Si t’i kuptojmë e menaxhojmë bashkëshortët, të fejuarit, shokët

876
Hyrje
Gratë nuk i kuptojnë dot burrat, ndërsa burrat nuk arrijnë të kuptojnë dot veten e tyre. Në sferën publike, forca e meshkujve është ende dominuese, e ndonëse pa arrogancën e dikurshme, “raca domi- nuese” mban ende pushtetin. Ndërsa në sferën private, përkundrazi, mashkulli paraqitet si një qënie “në zhdukje e sipër”. “Do të duhej ndoshta një W.W.F për burrat” – më ka thënë një herë një grua, e cila pas dhjetë vjet vetmie, kërkonte një marrëdhënie të re për t’u ndjerë e lumtur”. Përballë krizës së modeleve mashkullore tradicionale meshkujt e sotëm reagojnë në tre mënyra të ndryshme. Me dhunë, e cila nga mjedisi shoqëror është spostuar drejt familjes (tek çifti). Por, në shoqëri ka ligje e rregulla demokratike, të cilat duhen respektuar e zbatuar, kurse brënda çiftit është e vështirë të krijosh ose të aplikosh rregulla të reja. Me apati, e cila ia ka zënë vendin iniciativës proverbiale mashkullore. Kujtoj këtu rastin e meshkujve të Karaibeve, të cilët u çorientuan përballë dukurisë së feminizmit. Ata nuk bënë përçapje ta ndryshonin rolin e tyre, por vetëm pritën sa të kalonte kjo ‘valë” e gjatë e ndërkohë zbaviteshin me turistet e huaja. 

Humbja e rolit
Femra sot, ka shumë punë për të bërë e shumë role për të marrë përsipër. Ndonjëherë ato janë shumë. Pra, femra nuk është më e depresuar si dikur (sipas statistikave ndërkombëtare depresioni ka qenë një shqetësim tipik femëror). Sot, femra jeton në ankth. Nga mosha 20-35 vjeç, objektivi i saj është të arrijë të ketë fëmijë e sukses në punë, ose të paktën të gjejë një punë të sigurt. Koha që ajo ka në dispozicion është e njëjtë, veçse detyrat janë dyfishuar. Edhe në moshën 50 vjeçare, është vështirë që ajo të vuajë nga sindromi i mbetjes së “folesë” bosh per shkak te ikjes se fëmijëve apo vdekjes se prindërve.

“Foleja”, përkundrazi, shpesh herë është e mbushur plot e përplot me prindërit e moshuar, të cilët kanë nevojë për ndihmë, e me fëmijët e rritur që nuk duan të ikin nga shtëpia, duke mbetur “stazhierë” të përjetshëm, ose ca më keq, që kërkojnë të jetojnë me 1000 € në xhep (në muaj), pa punuar, e që janë gjithnjë e më të pasigurt, sepse nuk kanë një punë fikse e nuk gjejnë dot shtëpi. Në këtë mënyrë, ata e zgjasin tej mase qëndrimin në shtëpinë e prindërve. E gjitha kjo rëndon mbi gruan, e cila e gjen veten papritur edhe bashkëshorte edhe nënë, edhe shërbyese, edhe babysitter. Pra, një lloj “wonder women” në tension të vazhdueshëm e gjithmonë në prag të krizës nervore. Po burri …? Puna e tij ndryshon. Rolet e detyrat e tij nuk janë dhe aq të shumta. Siç do të shohim, ai nuk ka gjasë për alternativa të kënaqshme duke zgjedhur figurën e “Cow boy-it”, tashmë të vjetëruar. Kështu që, mashkulli i sotëm është në kërkim të zgjedhjeve të reja. “ i zemëruar” që ka humbur privilegjet e dikurshme, ai e sulmon femrën edhe me veprime ekstreme, siç janë përdhunimet në grup, dhe kjo jo për ta zotëruar atë, por për t‘i treguar se kush është më i fortë ose për ta përdorur atë si mall, duke e ndarë seksin nga zemra. 

