Sigal

Policia e Malësisë së Madhe ka bërë të mundur arrestimin e njërit prej shqiptarëve që grabitën këtë të martë 6 shtetas të huaj që po tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të jashtëligjshme.

Albion Shabaj, 28 vjeçar, është arrestuar nga policia pasi ai së bashku me një tjetër shqiptar kanë grabitur 6 emigrantë. Dy shqiptarët i kanë marrë gjithçka kishin emigrantëve, një sasi prej rreth 800 eurosh, celularët e madje edhe çantat e shpinës.

NJOFTIMI

Policia identifikon dhe arreston njërin prej  autorëve të vjedhjes me dhunë të disa shtetasëve  të huaj.

Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe pas veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale u bë kapja dhe arrestimi i  shtetasit:

Albion Shabaj, 28 vjeç, banues në fshatin Aliaj, Malësi e Madhe.

Shtetasi Albion Shabaj, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, me një automjet në përdorim të tij, duke transportuar 6 shtetas të huaj nga vendet e treta me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit,  në lagjen Pepaj, fshati Hot, Malësi e Madhe, nën kërcënimin e armës u kanë  marrë disa shtetasëve pakistanezë  780 Euro, 2 aparate celularë, dhe 6 çanta shpine.

Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarje.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti me të cilin shtetasi i arrestuar po transportonte shtetasit e huaj, si dhe po punohet për gjetjen e automjetit tjetër .

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprat penale të “Vjedhje me dhunë” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”,  parashikuar nga nenet 139-25 dhe 298–25 të Kodit Penal.