Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Je Ti

29
Sigal

 

Je ëndërrimtarja e hershme e fluturimeve të mia,

copëzë e pandarë kaltëroshe e qiellit në pranverë.

Kudo të jem e kudo të më shpjerë dashuria,

Je dadoja e diellit tim, burim buzëqeshjesh përherë.

Të kam gjetur tek mësonim katrorin e binomit,

kur fërgëlloje “Anës lumenjve”, me temën e tezës.

Brenda zemrës tënde s’iu ndava kurrë emocionit,

si të isha brenda statujës së Nënë Terezës.

Ti

Je ajo “mirë u pafshim”, mbetur ëndrrave të mia

ardhur nga tragetet e mbrëmjes në nisje.

Qiell që s’ke pyetur aspak nga stuhia.

Ëndrra- Marigò kur flamurin qëndisje.

Je nxënësja veshur me kostum kombëtar,

me gërshërët në duar, që s’përmbaje gëzimin.

Në krah të çdo feste, sa herë të kam parë,

kur një shkollë e re do të kish përurimin.

Ti

Je skuadra e zemrës, që më ndjell vetëm gaz,

kur të gjitha të tjerave u vjen hakut.

Je kirurgu që më shpëton me një by-pass,

jehona e zërit të shuar tragjik të Pastërnakut.

Je furia e erës në grykë të Milotit;

bukuria e perëndimit në Dhërmi, iso e polifonisë,

freskia e Valbonës, Maja e Tomorit, fron i Zotit.

E gjallë brenda zemrës time tek buis

je ti, shpirti i bardhë i poezisë sime,

Forca e pambarimtë e gishtrinjëve të mi,

që ia rrahin tastjerën kompjuterit pa gjëmime

dhe kërkojnë në vargje e prozë vetëm vërtetësi.