Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Dashuritë e poetit Theodhori Proko

393
Sigal

 

Timurlengu i hekurt, i ashtuquajtur Pantera e Çalë, Sahib Kirani, Pushtonjësi i Lumtur, Tamerlani si e quanin të krishterët, njeriun që dontë t’i vinte kazmën gjithë botës u mposht nga një grua. Ky njeri i tmershëm dhe pushtues i madh, i egërsuar nga vdekja e të birit  donte të hakmerrej kundër Vdekjes, duke shkatërruar nga themeli qytete e fshatra. Donte që njerëzit të vdisnin nga shpata e duarve dhe ushtarëve të tij, dhe Vdekja mos të kish me se të ushqehej e të vdiste nga urija dhe pikëllimi. Në një çast, duke festuar fitoren mbi sulltan Bajazitin ( 1396) të ashtuquajur Rrufeja, në kulmin e festës ai dëgjon ulërimën e pazakontë të një gruaje dhe kërkon t’ia sjellin para. Gruaja e shpërfytyruar nga lodhja, dhimbja e vuajtjet iu drejtua me fjalët: “Ti i shërben vdekjes por unë i shërbej jetës. Unë jam nënë dhe ti do më bindesh mua! Ti je fajtor para meje dhe unë të urdhëroj të më gjesh djalin që më kapën rob ushtarët e tu!” Qindra  oborrtarë, mbretër e të ftuar u strukën nga frika, duke menduar se koka e asaj gruaje të çmendur do të fluturonte në çast. Por mbreti i mbretëve, Timurlengu i famshëm, një nga gjaksorët më të mëdhenjë që njeh histora njerëzore, ra në gjunjë para gruas, duke habitur të pranishmit dhe urdhëroi të niseshin kalorësit në të gjitha anët e të plotësohej urdhëri i nënës.. Në këtë kohë që jetojmë, ku zhvillimi i teknologjisë po e zvogëlon botën dhe po than shpirtin e njeriut, ku çdo gjë shitet e blihet me para, (fatkeqësi e madhe kjo) kur muzika kthehet në biznes, poezitë në instrumenta, që prodhojnë para, vargjet për mirësinë e nënës e shpirtin e saj të pavdekshëm, gjenden përherë e më rrallë. Është si të gjesh diamantë në një minierë të braktisur ku çdo gjë është gërmuar, është situr e stërsitur e aty ka mbetur vetëm dhe’. Më erdhën vetvetiu ndër mend të gjitha këto kur lexova poezitë e mrekulleshme të poetit vlonjat Theodhori Proko kushtuar nënës. Në vëllimin e ri të këtij poetit të talentuar “Muza ka emrin tend,” me një gjuhë tepër të zgjedhur e po aq të kursyer, mbushur me ngjyrimet e të gjitha stinëve, me figura letratre të gjetura, që herë  ushëtijnë si dallgët e detit të trazuar e herë vijnë ëmbël si cicërimat e pulëbardhave, gjen poezi  për Atdheun që shitet e blihet nga bijtë e vet, për detin dhe Skelën, vendinlindjen e poetit, për mikun e humbur në ditë të vështira, për rënien e vlerave njerëzore, për një dashuri të pamundur, e një të re që lind pas saj, për babanë që iku me kokën pas në merak për bijtë e vet, që i la të varfër, e plot të tjera.

Në to spikat një dashuri e madhe për njeriun, për jetën e natyrën, megjithëse jo rrallë dallohen nota pesimizmi për një të kaluar apo të ardhme të dyshimtë. Ndoshta kjo ka të bëje me dhimbjen që ndjen poeti për një botë më të mire, që ai ëndërron dhe gjendjen e vërtetë të shoqërisë ku jetojmë. Do të veçoja nga gjithë ky libër ato poezi që janë një himn për nënën e ndoshta janë nga më të arrirat në këtë vëllim dhe poezinë për  amanetin e përjetshëm të poetit. “Shpjegimi i nënës”  është nga poezitë më të bukura të vëllimit. Qysh fëmijë, çamarrokut të Skelës, tashmë poet, me flokët ku dëbora me kohë ka gjetur strehën e saj, do t’i lindnin pyetje, që çdo nënë e vënë në vështirësi.  Kur isha i vogël të ndjerën nënë / Një ditë e vura në siklet/Se ç’mu shkrep në kokë ta pyesja/Si më solli mua në jetë. Si gjithë nënat shqiptare, e mbytur nga punët e hallet e shumta, ajo i thotë se është bërë si papagall, flet  pa mend, të durojë dhe ca, të rritet e ta mësojë. Kureshtja e vogëlushit nuk mbaron dhe posi një qengj pas mëmës se vet, i qepet dhe medoemos kërkon përgjigje. Këtë herë me fjalë nëne ajo shprehet: “Mirë atëhere po ta them /Më foli nëna gjithë urtësi/Të solli zoti dhuratë për ne/ Ndaj të quajtëm Theo –Dhori( Dhuratë e zotit.Shen.im))” Këtë herë djalin nuk e kishte sjellë lejleku, por Zoti vetë, andaj i kishin vënë një emër të veçantë. Malli më ka marrë e nuk di nga t’ia nis/Më iku behari pa ardhur te ti/Ndoshta me të drejtë veten e ke pyetur/Ç’u bë laneti më harroi dhe ky? Kështu nis poezia “Bisedë e heshtur me nënën.” Nisin pastaj shfajësimet e zakonshme se vajza u bë nënë, djali i vogël ka marrë shtëpi të re, nipi po rritet dhe e kërkon, dhe plot e plot punë të tjera. Mirë jam, thotë më tej poeti dhe zemrën plot e kam, se kur shoh nipa e mbesat shoh shëmbëlltyrën tënde në sytë e tyre. Por nuk mjafton. Tashmë nëna nuk jeton më. Trupi, i saj prehet me të shumtët në amshimin e përjetshëm dhe varrin mbuluar me mermer të kushtueshëm, dyngjyrësh, ia kanë bërë pasardhësit. Po varri nuk e nxe nënëgjorën dhe Meraku merr rrugët drejt e te të gjallët. Si janë të shtrenjtit e saj që ka lënë atje lart mbi tokë? Ç’hall të madh paskan, që janë vonuar këtë herë? Poeti shpërthen në vargje që pikojnë dhimbje dhe pendesë: “Mallin më nxjerrin ( nipat e mbesat, shën. im) kur punët s’më lenë/Të vij më shpesh ku prehesh ti/Po ta dish nënoke sa të kem frymë/Shpirtin tënd e kam në gji. E si mund të jesh poet por edhe njeri e të harrosh varrin e nënës? Kujtimi dhe respekti ndaj saj të bëjnë më të mirë, më të bukur, e të mbushin shpirtin plot dashuri  për njerëzit e për jetën.

