KATEGORIA E PARË/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti e trajneri i Lushnjës, Mjeshtri Madh, Artan Bano
Agron KAJA

Edhe pse nuk është në ndonjë bankinë në këtë sezon, Mjeshtri i Madh Artan Bano deklaroi dje për gazetën “Telegraf” se ai e ndjek ritmikën e futbollit shqiptar, si Kategorinë Superiore ashtu edhe Kategorinë e Parë. Madje ai tregon edhe detaje nga përgatitjet, duke u fokusuar kryesisht te skuadrat e Kategorisë së Parë. “Unë mendoj se pjesa më e madhe e skuadrave në Kategorinë e Parë e kanë nisur mirë fazën përgatitore. Mendoj se është vlerësim i tyre për garën, e cila në këtë sezon mendoj se do jetë shumë e fortë. Sepse aty ka trajnerë me shumë eksperiencë në Superiore, si Mirel Josa i Besës, Gash Magani te Lushnja, Agim Canaj te Korabi dhe disa të tjerë të rinj që po bëjnë mirë te skuadrat që po drejtojnë. Dhe po kështu, në Kategorinë e Parë tashmë ka shumë futbollistë që kanë qënë pjesë e Superiores. Këto janë dy faktet kryesore që këtë kampionat e kanë bërë më të fortë”, kështu e nisi bisedën tekniku Artan Bano, i cili në veçon disa skuadra në fazën përgatitore që janë duke zhvilluar skuadrat. “Kampionati do të nisë më 24 gusht dhe deri atëhere koha është shumë e shkurtër, kryesisht për skuadra që e nisën me vonesë punën e tyre përgatitore, dhe shumë më e shkurtër do jetë për Kukësin që sapo u organizua, si edhe për Erzenin që ende nuk është rioganizuar pas rënies nga Kategoria Superiore. Flamurtari, Besa, Vora, Burreli e Korabi më serioze në përgatitjet e tyre, dhe kjo është një gjë e mirë. Presim lëvizjen e madhe te Kastrioti, pse jo edhe Kukësin me atë riorganizim që bëri këtë javë, dhe unë shpresoj se drejtori sportiv Renato Arapi do bëjë diçka të mirë te kjo skuadër”. Po si e shikon Artan Bano skuadrën e Lushnjës, e cila për të mbetet gjithmonë ajo e zemrës në futbollin shqiptar? “Të them të drejtën, Lushnja nuk mendoj se i ka punët mirë, sepse e ka ndërruar komplet ekipin. Nuk ka seriozitet në organizimin e skuadrës dhe paratë e taksapaguesve lushnjarë shkojnë dëm nga ky administrim. Aty ka diçka që nuk shkon mirë profesionalisht, sepse duhen njerëz që janë për ngritjen e Lushnjës, i mungojnë njerëzit administrative. Përveç trajnerit Gugash Magani që i përket elitës në trajningun e futbollit shqiptar, nuk e shoh Lushnjën skuadër pretendente, Gjithsesi, Kategoria e Parë është bërë profesionale me një gjeografi Superiore, ndaj edhe Bano theksoi se do ketë luftë të forte, si për kreun e katër skuadrat për Play-off në Superiore, ashtu edhe për ato në fundin e tabelës.

KONSTATIMI DHE REALITETI
Ku kanë humbur medaljet e KOKSH-it në Olimpiadë?!
Lojrat olimpike Botërore Verore “Paris 2024” janë në përfundimin e tyre, ku në këtë event sportiv botëror morrën pjesë edhe 8 sportistë shqiptarë, 4 të kualifikuar dhe 4 të ftuar. Nisja nga Shqipëria në Francë u bë me shumë bujë, aq sa KOKSH-i pretendonte se katër të kualifikuarit do të ktheheshin me medalje në Shqipëri. Me të ftuarit e pamë se niveli nuk ishte si u pretendua, përjashtuar notarët Kaltra Meça e Grisi Koxhaku, të cilët në garat e tyre i përmirësuan kohët e garimit. Nga të kualifikuarit, atletja Luiza Gega e kishte humbur shkëlqimin e saj të viteve si kampione e Europës, e po kështu mundësi Abakarov që humbi 0-12 në tentativën për tu kualifikuar. Edhe dje Valiev u eliminua për në finale, e kësisoj, asnjë medalje nuk po duket në horizontin kuqezi. Sot kemi tentativën e fundit për medalje me mundësin Dudaev, por KOKSH-i duhet të flasë pak nga Franca për propagandën e dështuar në “Paris 2024”. Se kështu është një zhgënjim ky ekipi olimpik që u shoqërua në Paris edhe nga Kryeministri Edi Rama!

Sportistët shqiptarë në “Paris 2024”
TË ELEMINUAR
Luiza Gega Atletikë
Zelim. Abakarov M. Lirë
Islam Dudaev M. Lirë
Chermen Valiev M. Lirë
Pesha 74 kg / Garon sot
ME FTESA
Franko Burraj Atletikë
Kaltra Meça Not
Grisi Koxhaku Not
Manjola Konini Qitje
Uzuni në “ankand”, mungojnë ofertat e duhura
Pas rënies së skuadrës së Granadës nga La Liga, e ardhmja e sulmuesit shqiptar Myrto Uzuni u duk se do të ishte jashtë kësaj skuadre. Por deri tani, e ardhmja e tij mbetet e paqartë, sepse ende nuk ka ardhur oferta e duhur. Madje ditën e djeshme është refuzuar oferta e Rajo Vajekano për 4 milion euro, sepse Granada kërkon 8 milion euro. Pritet një riformulim për një propozimi të ri nga Vajekano.
KATEGORIA E PARË
SEZONI 2024-2025
Java 1 / 24.08.2024
AF Vora-Apolonia 17:00
Kukësi-Erzeni 17:00
Flamurtari-Burreli 17:00
Valbona-Besa 17:00
Korabi-Lushnja 17:00
Pogradec-Kastrioti 17:00
Plaku merkato e fundit, lojtarët e Kukësit në mister!
Skuadra e Kukësit ende nuk e ka bërë sefte me përgatitjet e sezonit të ri, edhe pse ditë më parë u prezantua një organizim i ri me Drejtor Sportiv Renato Arapin dhe trajner Ilir Spahiun. Dhe nga dje, në letrën e organizimit shtohet edhe emri i Sebino Plakut, së fundmi ndihmës i Orges Shehit te Partizani. Vetë Plaku është një ish-sulmues e golashënues i njohur në Superiore, ndërkohë që vjen në stolin e Kukësit edhe si njohje e vjetër e trajnerit Ilir Spahiu. Tashmë stafi u kompletua, por për futbollistët ende nuk ka asnjë emër, pas eksodit që pësoi kjo skuadër pasi zbriti në Kategorinë e Parë. Mister ky që ndoshta do të zbardhet javën e ardhshme.





