Ku përfunduan “gjuetarët”?
Paraardhësi ynë dikur gëzonte disa avantanzhe në sajë të forcës së muskujve të tij dhe privilegjeve shoqërore të kulturës maskiliste. Në botën tonë, që është e një teknologjie gjithnjë e më të lartë, këto avantazhe janë zhdukur. Në fakt, sot, po shohim gratë të fitojnë garat në regatat transoqeanike, (me barka të mëdha) të cilat mund të manovrohen jo më me anë të forcës fizike, por me kompjuter. Më tej, interneti, ka sjellë një demokratizim në fushën e dijes, e cila nuk është më pronë vetëm e disa kategorive të ngushta shoqërore (në përgjithësi mashkullore). Në të kaluarën, burri kishte monopolin edhe në sferën erotike. Ishte ai që vendoste se kur do të bënte intimitet, me kë e për sa kohë. Sot, gruaja “e shpall” të drejtën e saj për të dëshiruar. P.sh: Kozeta, 42 vjeçe, ka dëshirë për dashuri po aq sa dhe i shoqi: Ai, si një inxhinier i mirë, gjithmonë e ka kontrolluar e programuar që me përpara jetën seksuale, duke e organizuar atë si të ishte një impenjim profesional. Sot, ata ,që të dy, janë të kënaqur për “grisjen e rregullores”, të propozuar e zbatuar nga Kozeta.

Burri në trurin e tij primitiv, ruan kujtimin e kohës kur ai ishte “gjuetari” e femra ishte “preja”. Për këtë arsye, meshkujt sot, kur nuk arrijnë të jenë dominantë në një marrëdhënie, përfundojnë duke e barazuar me zero libidon e tyre e duke hequr dorë nga kërkimi i femrave, dhe parapëlqejnë t’i kushtohen veprimtarive të tjera me miqtë, me sportin , për të mbushur kohën. Sigurisht, me pjesën më të zhvilluar të trurit

(zonën frontale), ata e kuptojnë drejt “demokracinë e dëshirës”, por, nuk duhet harruar se qendrat kryesore përgjegjëse për seksualitetin janë të lokalizuara tek pjesa më e lashtë e trurit, afër qendrës së nuhatjes… Është rasti Françesko, 52 vjeç. Kur ai është me pushime, e shoqja e pyet në mënyrë abuzive, nëse ka dëshirë të bëjë një “pushim” të vogël pasdite. Por ai ç’bën? Zgjedh të shëtisë me miqtë e tij me varkë. Ndjen më shumë lezet tek huqet e veta, tek misteret e velës (pas të cilës është i dhënë), se sa tek marrëdhënia bashkëshortore rutinë. Për Françeskon, elementi esencial nuk është seksi, por dëshira për gjëra të reja. Për këtë arsye, prirjet e tij të reja e zbavitin më shumë. Problemi është se emancipimi seksual i ka ndihmuar shumë gratë, por jo dhe aq burrat. Është zbuluar se, të paktën, gjysma e vajzave provon kënaqësi në klitoris që në periudhën nga 6-12 vjeç, ndërkohë që asnjë djalë nuk arrin të ketë orgazëm dhe ejakulim para pubertetit. Përveç kësaj, seksualiteti adult i rezervon gruas përparësinë të eksperimentojë pesë lloje orgazmash. Përveç orgazmës së klitoridit, e asaj vaginale, mbi 30% e tyre arrin orgazëm anale, 20% kanë zbuluar të famshmen “pikën G”, dhe disa arrijnë orgazëm uterine (në miter), që për më tepër mund të jetë e dhimbshme, ose sidoqoftë e bezdisëshme, e mund të provokojë një gjendje ngërçi abdominal pas aktit intim. Më në fund, femra, nëse është e stimuluar në mënyrë adeguate, mund të ketë një përgjigje multiorgazmike, kurse mashkulli e kundërta, ka një “periudhë refraktare” që varion nga 15 minuta tek adoleshentët deri në 24 orë tek personat më të moshuar, me shumë diferenca individuale. Pra, çlirimi seksual ka qenë një avantazh, kryesisht për femrën, ndërsa mashkulli tenton të largohet nga seksualiteti relacional e, jo vetëm ai bashkëshortor. Kjo shpjegon dhe zhvillimin e madh të prostitucionit në një botë, ku seksi është i lejuar edhe pa pagesë. Një praktikë e tillë përtërin modelin e vjetër, ku mashkulli, nëpërmjet parasë vendos si do ta menaxhojë sferën erotike e si do ta rifitojë dëshirën. Pra, prostitucioni, nuk është i lidhur me një nevojë fizike të mashkullit, por me nevojën e tij psikologjike për të patur një marrëdhënie pushteti me erosin.

