Në Skrapar, por them se në të gjithë nahijen e Beratit, nuk ka patur shkrimtar humorist në përmasat e të pazakonshmit Iljaz Kapxhiu. Të gjithë ata që e patën fatin t’a njihnin nga afër apo të kenë lexuar krijimtarinë e tij publicistike, domosdo do të vënë buzën në gaz, sapo dëgjon emrin e tij, sidoqë ai tashmë nuk jeton më. Kjo ndodh dhe do të jetë kështu edhe më pas, sepse hija e tij dhe ajo çka na ka lënë të shkruar në fushën e krijimtarisë së humorit, mbetet të jetë, falë talentit dhe intuitës së tij për të vënë në lojë të keqen, pafundësi rastesh nga buronte e qeshura.

Iljaz Kapxhiu
Iljaz Kapxhiu, i cili në profesion ishte mësues, të paktë ishin ata që e njihnin si të tillë. Ai kishte bërë emër dhe mbeti si krijues në fushën e humorit, fushë të cilën e ushtroi me mjeshtëri të pazakontë, madje me një stil që dinte ta qëndiste e t’i jepte jetë vetëm një si ai.
Iljaz Kapxhiu nuk ishte nga ata që kanë dhuntinë të tregojnë, apo sajojnë barcaleta. Ai ishte burim humori, duke trajtuar dhe goditur dukuri që lëndonin shpirtra njerëzorë, e që jo rrallë ishin një farë ipidemije për kohën. Në këtë kuptim Iljaz Kapxhiu ishte bërë tmerr për qeverinë, për zyrtarët, për drejtuesit e ndryshëm, pa përjashtur njerëz të thjeshtë, por që demostronin vese e prapësi që binin ndesh me ligjin e moralin e shëndoshë.
Koha kur humoristi Iljaz Kapxhiu kish marrë përsipër të gjuante dhe të demaskonte të keqen, kërkonte veç talentit edhe guxim. Ne bashkëkohësit e tij mbajmë mend jo vetëm një rast, por me dhjetra, sesi ai ndeshej e përplasej ballëpërballë me “kompetentët”, sesi luante me nervat e tyre dhe të tijtë, vetëm e vetëm t’u hiqte maskat e t’i demaskonte për çka fshihnin në karakter, mbuluar me kadife kolltuqesh.

Iljaz Kapxhiu dhe Loro Boriçi
Ky krijues i humorit të thekur nuk e njihte frikën e as pabesitë kërcënuese që i vinin nga nuk mund ta prisje. Në një farë mënyre ai ishte opozitar gati i vetëm në luftën që bëhej kundër të keqes me zhanrin e humorit. Dhe “armiqtë” që u sulej Iljaz Kapxhiu nuk ishin dosido e as pa mbështetje të autoriteteve të pushtetshëm. Iliazi për guximin që kish, për kurajon e luftës pa kompromis, jo pak miq e shokë e qortonin se i ishte futur “detit më këmbë”. Ishin jo një e dy, por me dhjetra drejtues e kuadro, të cilët i rrëzonte “për vdekje” pena e ngjyer me gjak ndershmërie e këtij intelektuali, që vuri në “grykë të topit” gjithçka të mbrapshtë të atij sistemi. Edhe pse ai u përball fytafytazi me njerëz të pushtetshëm, me ata të cilët ishin gati “ta shqyenin”, jo vetëm që mbijetoi, por më së shumti arriti të ish institucion më vete ku mund të gjeje derën e moralit të shëndoshë dhe të drejtësisë.

Vetëm ai që mund të shkojë pa frikë drejt së mirës, duke goditur e vënë në lojë vesin dhe moralin, mund të bëhet shpresë e së ardhmes, e madje ta gëzojë atë. Iljazi ishte një i tillë gjë që e konfirmoi gjatë gjithë jetës së tij, por të lënë të shkruara edhe në libra.
Nuk është normale, por ka ndodhur e ndodh që “kritizeri”, edhe pse është në të drejtën e tij t’i bjerë në kokë të ligut, batakçiut e horrave të çdo kallëpi, bën shumë armiq. Kjo çka them ka ngjarë edhe me humoristin Iljaz Kapxhiu. Ai në ato kohra ishte “njeri me shënjë”. Por meqë ishte njeri i drejtë e me shpirt të madh, Lakja mbeti të ish personazh i “i çuditshëm”, më i dashuri e më i respektuar jo vetëm në qytetin e Çorovodës, por edhe shumë më tutje, tek miq që ishin e bënin pjesë në “profesionin” e tij, nga Tirana, Shkodra, Fieri e gjetkë.

