Suplementi Pena Shqiptare/ Izet S. Çulli: Ditari i një samarpunuesi

Ky është romani i ri i shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit Daut Gumeni. Ai na sjell këtu nëpërmjet një humori të hollë e grotesk, skena “pa gjak dhe mina”, siç shprehet ai për dukuritë e një kohe të shkuar. Një roman alegorik, i cili si subjekt ka reformimin negativ të arsimit e ndonjë tjetri, kur ky sistem ishte kthyer, si të thuash, në një punishte samarësh. Personazhet i hasim në një kooperativë të largët malore e drejtuar nga partiakë, kinse të gjithëditur të kohës. “Ditari…” (2024) i Gumenit mbyllet me një falltare, e cila parashikon trashëgiminë e pushtetit të balashëve duke e kaluar atë paskëtaj në duart e larashëve. Jetojmë në një botë të robotizuar dhe me inteligjencë artificiale e krijuar nga mendja njerëzore, që ia kalon kësaj të fundit nga çdo pikëpamje! Unë nuk do të vazhdoj shtjellimin e romanit të Daut Gumenit, për të mos humbur kërshërinë, por ai si në çdo vepër letrare i jep rëndësi të madhe gjuhës, fjalësit të pasur të shqipes, fjalëpërbërjeve, frazeologjive të marra nga goja e popullit dhe të shkruarit të figurshëm. Aty-këtu, autori na jep dialektalizma e nëndialektalizma, disa prej tyre kishin humbur ose harruar nga shekujt. Këto sipas tij janë “një pasuritë tona më të paçmuara, që e bën gjuhën tonë aq të pasur dhe ndoshta një nga faktorët themelorë që na ka ndihmuar të mbijetojmë në trojet tona të rrëgjuara nga kthetrat e fqinjëve aq të përkëdhelur nga të mëdhenjtë e kësaj bote të padrejtë.” (f.141) Sa të drejtë kanë pasur prof. E Çabej kur shkruan: “Gjuha është sendi më i çmueshëm dhe i vetmi thesar”; ”Shkrimtari para së gjithash është gjuhë!” (A.P.Çehov).; “Mallkue qoftë ai bir shqiptari që fmisë së vet këtë gjuhë s’ia mëson! (Atë Gjergj Fishta)”. “Duhet shkruar sa më thjeshtë që të jetë e mundur…” (S.Esenin). Gjuha është vetë Kombi! Po punë të madhe e të lavdërueshme në drejtim të pasurimit dhe pastrimit të gjuhës, veçan kanë kryer Rilindasit tanë të mëdhenj. Disa prej tyre, si edhe mësues e kritikë që e adhuronin gjuhën shqipe dhe e përhapnin në popull e shkolla, e kanë paguar me kokë nga shovenë të ndryshëm rreth e përqark nesh. Ne ndoshta jemi të vetmit që kemi dëshmorë dhe heronj të gjuhës si komb… Mua më erdhi mirë kur konstatova se në romanin e Daut Gumenit (ndonëse zotëron disa gjuhë të huaja), nuk hasa asnjë fjalë të huazuar dhe kjo është për ta përgëzuar atë. Kemi parë sot që gjuhë të ndryshme kanë vërshuar vend e pa vend në çdo cep të atdheut, në bisedë, emisione televizive, libra e kështu me radhë… Po D.Gumeni ka bërë të kundërtën. Ai, pra, ka hedhur në tregun letrar (sikurse edhe në atë mediatik televiziv), fjalë të rralla e figuracione të freskëta, të cilat i kupton si studenti i universitetit, edhe ai fshatari i largët jug-veri. Sa për ilustrim po u sjell disa shembuj si: ujëpakët, mosmundash, shejtanulla, kokëndezur, përhundësh, hokakripur, i uthulluar, mendjefikur, mendjembyllur, legjendoj, rugjo, xungurris, mendimhumbur, vetullapërmbysur, cingëromë, zemërdhënës, frelëshuar… Dhe ja edhe disa të folme në trajtë fjalurtish apo me ngjyra stilistike siç janë: me mendje në majë të degës, hap shtegun për humor, një fat me brirë, flokëpërpjetë si gjëmba iriqi, iu vërfërua kujtesa, me ballin gjithë re etj. etj.Është e njohur sot edhe në botë se gjuha jonë hyjnore është tejet e veçantë, e pangjashme me gjuhë të tjera të Evropës dhe të botës. Kjo, si e tillë, është përcaktuar nga filologët dhe hulumtuesit e shumtë të huaj dhe vendas.Ne presim vepra të tjera të këtilla me bukë dhe me vlerë për kohën dhe shoqërinë nga shkrimtari i mirënjohur shumërrafshës, Daut Gumeni.

Sigal