Suplementi Pena Shqiptare/ Miltiadh Davidhi: Dritëro Agollit

Miltiadh Davidhi

 

(Në bibliotekën e Modenës)

NOA

Një det me libra përmbyti sytë e mi,

një det i tërë më rrëmbeu, më befasoi,

m’i mbushi mendimet me kaltërsi.

E ëndrrat e bukura erdh’ e m’i zgjoi,

me kapak të trashë e erë lashtësie.

Rrjedhur nga gjithë lumenjtë e botës,

por unë zgjodha një gjuhëz perëndie,

që rrinte në raft si në brazdë të tokës.

Preka valëzat e bardha të Devollit,

e shfletova copëza shpirti të vendit tim,

Në kallëzat e mendimeve të Agollit

me vesëza malli mbërritur në mërgim.

Dhe ky lum i dashur,i vogël si përrua

Më solli pranë aromën e tokës sime,

Zërat e njerëzve,perëndimet që i dua.

dhe shtëpizën që vesohet në agime.

Më erdhën pranë zogj e ligjërime,

me lule fushash u mbush syri im,

dhe zemra ime nëpër drithërime

përkëdhelte varrin e nënës e atit tim.

Me malet,me fushat e njerëzit e mi.

S’u ndjeva i huaj mes njerëzve të huaj,

Dhe mjegulla e Modenës erdh’e u shkri,

E çela si bimëz e prej mallit më s’vuaj.