Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Vajza në dritare

Teksa punonte udhëheqës artistik në qendrën kulturore të fëmijëve, Adi po u afrohej të dyzetave, pa e ndjerë aspak ngjitjen në vite dhe pa ndryshime të dukshme në pamjen prej burri simpatik. Nuk ishin as mustaqet e holla, as flokët biond të përdredhur sipër ballit, as shtati elegant i një mashkulli të pjekur, që e kishin vënë në qendër të vëmendjes se femrave. Por ishin gishtërinjtë e shkathët dhe fizarmonika me tingujt magjik, së cilës i binte si instrumentist virtuoz. Përveç punës rutinë për përgatitjen e grupeve artistike te fëmijëve, ai shërbente mbrëmjeve si fizarmonicist në orkestrinën e klubit ndanë shëtitores kryesore të qytetit. Turmat e njerëzve që bënin shëtitjen e mbrëmësore, ndaleshin ndanë kangjellave rrethuese të klubit për të dëgjuar meloditë tërheqëse, ose zinin vend në tryezat verore për të pirë dhe ndonjë birrë. Por sidomos vajzave u pëlqente të ndiqnin ritmet e orkestrinës, në ballë të së cilës qëndronte gjithmonë Adi, me fizarmonikën rrëzëllitëse në gjoks, duke derdhur pareshtur nga gishtat flladin melodioz, që ngrinte përpjetë zemrat e tyre rinore.  Nga ëmbëlsia e fizarmonikës së tij gazmore, s’kishte si të mos tërhiqej Elda njëzetvjeçare, e ardhur nga Tirana tek e motra banakiere në atë klub të qytetit provincial. Ajo kishte mbaruar gjimnazin në kryeqytet dhe megjithëse shquhej për zgjuarsi natyrore, nuk arriti mesataren për shkollimin e lartë. Ndaj kishte ardhur t’i ndihte motrës së martuar me një oficer, duke i mbajtur ca kohë dy fëmijët në moshë të njomë. Elda shpesh merrte fëmijët e veshur bukur dhe zinte vend te një nga tryezat përballë podiumit, ku dëgjohej më mirë orkestra. Ajo i shoqëronte me lëvizjen e lehte të buzëve dhe luhatjen e belit, pothuajse të gjitha meloditë që ndërroheshin njëra pas tjetrës. Por sidomos, kur Adi i binte këngës së saj të preferuar nga filmi brazilian “Në moshën e dashurisë” Elda gati sa nuk fluturonte. Asaj i qeshte fytyra dhe krejt trupi vajzëror me llërë të rrumbullta në të dy anët e gjoksit të kërcyer. Qysh në ditët e para të ardhjes së saj, Elda kishte marrë zvarrë vështrimet e shumë djemve çapkënë, por çunave provincialë, ajo nuk ua varte fare. Edhe Adit i kishte rënë në sy kjo vajzë e ardhur kohët e fundit, si nga pamja moderne e paraqitjes së saj, ashtu edhe nga gjallëria karakteristike e një femre tiranase, që nuk druhet te flasë e veprojë lirshëm në të gjitha mjediset. Mirëpo ai qëndronte tepër korrekt me të gjitha vajzat e qytetit, pasiononte pas muzikës. Kishte një vendosmëri të ngulitur në karakter, për t’i qëndruar besnik deri në fund gruas së re në moshë, të cilën e pati zgjedhur me dashuri dhe kish bërë me të dy fëmijë. Në këto rrethana, Adi i shmangej çdo vështrimi provokues e përpirës që i drejtonte ndonjë femër, kushdo të ishte ajo. Por ama, ai nuk dinte mirë, se magnetet e botës femërore, ishin me fushë tërheqëse të fuqive dhe intensiteteve krejt të ndryshme. Sepse kishte edhe nga ato femra, të cilave po t’u krijohej në tru një polarizim tepër i fortë magnetik, arrinin një fuqi tërheqëse aq të llahtarshme, sa mund të shkulnin si uragan nga rrënjët e ta çonin përpjetë në hava, cilindo mashkull rezistues, sado i përbetuar të ishte ai. Kjo vajzë, e nxitur nga simpatia e madhe për fizarmonicistin e zemrës së saj të polarizuar keqas, pasi e kishte vendosur në qendrën e fushës së saj magnetike, nisi fillimisht ta mbërthente me vështrime gozhduese të pandërprera. Aq sa Adi nuk guxonte të hidhte shikimin drejt tryezave të lokalit, pa ndeshur në sytë e saj ngulmues. Më pas, duke e pasur shtëpinë e së motrës ndanë rrugicës, ku ai kalonte për në shtëpi, ajo e priste deri vonë sa mbyllej klubi dhe dilte te dritarja e prapme e banjës për t’i thënë nga lart: – Natën e mirë Adi dhe gjumë të ëmbël! Atij i bënte përshtypje se si kjo vajzë e re në moshë, rezistonte çdo natë pa gjumë deri në mesnatë nganjëherë, kur ai kishte mbrëmje vallëzimi. Madje edhe habitej, se si ajo s’kishte marrë vesh që ai ishte me grua të re dhe me dy fëmijë, në këtë qytet të vogël, ku njerëzit dinin edhe ç’kishte secili në zorrët e barkut. Po mirë thonë, se dashuria e rrëmbyer nuk pyet për asgjë tjetër, kur e godasin tam-tamet ritmike të zemrës. Ky urim i saj i përnatshëm, e bëri Adin një natë t’i përgjigjet së fundi: – Të ëmbël e bëfsh gjumin edhe ti moj vajzë !… Elda fluturoi nga gëzimi e gati sa nuk u hodh nga dritarja në rrugë. Pas kësaj, natën tjetër vonë, ajo i doli fshehtas në pritë pas pallatit, ndërkohë që e motra me fëmijët kishin rënë të flinin.  -Të lutem, Adi, ndalo pesë minuta, – iu lut ajo befas, duke dalë nga hija hënore e pallatit.