Me poetin Ali Podrimja
Problematika dhe “galeria” e personazheve që u bënë objekt i tematikave të publikuara në organet e shtypit të kohës, janë pafund. Nëse Iljazin e vështrojmë dhe e vlerësojmë me atë çka thotë populli “më thuaj me kë rri të të them cili je”, ai gjatë gjithë viteve të krijimtarisë së tij mbeti bashkëpunëtor i kualifikuar i të gjitha organeve të kohës siç ish revista Hosteni, revista Nëntori, gazetat e përditshme dhe ato periodike, e deri te furnizues me material humoristik të trupave te estradave në qytete të ndryshme të vendit. Sa i përket miqësisë me krijues e personalitete të artit e të kulturës, Lakja mbetet përfaqësues i denjë i Skraparit dhe një mik e intelektual i përmasave kombëtare. Ai ishte “mik për kokë” i Dritëro Agollit, me Gaqo Veshin (Hyskë Borobojkën), i Gjik Kurtiqit, i Ferit Lamajt, Tashko Lakos dhe pa harruar poetin e madh të Skraparit, Xhevahir Spahiun.

Poeti Xhevahir Spahiu në shtëpinë e Iljazit për të përcjellë ngushëllimet bashkëshortes Ferruze dhe fëmijëve
Gjatë gjithë jetës së tij Lakja, edhe pse mbeti njeri “problematik” për pushtetin dhe pushtetarët, nuk e uli kokën asnjëherë. Përkundrazi, ata që ai i telendiste publikisht për bëmat e allishverishet në kurriz të popullit, ulnin kokën e ndjeheshin të përunjur përpara pastërtisë dhe karakterit burrëror të tij. Pra ai në të gjitha rastet kur bëhej objekt “furtunash” të aparatçikve cmirëzinj, nuk e humbiste toruan, nuk tërhiqej për t’u futur në “strofullën” ku njeriu i dobët e me karakter të lëkundur bëhet “pulë” e pishman për atë çka ja ka servirur publikut si të vërtetë. Jo. Iljaz Kapxhiu as që mund ta imagjinonte tërheqjen. E di pse? Sepse ai ishte gazetar nga ata “me dy kobure”. Veç fakteve që i hidhte në letër, ai diku në bllokun e shënimeve, mbante “armë rezervë, nga ato, që edhe pse e sulmonin me njëmijë të zezat e ai prapëseprapë dilte triumfator. Edhe tani, kur Iljaz Kapxhiu nuk jeton më, kur bie fjala rreth “batërdisë” që ai u bëri jo një e dy, por me dhjetra kuadrove në Skrapar, bëjnë pyetjen pa pretenduar të marrin përgjigje: Ore si nuk e gjeti gjë, si nuk i hyri një gjëmb në këmbë atij Iljaz Kapxhiut, aq i fortë paska qënë?

Iljazi me Gaqo Veshin (Hyskë Borobojka)
E tërë krijimtaria e tij është përmbledhur në librin “Peshqesh i hidhur”, por puna krijuese e tij në dhjetravjeçarë nuk përmbyllet aty. Vajza, Silvana po përgatit një libër tjetër ku do të përmblidhet gjithçka e papublikuar e ku një vënd të veçantë do të zënë letërkëmbimet e shumta me miq e shokë krijues, por sidomos ato me Dritëro Agollin, Gaqo Veshin, Xhevahir Spahiun e të tjerë.
Veç profesionit të mësuesit e të gazetarit humorist Iliazi gjatë jetës së tij aktive shkëlqeu edhe si gjahtar e futbollist.
Jo pa qëllim po bëjmë të njohur një foto të tij me të madhin Loro Boriçi, dalë në një nga veprimtaritë sportive të skuadrës të “5 Shtatorit” të Skraparit.
Humoristi Iljaz Kapxhiu radhitet ndër intelektualët më në zë të Skraparit. Kjo e vërtetë e padiskutueshme sjell një detyrim sa njerëzor e aq institucional, që ai të mos harrohet kurrë e madje të mund të gjendet një hapësirë që emri i tij të shkruhet me gërma nga ato që ai i përdori me pasion e vendosmëri të pashoqe për të goditur “mburojën e së keqes”.

Me Xhevahir Spahinë dhe Limoz Dizdarin
Kanë thënë për Iljaz Kapxhiun:
DRITËRO AGOLLI:
“Sa për humorin dhe zgjuarsinë e Iljaz Kapxhiut, rrallë gjen një të dytë. Hazërxhevap e barut-thatë, punëtor i letrave dhe, siç ishte një gjuetar i mirë i pyllit, ashtu ishte edhe gjuetar i shkëlqyer i fjalëve të qëlluara.”
XHEVAHIR SPAHIU:
“Veç mallit për vendlindjen, për Tomorrin, në Skrapar më sillte dhe Iljazi, një nga miqtë e mi të mirë e të vjetër”.




















