Nuk më ikën dot nata pa ty;
nuk di ku je, nga ikën, nga vjen.
Pres kohë të gjatë dhe shpirti me djeg,
pres me ditë, me muaj, me orë,
sa herë, ku je aman ku je ku je?
Kam kapur fundin e shpirtit me dhëmbë,
dhe po shqyej veten nga dhembjet tmerr!
Kam kapur zjarr e flakë me shpirt të mjerë.
po mbaroj, po pres, po fluturoj,
nuk di ku je, nga ikën, nga vjen.
Ka kohë që mbes kështu pezull në jetë,
nuk di stinë, rrugë, fusha, male, det!
Ka ikur gëzimi, drita e syve.
Agu nuk vjen, e gjatë kjo natë, një jetë e tërë – terr, terr,
nuk di ku je, nga ikën, nga vjen.
Do jepja dhe fijet e fundit të flokut
dhe brinjët dhe duart dhe sytë,
do jipja gjithçka kam e s’kam,
vetëm një herë me duar të të prek,
nuk di ku je, nga ikën , nga vjen.
SHPIRTI I NJËQIND E NJË PRANVERE
Po vyshken gjethet e vjetra,
po rënkojnë gjethet e reja,
pa e ditur pse po ikën kjo kohë,
po mbledh sot unë dhembjet e mia.
Qytetit tim ka një botë të huaj që s’e njoh,
sytë, gëzimet qeshin hidhur, më thonë këtë.
Rrugë e gjatë, gjersa arrita këtu të qaj tmerr e pa lotë,
mos më mbani mëri që hiri
është shpirti im i gjallë e nuk ua them dot!
Klithjet nuk i futa kurrë në bizhoz,
parashoh tmerre, bubullima në bronz.
Po më vyshken këpucëtakat!
Po vyshken rrugët e gjalla,
nga ika e kthej me njëqind bela
ëndrrash kaq të gjata!
Po vyshken gjethet e vjetra,
po rënkojnë gjethet e reja,
pa e ditur pse po ikën kjo kohë,
po mbledh sot unë dhembjet e mia,
drita, futur në natë, po lë lëkurën e gjarpërit në prag.
Një kob, një verbëri, një mallkim…
por me shpirt të njëqind e një pranvere të dua unë ty!




















