Ergys Alushi: Na ka mbetur vetëm deti dhe dielli, që nuk janë aty ku janë për meritën tonë

Mburremi me të dyja që i kemi dhe harrojmë se që të dyja janë “punë” të natyrës! Dhe nuk janë aty ku janë për meritën tonë. Deti dhe Dielli janë një mrekulli që na dallojnë si qytet dhe sjellin çdo verë me mijëra njerëz. Po ne, si njerëz të këtij qyteti, çfarë ju ofrojmë, çfarë bëjmë ne, përveçse mburremi nga mëngjesi në darkë me detin dhe diellin?! Shtunën pak! I shfrytëzojmë të dyja në shumë raste në mënyrën më antituristike, me çmime të larta në raport me kushtet që ofrojmë Ne akoma nuk po sillemi si qytetarë të një qyteti turistik. Nuk e kemi krijuar ende mentalitetin dhe frymën për të ndihmuar gjithsecili prej nesh qytetin në ditët e pikut të sezonit.

Mjedisi përreth detit dhe poshtë diellit është një përgjegjësi e jona si qytetarë të qytetit turistik, që në fakt lë shumë për të dëshiruar. Ne nuk ulemi ta heqim një letër në shesh, të mbledhim një kanaçe, të largojmë një bisht cigare apo t’i urojmë mirë se ardhjen një pushuesi edhe pse nuk e njohim. Janë gjëra të vogla, por bëjnë diferencë të madhe. Ne kemi turp ose nuk kemi mendësinë që t’i bëjmë gjëra të tilla! Ne jemi shumë pak mikpritës për të huajt që e zgjedhin qytetin tonë për detin dhe diellin, ua tregojmë shumë pak mirënjohjen tonë për faktin që ata zgjedhin qytetin tonë për të kaluar ditët më të bukura të jetës së tyre, pushimet. Qyteti ynë e ka nisur tashmë rrugëtimin e tij për të qenë një destinacion turistik dhe kjo nuk ka më kthim mbrapa. Ne, qytetarët e tij, (kush ndihet i tillë), duhet të fillojmë t’ju tregojmë të huajve se ky qytet nuk ka vetëm det e diell, por ka edhe qytetarë që i gjenden qytetit në ditët e tij të ngarkuara me pushues Ata, duhet të na duan dhe të vijnë edhe për ne, jo vetëm për detin dhe diellin, sepse vetëm kështu qyteti do të jetë qytet dhe do të ketë më shumë vlera.

NOA