Edhe përsa i përket evolucionit të ndjenjave, po shkohet drejt një bote të kontrolluar nga femrat. Po të kujtojmë paraardhësit tanë gjuetarë, ata zotëronin “largpamësinë” për ta kontrolluar sa më mirë gjahun. Kurse sot, më i rëndësishëm është shikimi në “periferi” i gruas ose më mirë të themi “shikimi me bisht të syrit”. Dhe së fundi ndjenjat. Meshkujt nuk dinë çfarë të bëjnë me to. Kujtoj këtu se kur kam shkruar një libër për intimitetin, një burrë m’u rrëfye se ai kishte nevojë për të folur pas aktit intim, për të bërë të mundur qe të kalojë pak koha ose periudha “refraktare” që të mund të fillojë sërish. Me një fjalë, intimiteti kërkon një mbushje kohe midis njërit ampleks dhe tjetrit. Por, edhe në ndjenjat e tjera, mashkulli sot është konfuz, sepse ai nuk arrin të kontrollojë e të shprehë atë që ndjen, ndërkohë që gjithmonë ka qenë mësuar t’i shprehë emocionet e veta. Pra sot, mashkulli, ka ngecur në kurthin e roleve tradicionale, gjithmonë e më të egra, në raport me një botë që po ndryshon, e në të njëjtën kohë ai është gjithmonë e më i kujdesshëm për të ruajtur, piedestalin “e brishtë”, mbi të cilin ngrihet viriliteti i tij i “plagosur”. Prandaj edhe personalitete tepër karakteriale si ai “supermashkullit”, kanë hyrë në krizë për shkak të “maceve” që kanë nxjerrë jashtë “thonjtë” e janë bërë pantera…
Po burrat …, a janë të nevojshëm?
Mashkulli “padron” ose “pasha”, në fakt, nuk është se ka ndonjë problem me gruan, por me narcizizmin e vet, të kërcënuar nga modelet alternative. Mua më duket se burri evropian ka hyrë në krizë, më shumë për shkak të konkurrentit të tij aziatik, (i cili, ndërton grataçiela marramendëse), sesa prej mashkullit afrikan, i cili shquhet vetëm për zjarret e mëdha. Nëse, më parë, gruaja kontribuonte për ta ushqyer këtë narcizizëm mashkullor, tani kjo nuk ndodh më. Por, meshkujt perëndimorë nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga privilegjet e vjetra e as ta ndajnë lodhjen për punët e rëndomta shtëpiake.