-Urdhëro, moj vajzë, si e ke hallin? – e pyeti ai krejt ftohtë. -Hallin tim mos e paste njeri!- ia ktheu ajo, duke i zgjatur dorën vogëlane dhe duke ia shtrënguar dridhshëm, sa atij i bëri përshtypje ky temperament aq i zjarrtë. -Pse, ç’fare ke ti?- bëri sikur nuk kuptonte Adi. -Nëse do vdes një ditë, dije se mospërfillja jote, më ka marrë në qafë për dy fjalë të mira!… – Ç’farë do ti, të të them unë, që të shpëtosh nga ky paragjykim?  -Të më thuash se më do, sa një fije nga ata flokët e verdhë te balli… -Po si të ta them këtë, kur kam gruan dhe dy fëmijët e mi, që i dua shumë?…  – T’i duash me gjithë zemrën dhe shpirtin tënd, kurse mua vetëm me një fije floku!

Sigal

Adi qeshi me një tingëllimë gazi të lehtë. Sakaq ajo mori zemër dhe iu hodh në qafë, e puthi fort në buzë me një afsh dridhmëtar të nxehtë e të guximshëm të atillë, që ai nuk e kishte provuar as në çastet e para të dashurisë së tij me gruan shumë të druajtur në atë kohë. -Ja, – i tha Adi, duke u shkëputur lehtësisht, – e more më në fund atë që të duhej për të mbetur gjallë… -Faleminderit, se më lehtësove shumë e më qetësove shpirtin, për të mos menduar përsëri se ti nuk më përfill…Sonte do fle e qetë siç nuk kam fjetur asnjëherë në jetën time. Do fle edhe për ato net që të kam pritur deri vonë… Ajo iu hodh në qafë edhe një herë me një puthje tjetër të zjarrtë dhe pastaj i tha e kënaqur: – Tani shko se të flihet dhe të pret gruaja me fëmijët! Adi tundi kryet me habi dhe duke i thënë vetëm “Natën e mirë!”vijoi rrugën. Por ndjeu se përbrenda zemrës së tij të akulluar për femrat e tjera, diçka ishte zbutur. Rrezatimet e përsëritura shpesh të zemrës së kësaj vajze, ashtu si rrezet lazer kishin filluar të bënin shkriftimin e ngrirjes së tij prej vitesh, për të mos i qëndruar gruas aq besnik sa kishte menduar. Të nesërmen afër mesnatës, Elda doli sërish nga hija pas pallatit dhe iu lut të shmangeshin paksa nga rruga ku mund të binin në sy. Pastaj e tërhoqi me dorën e saj të vogël, për te hija e pallatit tjetër dhe në fragmente sekondash, iu hodh sërish në qafë. Ai nuk arriti të kundërshtojë, sepse ajo e mbyti me të puthura, duke ia ngacmuar tmerrësisht ndjesitë mashkullore. Ndryshe nga herët e tjera, Adi ia ktheu puthjet me afsh burrëror të përvëluar dhe ndjeu një eksitim të paparë ndonjëherë nga ai gjoksi i saj i kërcyer, që luhatej ngjitur me gjoksin e tij, si të ishte një gajde magjike. Atëherë, duke kërkuar vend për të shfryrë atë duf të papërmbajtur, pasi kishte vënë re derën hapur, te stolat e kinemasë verore aty afër, e tërhoqi vajzën deri aty. Më tej kuptohet fundi i këtij cikli përvëlues që kërkonte patjetër aktin sublim të shuarjes së përbashkët. Kur Adi shkoi në shtëpi dhe u shtri në shtratin dopjo aq lehtë, sa për të mos e zgjuar të shoqen, ajo priste e zgjuar dhe u kthye drejt tij, me një vështrim psherëtitës, sikur një shenjtor i fshehtë t’i kishte treguar ku kishte qenë ai deri në ato çaste. Apo nga era që binte trupi i tij, ajo kishte nuhatur afrimin e një femre tjetër në pronat e saj të ligjshme. Adi u vra keqas në ndërgjegjen e rënduar nga tradhtia dhe nga detyrimi që s’kishte qenë i gatshëm për të, prej disa netësh. Atëherë u vu në funksion të mundimshëm t’i plotësojë edhe asaj detyrimin e vet mashkullor. Por me fuqi të drobitur dhe me temperaturë nën gradacionin e zakonshëm, të njohura mirë nga gruaja gjatë martesës prej vjetësh.  