Poezia “Mall”. S’do të pushoja as ditë as natë/Sikur të kisha vërtet mundësi/Të ngrija një shkallë të lartë/Gjer në parajsë me lotët e mi./Pastaj të ngjitesha pas tyre/Me një frymë deri aty/Qoftë dhe vetëm për një cast/Që të çmallesha dhe njëherë me ty. Ndodh që burri qan por lotët e poetit janë ndryshe. Shpirti i tij ndaj një humbjeje të madhe vuan pambarimisht dhe do të dëshironte të bënte të pamundurën: lotët do t’i transfomonte në shkallë, që të shkojë deri në qiell  për ta takuar nënën. Nuk më duket as e zmadhuar, as e hiperbolizuar dëshira. Poeti gjen rrugën e vet nëpërmjet vargjeve për të arritur deri në qiell…  Çështë ky peng i madh, çfarë nuk ka bërë mirë, ku ka gabuar, përse do t’i kërkojë falje apo thjesht është mall që djeg e përvëlon? Ndoshta. Por mall sa të bësh shkallë me lotë deri në qiell vetëm fantasia e një poeti të lajthitur ose thënë më butë, me zemër  të madhe sa deti pranë të cilit ka lindur, mund ta shprehë.

Poezia “Kaq munda” është një nga amanetet e poetit. Dihet që poetët (ata të vërtetët ) janë të ndjeshëm e vuajnë më shumë se të tjerët. Në jetën time por dhe gjatë leximeve të poetëve të famshëm nga Sadiu, Omar Khajami, Esenini e deri te poetët e shquar shqiptarë si Xhevahir Spahiu, Luljeta Lleshanaku, e Bardhyl Londo, nuk kam hasur ndonjë të jetë i pasur apo të bëjë dhe punën e biznesmenit. Në një poezi të shkëlyer të poetit gjerman Fridrih Shiler, me titull “Ndarja e tokës” thuhet se Zeusi u dha tokën njerëzve dhe i porositi ta ndajnë vëllazërisht. Mirpo toka u rrëmbye nga çifigarët, tregëtarët, njerëzit e hurit e të litarit, duke përfshirë dhe klerikët. Shileri shkruan: Dhe kur gjithçka prej kohësh ishte ndarë/Nga rruga e largme erdhi një poet/Por ah! Kurrgjë s’kish mbetur për të marrë/Gjithçka kishte gjetur zotin e vet. Poeti i dëshpëruar i drejtohet Zeusit për këtë padrejtësi të madhe dhe kërkon që ai ta trajtojë dhe atë si birin e vet. Kryeperëndia përgjigjet: Gjer dje mes ëndrrash bridhje më të kotë/-Përse,- tha Zeusi- grindesh sot aty?/Ku ishte ti kur ndaja krejt një botë/? Unë isha ,-tha poeti- tok me ty. Dhe shpjegon, që këndonte për të, i thurrte hymne, bëmave e veprave të tij, te drita që ai lëshonte si shpresë mbi njerëzimin e të tjera si këto. Dhe Shileri ( 1759-1805) përfundon: Ç’t’i bësh –tha Zeusi- Bota është ndarë / As fushë, as mal as treg më s’mund të gjesh/ Në do të rrosh në qiell si më parë,/Sa herë të vish, të hapur do më kesh. Poetët, që kur ka filluar “zeja” e poezisë nuk kanë qenë të pasur. Poeti ynë i dashur, Dhori Proko, 160 vjet më vonë nga Shileri, paralajmëron (ose lajmëron pasardhësit e vet) plot sinqeritet, se në jetën e tij ka bërë dhe të pamundurën por “zanati” i poetit, i njeriut, që derdh në vargje shqetësimet e tij, duke dhuruar dashuri e mirësi pafund nuk e ka dhe nuk e njeh zanatin e grumbullimit të parave. Prandaj flet gati me pëshpëritje e dorën në zemër: Ndoshta prej meje gruaja dhe fëmijët/Diçka më shumë kanë pritur si trashëgimi/Më duhet tu kërkoj falje të gjithëve/Bëra sa munda por vetëm kaq arrita /Këngët e shpirtit ju lë si pasuri. I dashur poet! Fatin tënd dhe të gjithë poetëve, që nuk u shërbejnë sundimtarëve, e ka përcaktuar Zeusi mijëra vjet më parë. Për ty dhe të ngjajshmit me ty është e hapur parajsa kurdo të  shkosh, por bota tashmë është e ndarë. Nuk mund të jesh dhe poet dhe i krimbur në para.