Këta lloj burrash janë të mendimit se “një grua me testikuj” është një gjë e mirë (të paktën përsa u përket punëve), kurse një burrë “me vaginë” është një hiç, sepse ata e lidhin vaginën me pasivitetin e jo me aftësinë për të pranuar e marrë përgjegjësi, gjë që do t’i bënte ata të implikoheshin në një rol më aktiv e interaktiv, e që do t’iu pëlqente ta kultivonin tek vetja. Por, ndonjëherë, këto “gra me testikuj” arrijnë t’i kalojnë kufijtë, duke provokuar reagime të kundërta. p.sh: amerikania Maureen Dowd- columniste e “New York Times”, që është dhe fituese e çmimit Pulitzer, ka shkruar një libër që ka ngjallur shumë diskutime duke filluar nga titulli: “Are men necessary?” “A janë të nevojshëm burrat?” Zonja La Dowd, një grua e bukur, me shikim therës e flokë të kuq, është e mendimit se burri është një specie në zhdukje e sipër, aq sa meshkujt bashkëkohorë i kanë frikë gratë ne karrierë (siç është dhe vetë ajo, që në fakt, nuk është e martuar) dhe parapëlqejnë të lidhen me sekretaret e reja, me shitëset, vajzat e nënshtruara, të cilat mundësisht, të kenë një shikim prej drenushe të trembur. “Grave u janë dashur disa dhjetëvjeçarë për të kuptuar se çdo hap i tyre përpara në profesion, mund të sabotonte suksesin e tyre në dhomën e gjumit” shkruan Dowd. Ajo vetë, me siguri e ka kuptuar, se i ka bërë burrat që t’ia mbathin prej saj. Njëri prej tyre, të cilin e pati njohur në një pritje, i është rrëfyer se nuk e ka ftuar kurrë për darkë jashtë, sepse, duke ditur natyrën e saj kritike për çdo gjë, ndruhej se mos e pësonte dhe “burrëria” e tij. Të tilla pohime i fusin ethet një përqindjeje të vogël meshkujsh, të cilët çfaqin një spirale dyshimesh. Pra, problemi është pikërisht ky: agresiviteti femëror ashtu sikurse dhe shprehja e sigurisë, e shuan dëshirën e mashkullit. Dhe në të vërtetë, sot, në gazeta, revista e TV, janë të shumta studimet shkencore mbi krizën e libidos mashkullore. Dikur, burri binte në trishtim pas aktit seksual. Kurse sot, i ndodh të trishtohet që përpara aktit ose më tepër gjatë aktit. Në veçanti të rinjtë, sot, në krahasim me baballarët e tyre 50 vjeçarë, ndjehen të braktisur në rrëfimet intime mbi emotivitetin e tyre dhe tolerojnë, madje edhe lotët. Ndoshta, prapa këtij modeli të ri mashkullor, qëndron miti i androgjenit, çka do të thotë se tek secili prej nesh ekzistojnë komponentë mashkullorë e femërorë, pa sensin e konkurrencës, por të ekuilibruar e në harmoni. Por, burri modern është edhe një “kameleon”, i cili për të rikuperuar privilegjet e vjetra të humbura, heq dorë nga roli i tij “i lashtë” i “pushtuesit”, për t’u bërë një “burrë objekt”. I këtij drejtimi është dhe një studim i psikologjisë sociale, i udhëhequr nga Franco Di Maria, docent i psikologjisë në Palermo, i cili njihet më shumë për librat e tij mbi mafien. Duke vëzhguar imazhet publicitare, ai ka konstatuar se karikatura e mashkullit italian si dhe modelet e vlefshme në vitet ’70, tanimë janë zëvendësuar nga “idealizimi” i asaj që nuk përbën tipologji, ku burrat “pushtojnë territore”, të cilat më parë ishin “trashëgimi geto” të figurës femërore., Ja dhe gjashtë tipologjitë e spotit publicitar: Seks i egër. Modelet e publicitetit nxjerrin në pah vithet, transparencën, veshjet intime, me të cilat më parë bënin ekzibicion vetëm femrat sex symbol. Lolito (mashkulli i tipit Lolita). Në revistat e TV tashmë janë përhapur në masë imazhet e adoleshentëve supertërheqës, mesazhi i të cilëve është se, një shoqëri me komplekse dhe e dobët në përmbajtje nuk di të falë. Homo ironicus. Është ndoshta figura më novatore, ndonëse, duket se femrat qeshin me nevojën e tij për afirmim, me vanitetin e tij dhe me natyrën e tij prej fëmije.

Burra të vetmuar. Janë burrat, të cilëve u adresohen reklamat e TV, duke u bazuar tek kriza e çiftit, me qëllimin e vetëm për të shitur artikuj për meshkujt single. Mashkulli punëtor. Është modeli mashkullor më i lidhur me modelet e të kaluarës, i riprodhuar në reklamat e traditës. Statusi shoqëror i të cilit duhet, gjithashtu, të bëhet një cilësi e jetës. Pra, përsa i përket punës duhet punuar por pak, të paktën, mesa shohim nga reklamat. Mashkulli “burrë”. Është i bukur, joshës, por narciz e adeguat me produktin që reklamon.

Këto gjashtë kategori, sipas autorëve nuk janë modele të steriotipit shoqëror. Ato nuk përcaktojnë tipat idealë, por “idealizimin e (jo) tipave”. Ky reifikacion i burrit tregon edhe një herë akoma zhvleftësimin e modeleve mashkullore.

