Prof. Afrim Krasniqi: Ideja se partitë jodemokratike nga brenda mund të prodhojnë demokraci dhe meritokraci; nga jashtë është iluzion

Afrim Krasniqi

Ideja se partitë jodemokratike nga brenda mund të prodhojnë demokraci dhe meritokraci nga jashtë është iluzion, është e gabuar dhe është dëshirë për të marrë si të vërtetë një gënjeshtër. Kur ndodh herën e parë, janë të pafajshëm, por kur ndodh herën e dytë, të tretë, të katërt dhe tashmë përherë, është bashkëfajësi, dështim, dorëzim, sistem i korruptuar dhe deformim i konceptit të zgjedhjeve, i kulturës politike dhe i raportit tonë me lirinë / përfaqësimin/demokracinë.

 

Në maj 2027 do të ketë zgjedhje lokale edhe për kryetarin e bashkisë Tiranë. Nëse drejtuesi aktual jep dorëheqje ose ka një vendim gjyqësor të Apelit kundër tij, mund të kemi zgjedhje të reja në vjeshtë 2025, por gjithnjë me mandat gjysmak deri më 2027. Debati mbi mandatin dhe funksionalitetin është temë tjetër, por në kontekstin e legjimitetit të kandidatëve vlejnë disa informacione/të dhëna.

  1. Koncepti i primareve te partitë politike për zgjedhjet vendore. Te PS nuk ka pasur dhe as nuk ka garë të brendshme (primare) për garën për Tiranën dhe media pret që kryetari i partisë të emërojë si kandidat një nga bashkëpunëtorët besnikë të tij. Te PD ka pasur dy raste të primareve për Tiranën (2000 dhe 2022), por të fundit lidhur me zgjedhjet parlamentare (2024) rezultuan proces fiktiv dhe fituesit nuk u respektuan. Te partitë e tjera nuk ka pasur dhe as ka primare për shkak të kapaciteteve minimale të tyre në konkurrencën politike dhe mungesës së konceptit të konkurrencës së brendshme.
  2. Një nga praktikat klasike në partitë moderne është konkurrenca e fortë sidomos në zonat e konsideruara fituese, e kundërta ndodh në Shqipëri. Të gjithë kryetarët e bashkive kryesore (të majta) nga Shkodra, Durrësi, Vlora apo Korça, Elbasani apo Berati, etj, janë emëruar pa konkurrencë/primare/zgjedhje të brendshme. Çështje lobimi dhe besimi.
  3. Shikoni modelin e demokratëve në një nga qytetet më të fuqishme politike dhe ekonomike në botë, New York. Garë e fortë dhe konkurrencë, kryetari aktual konkurron i pavarur dhe mbetet jashtë garës, ish kryetari nuk fiton dot, por pavarësisht nga emrat dhe përfundimi, konkurrenca i jep vlerë konceptit të garës dhe ushtrimit të demokracisë. Shikoni gjithashtu modelin e zgjedhjeve të brendshme në Partinë Konservatore në Britani si dhe kandidatët në zgjedhjet e fundit, kur ata zgjodhën kryetaren e re të opozitës.
  4. Në Tiranë në PS nuk ka zgjedhje (as formale) për kryetar në PS prej vitit 2009, në PD nuk ka më zgjedhje, nuk ka më vlerë statuti dhe rregullat, “çështje misionari”, në partitë e tjera nuk ka pasur dhe as ka zgjedhje, ndërkohë që aspirantët e mundshëm për kandidim në Tiranë presin telefonatën e kryetarit. Modeli tjetër është ai i deklaruar në maj, kur shefi i partisë tha se ia afrova X kryetar të partisë së re politike kandidimin në Tiranë për kryetar bashkie duke e akuzuar se nuk pranoi (!) ndonëse rregullat e brendshme të partisë dhe ligjërimin publik e ndalojnë këtë praktikë në formë e përmbajtje!
NOA

Publiku dhe media u habit kur pa listat e deputetëve. Shumë të panjohur, asnjë produkt gare me primare dhe konkurrence të brendshme. Habiten edhe kur shohin emrat e panjohur që emërohen ministra apo zyrtarë të lartë, apo kur promovohen figura në parti pa mbështetje elektorale apo CV meritash politike.

Publiku dhe media gabojnë. Ideja e tyre se partitë jodemokratike nga brenda mund të prodhojnë demokraci dhe meritokraci nga jashtë është iluzion, është e gabuar dhe është dëshirë për të marrë si të vërtetë një gënjeshtër. Kur ndodh herën e parë, janë të pafajshëm, por kur ndodh herën e dytë, të tretë, të katërt dhe tashmë përherë, është bashkëfajësi, dështim, dorëzim, sistem i korruptuar dhe “fake democracy”, deformim i konceptit të zgjedhjeve, i kulturës politike dhe i raportit tonë me lirinë / përfaqësimin/e demokracisë.

Si në një operacion, trajtimi si kurimi i një problemi/defekti/sëmundje nis duke u marrë me thelbin, problemin, sëmundjen, jo duke e injoruar atë dhe investuar vetëm në imazhin, lobimin dhe disa nga dëmet teknike anësore!