Suplementi Pena Shqiptare/ Diana Skrapari: Toka e premtuar është sinonim jete për refugjatët

487
Brigjet e Mesdheut janë bërë varreza për kerubinë me krahë të thyera. Aylin, dy vjeç, ishte një engjëll, ëndrrat e të cilit u vodhën nga mizoria dhe indiferenca e botës që sheh dhe nuk thotë asgjë. Këta njerëz janë në kërkim të jetës, larg nga skllavëria e vdekjes. Ata largohen nga lufta, rrënojat, bombat, uria. Ata janë të shtypur, të persekutuar,të diskriminuar, dhe largohen drejt parajsës së tokës së premtuar. Ata largohen me dhembje të madhe në zemër nga vend i tyre, nga sytë e butë të një nëne, nga urtësia e një babai.
Deklarata e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara e datës 10 dhjetor 1948, është një mirazh për ta!Për fat të keq, atje të drejtat themelore të njeriut shkelen. Atyre nuk ju garantohet as e drejta për të jetuar! Kjo është një e drejtë për të cilën ata nuk kanë të drejtë! Reflektimi i vetëm në sytë e tyre, është vdekja!Ata kanë nevojë për dikë si Moisiu që mund ti drejtojë ata drejt lirisë. Ai e ngriti spektrin dhe valët u hapën. Kështu Moisiu hapi rrugën drejt tokës së premtuar, drejt jetës!
Sot, ne kemi një lutje: “Kthehu Moisi, zbuti valët që gëlltisin këta njerëz të dëshpëruar! Jeta është një e drejtë themelore, duhet ta mbrojmë atë! Shihni përreth! Pikërisht për këtë botë paraardhësit tanë luftuan dhe sakrifikuan gjithçka! Pse ta vrasim jetën, shpresën, të ardhmen? Moisi, ne të presim që të ngresh spektrin dhe t’u japësh atyre jetën!”
Dhurata e zotit
Zoti i fali një nëne dikur dhuratën më të bukur. Ti do të lindësh të birin e Perëndisë. Do të kesh nëntë muaj brenda teje, qenien më të mrekullueshme që ka ekzistuar ndonjë herë në Tokë. Ti do të jesh më e bekuara, më fatlumja ndër gratë e botës, sepse do të mbash brenda teje shpesën e çdo njeriu në tokë, të shohë njëherë, vetëm njëherë në jetën e tij mishërimin e Perëndisë midis nesh. Ajo nënë e dinte se zemra e saj do të mbushej me një dashuri të kulluar si ujë, por e dinte se kjo dashuri do t’i shkëputej nga gjiri i saj dhe zemra e saj do të copëtohej. Ajo e pranoi dhuratën e Perëndisë, sepse donte që vullneti i Tij të bëhej mbi tokë. Si kjo nënë që jetoi dikur në Tokën e Premtuar, gjithë nënat e pranojnë dhuratën e Perëndisë, fëmijën e tyre. Ato e dinë se do të kenë momente shumë të gëzuara kur të vështrojnë atë duke bërë hapat e parë, duke shqiptuar fjalën e parë,duke buzëqeshur për herë të parë, por e dinë se do të kalojnë net të tëra pa gjumë kur ata nuk ndihen mirë. E dinë që ndonjë herë ata nuk do ti binden, do të jenë paksa çamarrokë, nuk do të sillen si duhet me ato. Do të largohen duke ndjekur valët e jetës, do të tregohen indiferent, do të bëjnë…
Oh, sa gjëra të pakëndshme do të bëjnë!!!
Por, nënat e dinë se ato kanë sjellë në jetë dikë, për të cilin ato do ëe jenë gjithmonë krenare në zemrat e tyre. Ai fëmijë që ato mbajtën në bark nëntë muaj do të kthehet sërish tek ato me lot malli dhe do të thotë: “Nënë, unë s’të harrova kurrë. Mendja dhe zemra ime ishin dhe janë me ty. Kudo që të jem do të jesh me mua, sepse jeta ime filloi me ty. Po të mos ishe ti, unë s’kisha për të ekzistuar .Por fale nënë, fëmijën tënde që të bëri të qash. Ai fëmijë s’ të kuptonte se, ti gjithçka e kishe për të mirën e tij, sepse ti je personi që e do më shumë fëmijën”. Ditët kalojnë dhe të gjithë e kujtojmë atë nënë që qante kur i kryqëzuan të birin. Ajo nënë qante, por brenda saj me gjithë hidhërimin, ajo e dinte se Zoti e kishte bekuar me atë fëmijë që ajo lindi atë natë dhjetori. Ajo e dinte se ai fëmijë i saj që vuante, i dhuroi asaj dhe të tjerëve lumturinë, gëzimin se me të vërtetë Perëndia mund të kuptonte njerëzit. Ai s’i harroi ata, por sakrifikoi dhe Birin e Tij të vetëm për ata. Perëndia jetoi midis njerëzve, ishte Njeri, por një njeri që fali aq dashuri dhe mirësi kudo që shkonte. Sa herë që kujtojmë atë ne buzëqeshim, sepse e dimë qe Ai, Biri i Shenjtë bëri sakrificën më sublime për të na shpëtuar nga natyra jonë, nga vetvetja jonë mëkatare. Atë e solli në jetë Ajo Nënë, burim frymëzimi për gjithë Nënat e botës.
“Fëmijën duajeni ashtu siç e keni, nëna!
Ai është dhurata e Krijuesit për ju. Zemra juaj do të gëzojë, por dhe do t’ju hidhërohet. Lëreni jetën të kalojë si një lume i qetë dhe brenda jush ju do ta kuptoni dhe do te thoni : Kam qenë e bekuar, sepse Zoti s’më ka harruar, më ka dërguar një mirësi, që unë e shtrëngova dhe e mbajta në gji.”
Sigal