Suplementi Pena Shqiptare/ Bujku që u bë ”mjek” i padukshëm…!

1063
Sigal

Ferit METUKU

Para shumë vitesh, në një fshat të largët, nga zona e veriut të Shqipërisë, na ishte një burrë që e quanin Mal Bregasha, por i thërrisnin Mal Askushi, me kuptimin, njeri me fat të ngrysur, që nuk kishte parë kurrë një të mirë në jetë. Mali e pranoi mbiemrin e ri, siç kishte pranuar edhe hallet e shumta që e plakën para kohe. Ai ende nuk i kishte mbushur të pesëdhjetat, por dukej si shtatëdhjetëvjeçar, i thinjur, me fytyrën plot rrudha dhe pak i kërrusur. Mali kishte dhjetë fëmijë, se në dhjetë vjet martesë, e shoqja e tij, kishte lindur çdo vit. Mali, me gjithë hallet e shumta, kur bëhej fjalë për të shoqen, bënte shaka e thoshte se ajo mbetej me barrë sikur vetëm pantallonat t‘i hidhte sipër. Mali kishte pak tokë dhe, megjithëse punonte më shumë se të tjerët, me shumë vështirësi, siguronte bukën e gojës për 6 muaj. Pastaj me çantë në shpinë, lëvizte sa këtej e andej. Kur nuk kishte para, shiste prodhimin e arës që sapo e kishte mbjellë, ende pa e korrur. U thoshte atyre që u kishte marrë misrin borxh, që do t‘ua jepte, kur të bëhej prodhimi i arës së vet. Kur vinte koha për ta korrur, ai nuk gëzohej si çdo bujk tjetër, pasi më shumë se gjysmën e misrit e kishte borxhë. Njerëzit talleshin me të dhe thoshin që Mal Bregasha e hante arën jeshil, kur bimët sapo kishin dalë nga toka. Dhe vërtetë ashtu ishte, prandaj Mali ulte kokën dhe heshte. Njëherë, në vjeshtë, pasi pagoi drithin që kishte borxh, i mbetën vetëm pesë kosha me misër, që nuk i mjaftonin as një muaj me bukë. Ai u ul rrafsh në tokën e lagësht nga bryma dhe iu lut Zotit: – O Zot, dërgoma vdekjen të më marrë, se kështu nuk jetohet! Zoti ia dëgjoi lutjen, dhe krejt papritur, para tij u shfaq engjëlli Xhebrahil, që merrte jetën e njerëzve. Më thirre?- e pyeti ai Mal Bregashën, duke menduar se do ta bënte hash fjalën, siç kishin bërë mjaft të tjerë, që, ndonëse kishin kërkuar të vdisnin, kur u kishte shkuar Xhebrahili pranë, u ishte marrë goja nga frika. -Të thirra, po, të thirra, – i tha Mal Bregasha, pa iu bërë tërr syri. – Domethënë ty të është mërzitur jeta dhe ti do që të vdesësh?- e pyeti Xhebrahili. – Po, po, dua të vdes një minutë e më parë, – tha i vendosur Mal Bregasha. – Pse do që të vdesësh, ti je ende i ri dhe mund ta gëzosh jetën? –i tha Xhebrahili. – Kjo imja, është jetë qeni, – nuk kam ç‘e dua, madje qentë jetojnë më mirë se unë. – Kam kaq shumë halle, sa nuk mund t‘i përballoj. – Kam një copë tokë, por me të nuk mund t‘i mbajë fëmijët as me bukë, pa lëre pastaj të mendosh për gjërat e tjera.

– Punoj dhe robtohem, por çdo ditë vjen më e keqe se tjetra. Më mirë t‘i jap fund jetës, një herë e mirë, përgjigjet Mal Bregasha. Engjëlli Xhebrahil, iu drejtua përsëri Mal Bregashës, dhe i tha:     -Në qoftë se nuk jeton dot si bujk, bëhu mjek, fito pasuri dhe plotësoua fëmijëve nevojat që kanë.

– Unë mjek?! Po si mund të bëhem mjek unë që nuk di as të shkruaj e as të lexoj?

– Nuk ka nevojë të kesh shkollë, të mësoj unë si të veprosh.

