Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: Vullnet Skëndaj rrëfen “Brengat e një mësuesi”

393
Sigal

Nga Bashkim Koçi

Viktor Hygoit, shkrimtar i madh i shekullit të XIX-të, i vinin shumë vizitorë. Një ditë i thanë se po vinin një grup zejtarësh.  “Ju ini farkëtarë, u tha, u lumtë, bëni edhe vegla për bujqësinë”. Më pas erdhën disa rrobaqepës. “Ju rrobaqepësit bëni punë të mirë. Bëni, prisni e qepni kostume. U shërbeni njerëzve dhe përfitoni ca para”.  -Zotëri, po vjen një grup mësuesish- tha njeriu që komunikonte me shkrimtari e madh. Hygoi u ngrit në këmbë. “Ju bëni njerëz, u tha, mësoni e përgatitni njeriun për jetën. U lumtë!” I solla këtë fakt, disi të veçantë, për vlerësimin që kishte shkrimtari i madh Viktor Hygo për profesionin hyjnor të mësuesit, sepse kam në dorë librin të titulluar “Brengat e një mësuesi” të shkruar nga një njeri i vjetër dhe me kontribute në fushën e mësimdhënies, Vullnet Skëndaj, i cili, nga faqja e parë dhe deri tek e fundit e librit, ndjehet  shqetësuar, shumë i trishtuar për çka po ngjet në Shqipëri me shkollimin e brezave të tërë në këto tri dekada tranzicion. Ai, si një profesionist i mirë dhe me përvojë shumëvjeçare, ka marë përsipër t’i bëjë autopsinë gjëndjes së krijuar në arsim, duke nxjerrë në dritë të diellit të gjitha “të palarat”, duke e çfaqur hidhërimin që ai ka e ndjen për situatën në vend, në atë të sistemit tonë arsimor, me qortime të forta e me nerva që “s’mbajnë më” të një mësuesi të revoltuar. Në këtë libër Vullnet Skëndaj nuk është hedhur “degë më degë”, por i ka marë gjërat me radhë, nga A-ja tek ZH-ja, ashtu si të japë një leksion të plotë qortues për të gjitha qeveritë, për çdo hallkë të zinxhirit në piramidën e arsimit, të cilat kanë dhe duhet të japin llogari për gjëmën që i kanë bërë të sotmes dhe të ardhmes së vendit. Për çka ai sjell në libër, fakte e rrëfenja tronditëse, lexuesi ndjehet i lënduar, i brengosur, dhe gati-gati i pashpresë nëse një ditë ai, arsimimi i shqiptarëve, do të futet në binarët që meriton të ketë.  Thuhet se ai që guxon të japi mësim kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari. Te libri “Brenga e një mësuesi” autori Vullnet Skëndaj e përjeton si vuajtje shpirtërorë, madje e ndjen shumë këtë dhimbje, si një gozhdë që i shpon zemrën, për nivelin skandaloz të pjesës dërrmuese të mësimdhënësve, të cilët, për nga niveli kulturor e profesional, duken sikur kanë për zanat  djegien librave. Faqe pas faqejeje  lexuesit, për informacionin që mer, i duhet të ulërasë, i duhet të ngrejë zërin në kupë të qiellit e të thotë: ç’po i bëjmë vetes kështu, ku po e çojmë të ardhmen e fëmijëve tanë, ku po e çojmë të ardhmen e vendit? Dhe kjo ndjesi të krijohet sepse edhe në këtë sektor kaq të rëndësishëm, themeli i themeleve të zhvillimit e përparimit të një kombi, politika jonë e mbrapshtë e ka bërë punën e vet shkatërruese, na ka bërë gjëmën. Autori në libër flet me fakte, si profesinonist, por edhe si një intelektual që ka ditur si ta sjellë situatën që është krijuar në sistemin arsimor, ashtu si edhe është në të vërtetë, tronditëse. Pra aty, duke e lexuar librin me përgjegjësinë që mund dhe duhet të ketë një qytetar i ndershëm, një patriot i vërtetë, edhe njeriu më indiferent, më “pa gjak”,  i bëhet t’i thërrasë mendjes, të japë alarmin për atë sëmundje të pashërueshme që e ka zënë shoqërinë shqiptare në fushën e shkollimit dhe të arsimimit të brezit të ri. Nëse mësuesi duhet të jetë profet dhe portier i mbretërisë të së vërtetës hyjnore, te libri “Brengat e një mësuesi” të Vullnet Skëndajt përballemi me realitet krejt tjetër, që nuk mund të të çfaqet as në fantazinë keqëdashëse për një çështje të caktuar të jetës njerëzore. Aty mësuesi të çfaqet analfabet, me norma të frikëshme të komunikimit, si një person i rëndomtë i cili e përdor detyrën si mësimdhënës për t’u pasuruar nëpërmjet shitjes së notës, të diplomës, e më tej të fallsifikimeve që nuk ka kandar t’i peshojë. Për këtë realitet kaq tronditës autori i librit nuk mbetet thjesht një konstatues, apo të mbetet si një “fotografues” inatçor i këtij realiteti rrumpallë. Jo. Mësuesi Vullnet Skëndaj ngre probleme, por jep edhe zgjidhje. Ai nëpërmjet fakteve dhe pasqyrimit të realitetit në shkollat ku ka shërbyer, apo dhe të analizave që ka bërë, duke sjëllë të dhëna të mara me pergjegjësi si një profesonist skrupuloz, ka marë përsipër të këshillojë, të qortojë e “t’u heq veshin” hallkave përgjegjëse nisur nga pozitat e intelektualit që i do të mirën kësaj shoqërie e këtij vendi. Është ndjesi e qytetarit të ndershëm dhe të përgjegjshëm që ky mësues, në librin që sjell për lexuesin, të marë në analizë, të gërmojë e të gjejë defektet në pjesë të sistemit, të cilat kanë ndikuar për të shpartalluar të tërën, shkollimin e rinisë shqiptare. Dhe këtë “pjesë”, sipas autorit, janë hallkat e botimeve të librave shkollorë, probleme që lidhen me gjuhën dhe deri tek funksonimi i sindikatave të arsimit.  Thuhet se koha ideale për të filluar formimin e karakterit të një fëmije është njëqind vjet para lindjes së tij. Ky konstatim kaq i vyer nga njerëzimi është dhe do të mbetet i tillë ndoshta për të gjitha kohërat. E, nëse do të mbetet i tillë, libri “Brenga e një mësuesi”, me autor Vullnet Skëndaj, bën një apel mbarëshoqëror për të ndërhyrë me urgjencë, sa më parë të jetë e mundur, në reformimin e arsimit shqiptar, në korigjimin e shënjestrës, në përpjekje për të mos u lënë brezave barrën e injorancës që mbarështuam në këta 30 vjet. Ndërkohë brenga e mësuesit Vullnet Skëndaj, e cila është po kaq vrasëse e helmuese për të gjithë atë plejadë mësimdhënësish, le të shërbejë si një kambanë, si një thirrje për të alarmuar qeverinë aktuale dhe ato të rradhës për të ndryshuar kursin e drejtimit të arsimimit të shqiptarëve, i cili, sot për sot, ka marë drejtim shumë të gabuar, atë që të çon pa as më të voglën mëdyshje, në humnerën e vdekjes.