Meshkuj të rinj në horizont Për të përkufizuar disa shpresa dhe ideale të reja, duhet të vazhdojmë të kultivojmë virtytet e shekullit iluminist, me bindjen se ende është e mundur të krijohet një tip i ri mashkulli. Sot, ekzistojnë dy lloje nevojash: dëshira për risi, që na rezervon e ardhmja dhe nevoja e dëshpëruar për ideale të përbashkëta. Nga bashkimi i këtyre dy përvojave, ndoshta do të lindte një tip i ri mashkulli aktual, pakëz si femër. Kriza e mashkullit modern, tanimë, është një dukuri evidente, por unë nuk do kufizohesha vetëm në aspektet negative. Nëse është e vërtetë që meshkujt janë në krizë, është po aq e vërtetë se kjo ndodh për shkak të konceptit mbi virilitetin, i cili është bërë shumë steriotip e i përcaktuar nga pikëpamja kulturore. Për këtë arsye unë do përdorja termin “krizë”, në kuptimin e vet etimologjik, si një moment shtyse drejt një ndryshimi efektiv e substancial. Po jetojmë në kohën e një tranzicioni social kulturor, dhe si i tillë, kompleks e i vështirë për t’u përballuar. Në ndryshim nga gratë, që në 50 vjetët e fundit kanë qenë subjekt i ndryshimeve të papritura të rolit të tyre, meshkujt hasin vështirësi të mëdha për t’u rinovuar, për arsye se roli i tyre gjithmonë është njohur nga shoqëria e nga kultura, pa patur nevojë për ndonjë marrëveshje. Burrat, në fakt, janë trembur e janë gjendur të papërgatitur ndaj ndryshimeve, pra ata vazhdojnë të ëndërrojnë një bashkëshorte “shtëpiake” e një të dashur “gejshe”. Ndarja e seksit nga dashuria i bën ata të mos hyjnë në diskutime dhe të mohojnë vet krizën. Ndërsa, disa të tjerë, parapëlqejnë femrat që kanë nevojë për ndihmë, për të mundur kështu të vazhdojnë të ushtrojnë pushtetin e tyre e kontrollin, të paktën mbi to. Ata janë thjesht të çorientuar përballë një ndryshimi socialkulturor,kaq të papritur, sa që tremben. Për mendimin tim, vetë femrat, duke u treguar të sigurta e të vendosura, i shtyjnë burrat të kenë frikë nga humbja e virtilitetit, por në të njëjtën kohë ato gjenden pranë shokësh “të papërshtatshëm”. Ato janë vazhdimisht të prirura t’i venë në diskutim sjelljet e tyre ose “fitoret” shoqërore, të arritura me shumë mund, por, gjithashtu, nuk do të donin të hiqnin dorë nga partneri i mundshëm. Pra, bëhet e qartë se, kriza e burrit modern sjell me vete, në mënyrë të pashmangshme, një krizë të vet gruas, ku dy “universet” ushqehen në mënyrë të ndërsjellë. Sot, më shumë se kurrë, lipset të sendërtohet mes burrave e grave, një hapsirë e përbashkët për t’u ndarë midis tyre, lipset të mësohet të komunikohet në mënyrë konstruktive, për të bërë të mundur që dashuria dhe marrëdhëniet në përgjithësi, të bëhen një lojë, ku nuk ka fitimtarë e të mundur, por vetëm fitimtarë. E dimë se, kapërcimi i vështirësive lehtësohet nga një sjellje sa më e hapur e fleksibël, duke e kqyrur problemin nga perspektiva të ndryshme. Besoj se, së pari duhet të jenë burrat të aftë të përfytyrojnë mënyra të tjera për të shprehur virilitetin e tyre e për ta jetuar periudhën aktuale të krizës si një moment të vërtetë të rritjes personale e shoqërore. Ashtu siç do të jenë edhe grate, të cilat kanë luftuar me bindje për të arritur disa ndryshime shoqërore, e jo për të ndjerë shijen e kundërvënies ndaj botës mashkullore, siç ndodhte me disa grupe të lëvizjes feministe, të cilat favorizonin rritjen personale me “tjetrin” por jo “kundër” tjetrit.
Marrë nga libri “Burrat që duam” i autorit Willi Pasini përkthyer në shqip nga 
LULJETA DINO 
Sigal