Valixhja e vjetër
Të shikoj valixhe e vjetër;
dru me vrima, krimba shpuar.
Je kujtim nga një kohë tjetër,
kur im atë qe i dënuar.
Ç’të kujtoj më parë , moj mike!?
Gjithmonë gati në korridor.
Herë më erdhe, herë më ike,
jeta jonë një fat mizor.
Burg i mbyllur tek qelia,
ndaj për mua ke kaq vlerë.
Brenda më kish mbetë rinia;
Bëj t’a nxjerrë e dot s’e nxjerrë.
Brenda teje flinin ëndrra,
ngatërruar bukë e gjellë.
As u ndala, as u trëmba
burg më burg i kam përcjellë.
Nuk të flas valixhe e rrjepur.
Nuk ke veshë e nuk ke gojë.
Si relikte më ke mbetur,
dua vite të t’zbuloj.
Hap e mbyll, gjithnjë pas fatit,
rroba burgu, mall dhe lot.
Të mungon kostumi i Gabit.
Shkoi me atin tim n’atë botë.
Heshtja
Mbyllur katër muresh
vetëm je gjithmonë.
Nëse të trokasin
s’di në i dëgjon!
Nëse të trokasin,
mos shko menjëherë.
Pyete dashurinë:
– Ta hap atë derë?
Dhe mbetu me heshtjen,
të sheh nga çdo qoshe,
E thotë duke qeshur
mijra fjalë boshe…
Po pse rri i heshtur:
– Dil nga katër muret!
– Thuaje të vërtetën
ajo s’mund të tkurret.
Grisi tisin heshtjes
e shih nga çdo anë .
Thuaja duke qeshur,
pa qën’ fjalaman.
Eh, moj ti, e mjerë!
Unë s’ të bindem ty.
Jam këngë në pranverë,
jam një, s’ bëhem dy.




















