrojmë futbollistë cilësorë nga të gjitha repartet”. Ndërkohë që lidhur me programin stërvitor që është në proces, dje trajneri Gjoka tregoi se janë edhe testimet brënda grupit, të cilat ai i quan pjesë e rëndësishme për të njohur gjëndjen aktuale të të gjithë skuadrës. “Për një fazë përgatitore më efektive, testimet brënda grupit, dhe më pas ndeshjet miqësore, janë domosdoshmëri. Kështu, të shtunën (sot) kemi në plan një testim të skuadrës, natyrisht me bazë ndeshje miqësore brënda grupit. Këtu hyjnë edhe të rinjtë e Akademisë së “Skënderbeut”, por edhe ata futbollistë, të cilët kanë menduar që në këtë sezon të ri të japin kontributin e tyre në skuadrën tonë. Nuk diskutohen synimet e Skënderbeut për sezonin e ri që janë ato maksimalet, ngjitja në Abissnet Superiore”, ishte kjo biseda me trajnerin e Skënderbeut, Nesti Gjoka.
LEGJIONARËT
Interi do Rovellan e Lacios, jep Asllanin për kompesim
Inter është hedhur në sulm për një tjetër objektiv të madh në merkato, pasi
kërkon të përforcojë mesfushën me mesfushorin e Lacios, Nikolo Rovella. Ai ka ngjallur interesin e shumë klubeve të njohura, mes tyre edhe të Interit dhe oferta e parë e zikaltërve ishte 35 milionë euro, por që u refuzua nga Lazio. Sepse prej tyre është i vendosur që të lejojë largimin e Rovellas, vetëm nëse paguhet klauzola e caktuar për kartonin e tij, me 50 milionë euro. Pavarësisht refuzimit të ofertës së parë, Inter do tentojë sërish duke përfshirë në marrëveshje edhe Kristjan Asllanin. Propozimi i ri i zikaltërve për Lazion pritet të jetë: 30-35 milionë euro, plus Kristjan Asllani. Vlera e mesfushorit kuqezi është 14 milionë euro, duke iu përafruar në këtë mënyrë kërkesës së Lacios, e cila kërkon 50 milionë euro.
Shqiptar nga Argjentina, Silvinjo e do në Kombëtare
Ai quhet Tomas Guidara, lojtari që me penalltinë e tij të realizuar e kualifikoi skuadrën e Hurakanit në fazën e 1/8-ave të Kupës së Argjentinës. Hurakani ia doli me rezultatin 2-3 përmes penalltive, pasi koha e rregullt me Instituton ishte mbyllur pa gola. Por deri këtu nuk mbyllet lajmi, sepse Tomas Guidara, një emër interesant i lindur në Argjentinë, ka marrë vëmendjen e trajnerit të Kombëtares sonë Silvinjo. Braziliani duket se e llogarit mbrojtësin e djathtë me origjinë shqiptare për të ardhmen kuqezi.
Sebastian Spahiu nga Irani në Durrës, tek Teuta e presin
U aktivizua me Kombëtaren shqiptare në shtatorin e vitit 2024, por mesfushori 25-vjeçar Sebastian Spahiu vendosi të luante në futbollin iranian. Pas një sezoni aty, ai ka mbetur pa ekip dhe i del emri në Durrës tek Teuta. Kujtojmë se Spahiu spikati në sezonin 2023-2024 me Egnatian, dhe në verën e vitit të kaluar nisi aventurë të re në Iran me skuadrën Mes Rafsanjan. Por ai ka bërë publik largimin zyrtar nga Irani dhe tashmë ka mbetur lojtar i lirë. Në lojë për shërbimet e tij është edhe skuadra e Teutës, e cila po organizohet nga e para, dhe në të ristrukturim janë kërkesat për lojtarëve profesionistë. Rikujtojmë që Spahiu mori ftesë nga Kombëtarja në shtatorin e vitit 2024, falë paraqitjeve me kampionët e Shqipërisë të Egnatias, teksa u aktivizua nga Silvinjo në 1 ndeshje me fanellën kuqezi.
Nga Korça në Poloni, Nikaj shkon te Visla Krakov
Sulmuesi shkodran Ardit Nikaj, pasi u largua nga Skënderbeu, do të vazhdojë karrierën në futbollin polak. Ai ka arritur akordin me klubin e Visla Krakov ku marrëveshja u finalizua me sukses, dhe në rast se arrin që të bindë drejtuesit, atëherë mund të kemi edhe një transferim të përhershëm. Brenda pak ditësh ai pritet të udhëtojë drejt Krakovës për testet mjekësore. Visla Krakov është një emër i madh në futbollin polak, ku ka fituar në total 22 trofe: 13 kampionate dhe 4 Kupa.
Mesfushor nigerian për Skënderbeun, vjen nga Sasuolo
Pasi kishim mbyllur bisedën me trajnerin Nesti Gjoka, dje klubi i Skënderbeut bëri një njoftijm zyrtar, se ka arritur të sigurojë shërbimet e mesfushorit Salim Abubakar, i lindur në Nigeri, por është pjesë e Sasuolos në Itali. Abubakar do të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Gjoka, duke shtuar cilësi dhe alternativë në repartin e mesfushës. Në sezonin e fundit nigeriani ka luajtur në Serinë C italiane, si pjesë e ekipit të Pergoletezes. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në projektin e Skënderbeut për të ndërtuar një ekip të fortë dhe konkurrues, që do të synojë ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar që në këtë sezon.
Besa bën “pazar” në Superiore, blen Kordieron nga Laçi
Uilliam Kordeiro është futbollisti më i ri i Besës së Kavajës. Sulmuesi brazilian dhe klubi i Kategorisë së Parë kanë arritur akordin e tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i ish-sulmuesit të Partizanit në Kavajë. Klubi i Besës arrin kështu një transferim të bujshëm, pasi qëllimi në sezonin e ardhshëm është ngjitja në Abissnet Superiore. Në dy sezonet e fundit 2023-2025, braziliani 31-vjeçar ishte pjesë e Laçit dhe kjo është eksperienca e katërt në futbollin shqiptar. Në sezonin 2018-2019 luajti 31 ndeshje me Kukësin dhe në sezonet 2019-2021 luajti 50 ndeshje me Partizanin. Kështu, Besa e nis fuqishëm merkaton e saj verore.