Mbrëmjen e djeshme në një prononcim të tijin në një emision televiziv, gazetari Ferdinand Dervishi, është shprehur se në qytetin e Vlorës ekziston një vaskë me acid e cila u vjen në ndihmë bandave kriminale për zhdukjen e personave.
“Mua nuk më tremb shumë Elbasani, aty kemi një bandë, po them organizatë kriminale, por ajo që më shqetëson mua është lidhja e tyre me politikën. Fakti që në Shqipëri, grupet kriminale në disa qytete filluar nga Vlora, Fieri, Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra unë shikoj që bandat e fuqishme ndonjëherë janë dhe të paprekura. Bandat ndajnë pushtetin dhe tendert me politikën. Eshtë shumë e thjeshtë t’i trokasësh një grupi të tillë për një emërim dhe shumë thjesht, emërohesh. Elbasani është shumë i lexueshëm, unë Vlorën nuk e lexoj dot fare. Për Vlorën kam dëgjuar se aty ekzistojnë vaska me acid. Këtë unë e kam dëgjuar në Vlorë nga persona, që duhet t’ua dëgjosh fjalën.”,- tha Dervishi.




















