Jam mburrur shpesh e tërë jetën
mes miqsh e shokësh jam lëvduar,
se kam qënë etik, një jetë të tërë
kam qënë “goxha burrë”, i pagabuar.
Kostumin dhe kollaren, s’e kam ndarë
e te berberi kam shkuar, çdo të diel;
krevatin tim, asnjëherë s’e kam pjesëtuar
edhe në kishë jam rrëfyer, si të tjerë.
Veçse një natë, më mungon nga jeta ime
se kam në kalendar, e s’është në kodikë
nuk ka as shenjë, as gjurmë nuk ka lënë
nuk mundem ta kujtoj, apo kam frikë?
Ju miqtë e mi, që sonte më lexoni
e do më shani, e do më ligni shumë
ktheni pas kokën, shikoni kalendarët
mos ju kanë humbur, net e ditë, si unë.
UDHËTIMI I PËRDITSHËM
Hyrë në buzët e mia që digjen
në mishin tim hyrë, në damarë
siç hyn, e rrjedh gjaku në zemër
bëhu “virus”, hyrë në kapilarë!
Hyrë në ëndërrën time, që nuk fle;
hyrë në shpirtin tim, që të pret;
hyrë nga qielli, hyrë, si një yll
nga sytë hyrë, gjej aty një shteg!
E në mos gjetsh nga të hysh, vërtet
në mos gjetsh, një shteg të vetëm, a një udhë
të tëra në janë zënë, siç ndodh shpesh në jetë?
Atëherë, paska qënë e vërtetë…ky, që po të shkruan tani, nuk jam unë!





