Por si çdo mashkull që këto gjëra i përcjell shpejt drejt harrimit edhe Adi nuk i kushtoi rëndësi ftohjes me gruan e shtëpisë. Në mesnatën tjetër, Adi e zhveshi zogëzën e tij ëmbëloshe prej puplave, nga mesi e lartë, dhe pasi soditi pak çaste trupin e saj si skulpturë e gjallë, mendoi: Femra është një frut i madh me lëvozhgë të butë. Duhet ta zhveshësh për të parë e ndjerë shijen e vërtetë të thelpinjve të saj të bardhë. Dhe gati si i marrosur nga epshi për të, tha me vete, oh, ç’paska bërë zoti ! Tani po bindem, se unë u nxitova me zgjedhjen e frutit tim. Nëse do të pranonte kjo krijesë mahnitëse, ai mund ta marr atë frut të mrekullueshëm, të jetonte në një qytet tjetër, të punonte në një orkestër tjetër. -Shijen tënde nuk besoj ta ketë femër tjetër në botë! – i tha ai pas pak.  – Vërtetë? – ia bëri ajo kënaqësisht dhe me zgjuarsinë e saj natyrale, mendoi në mënyrë krejt telepatike: Eh, more bukuroshi im, ne femrat jemi e njëjta gjellë dhe nga e njëjta tenxhere, ndryshon vetëm mënyra se si u serviremi juve meshkujve, dukemi ndryshe, vetëm sepse duke na ndërruar, u rritet oreksi.

Pas disa takimeve me këtë intensitet epshndjellës mes tyre, Adi e bëri zakon ta thërriste në mesnatë kur i afrohej pallatit të saj nga larg, duke fërshëllyer melodinë nga filmi ”Në moshën e dashurisë” që i asaj pëlqente shumë. Stolat e rrethuar nga të katër me mure, ishin bërë foleja e tyre për të gjitha netët parajsore. Kurse gruaja e tij priste vetëm brymën e ftohtë të netëve të vona, në shtrat. Por pikërisht kur Adi ndodhej në një gjendje krejt i magjepsur prej saj dhe po mendonte të merrte vendime të rëndësishme për jetën e tij, ndodhi edhe çudia. Elda, si të gjitha femrat e zgjuara, që kanë në trurin e tyre një barometër organik tepër të ndjeshëm, me të cilin kapin edhe luhatjet më të imta në atmosferën psikologjike të meshkujve, krejt papritur i tha në takimin e fundit:  – Të dua shumë Adi, prandaj po të them, për të mirën tënde, se unë nuk kam shpirt katil si ca femra të tjera, t’i marr burrin gruas tjetër dhe t’u mohoj babanë fëmijëve. Mora ç’farë desha shumë nga ti dhe po ashtu të dhashë ty ç’të pëlqeu tek unë. Deri këtu për mua ishte një pasion. Më tej mund të bëhet krim. E shoh të pamundur të vazhdoj, pa hyrë në gjynah me familjen tënde. Prandaj nesër do të iki në Tiranë, të të harroj dhe të lutem të më harrosh edhe ti mua!… Ajo e puthi vrullshëm për herë të fundit dhe vrapoi për në shtëpinë e përgjumur të së motrës. Adi mbeti si i ngrirë nën hijen e pallatit, ndërkohë që hëna po perëndonte sërish prapa malit.