Zhurma “mbyt” qytetet, udhëheq Vlora natën, ndjekin Tirana dhe Saranda, vetëm Përmeti dhe Lezha regjistrojnë nivele mestare

13 qytete të monitoruara në Shqipëri e tejkaluan kufirin referues të zhurmës gjatë ditës në vitin 2025, ndërsa në 11 prej tyre nivelet mbetën mbi normë edhe gjatë natës.

Vetëm Lezha dhe Përmeti regjistruan mesatare nate nën kufirin prej 45 decibelësh. Ndotja akustike është kthyer në një problem të përhapur në qendrat urbane dhe jo vetëm në qytetet më të mëdha.

NOA

Tirana kishte nivelin mesatar më të lartë gjatë ditës, me 63.07 dB, kundrejt normës prej 55 dB. Vlora u rendit menjëherë pas saj me 63 dB, ndërsa natën ishte qyteti më i zhurmshëm.

Monitorimi i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit është kryer për një periudhë matjeje 24-orëshe. Niveli i ditës është përllogaritur për intervalin 06:00–23:00, ndërsa ai i natës për intervalin 23:00–06:00.

Në Vlorë, të katër stacionet e monitoruara rezultuan mbi normë si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës. Niveli më i lartë gjatë ditës u regjistrua në Ujin e Ftohtë.

Qyteti rezultoi i dyti pas Tiranës gjatë ditës, por i pari për nivelin mesatar të zhurmës gjatë natës.

Situata paraqitet veçanërisht problematike në Tiranë, ku të 15 stacionet e monitoruara e tejkaluan normën si ditën, ashtu edhe natën.

Pas Tiranës dhe Vlorës, nivelet më të larta mesatare gjatë ditës u regjistruan në Sarandë, me 62.87 dB, dhe në Fier, me 61.67 dB.

Vetëm Lezha, me 44.16 dB, dhe Përmeti, me 44.29 dB, qëndruan brenda normës mesatare të natës.

Varësia e lartë nga transporti automobilistik, në kushtet kur sistemi hekurudhor është pak i zhvilluar, e përqendron lëvizjen e udhëtarëve dhe mallrave në rrugët urbane.