– Po hë, si të bëj?-e pyeti Xhebrahilin, Mal Bregasha. Dhe interesi për jetën iu zgjua menjëherë. – Kur të sëmuret dikush, ti shko dhe shikoje, unë do të jem aty, pranë të sëmurit, i padukshëm për të tjerët, por vetëm ti do të më shikosh. Po qëndrova tek koka e të sëmurit, ai nuk do të jetojë më, do të vdes; po qëndrova tek këmbët e tij, do të shërohet, edhe sikur të jetë shumë rëndë. Të sëmurëve që nuk kanë për të vdekur, jepu të përdorin ndonjë ilaç popullor, që nuk bën as mirë dhe as keq. Dalëngadalë do të fitosh besimin e njerëzve, që do të të mbushin me para dhe dhurata. Shkurt, do të bëhesh pasanik, dhe do ta gëzosh jetën me gjithë gruan dhe fëmijët. Një ditë, në fshatin ku banonte Mal Bregasha, u sëmurë dhe personi i parë, quhej Nel Dëllinja, një pasanik, që nuk kishte lënë mjek pa marrë, por të gjithë i kishin hequr shpresat, se ai do të shpëtonte nga vdekja. Kishte dhimbje të forta barku dhe përpiqej si zorra në prush. Kur e kapte ajo dalldia e madhe, lahej në djersë dhe mezi mbushej me frymë. Vdekja e tij dukej punë ditësh. Bashkëfshatarët dhe dashamirët e tij e kishin parë dhe vazhdonin ta shikonin si të pa shpresë jetën e Nel Dëllinjës, pasi nuk komunikonte aspak me me ta, se rrallë herë përmendej. Shkon një natë edhe Mal Askushi,se kështu i thërrisnin në gjithë zonën, për ta parë. Mali, si fukara që ishte, nuk ia varte njeri, veç nuk i thoshin që të ngrihej dhe të dilte nga shtëpia. Xhebrahili ishte aty, pranë shtratit të të sëmurit, tek këmbët. Mali mori guximin që ta përpushte edhe ai një herë mexhelisin e burrave, ku shkonte rrallë dhe nuk përfillej. Megjithëse ishte njeri shpirtmirë, deshi t‘i poshtërojë ata që e kishin poshtëruar gjithë jetën. Por fjala poshtërim ishte e rëndë për Malin. Ai deshi të vërë në vend dinjitetin e humbur, të paktën të fitonte sërish mbiemrin që kishte pasur dhe të mos e quanin më, Mal Askushi por Mal Bregasha. Këtë mbiemër ia kishte vënë ai, Zebek Beku, që rrinte në krye të vendit dhe përdridhte mustaqet. Vinte i dyti për pasuri në katund mbas Nel Dëllinjës. Zebeku e kishte dajë Nel Dëllinjën dhe kishte vendosur t‘i qëndronte tek koka deri sa të jepte shpirt. Kishte qëndruar dy javë, nuk mbeteshin, sipas tij, edhe dy ditë sakrificë. Por Mal Askushi nuk pyeti për mustaqet e Zebek Bekut.

– Qysh dukesh, o Nel Dëllinja?- iu drejtua të sëmurit. Pyetja ishte për t‘u habitur, se, kur tjetri përpiqet si zorra në prush, kuptohet se si është. Burrave iu duk e panevojshme pyetja e Malit, por, fukarenjve si ai, ua falnin edhe ndonjë sjellje të pahijshme, se kjo vinte ngaqë ata nuk rrinin nëpër oda dhe mexhelise. Por atë pyetje nuk e përtypi Zebek Beku.

– Nuk e shikon qysh është, or Mal Askushi, apo kishe edhe ti një fjalë për të thënë?

– Ti rregullo gojën se unë nuk jam Mal Askushi por Mal Bregasha, – tha me plot gojën Mali duke e vështruar Zebekun në sy.

– Unë për të shikuar dhe për të kuptuar të sëmurin, jam më i ditur se ti. Mal Bregasha, tashmë kryelartë për mbiemrin që rifitoi, përmes habisë së përgjithshme i hoqi sytë nga Zebeku dhe bënte sikur nuk ia vlente të merrej më me të dhe përfshiu me një shikim burrat e tjerë dhe e ndali vështrimin tek djali i madh i Nel Dëllinjës, Uk Dëllinja, dhe i habiti të gjithë me atë që tha:

– Nel Dëllinja, pas dy-tri ditësh do të ngrihet në këmbë të veta dhe pas një jave do të ngas edhe qetë, nëse e ka marrë malli për atë punë. Habia tek burrat u bë aq e madhe sa ata panë njëri-tjetrin në sy. Fjalët e Malit i dëgjoi edhe i sëmuri, për të cilin të gjithë kujtonin se i kishte shkëputur marrëdhëniet me këtë botë. Ai u ngrit pak dhe mundi të shikojë Malin në sy.

– Më dëgjove çfarë thashë?- e pyeti Mali. I sëmuri mbylli dhe hapi sytë sikur donte të thoshte se e kishte dëgjuar. Goja e kishte lënë.

– Mos m‘i mbyll sytë ashtu, por hapi mirë se ti do të ngrihesh. Fjalët e Mal Bregashës patën një efekt të çuditshëm tek i sëmuri. Ai vërtet i hapi sytë, madje edhe foli për herë të parë që nga dita kur kishte zënë shtratin.

– A vërtetë, o Mal Bregasha? e pyeti i sëmuri

– Si buka që hahet,- i tha Mali i vendosur. Mali u kthye nga djali i Nelës,Uk Dëllinja, dhe i tha:

– Merrni ca gjethe ftoi, zieni në ujë, ëmbëltojeni ujin me pak sheqer dhe ia jepni të sëmurit. Mal Bregasha, u ngrit në këmbë pa i kërkuar leje zotit të shtëpisë, dhe tha:

– Tani ma bëfshi natën e mirë të gjithë, se i sëmuri do të shërohet dhe do të bëhet më mirë se ka qenë, madje kishte marrë edhe pamje më të mirë, dukej sikur nuk kishte vuajtur asnjë ditë. Uk Dëllinja, djali i të sëmurit, mori dashin pesëdhjetë okësh dhe katër barrë me drithë dhe ia çoi Mal Bregashës në shtëpi. Kështu, atje ku shkonte dhe ”vizitonte” të sëmurët, Mal Bregasha, e thoshte fjalën e tij dhe ajo dilte pa një pa dy. U rrit autoriteti i tij, tashmë rifitoj dhe mbiemrin e humbur, i doli dhe nami për mirë. Tani nuk ia mbante askujt t‘ia ndryshonte mbiemrin. Kur dikush sëmurej, Mal Bregashës, i dërgonin kalin dhe e merrnin si të ishte agai i fshatit. Asnjë mjek dhe asnjë njeri nuk ishte nderuar dhe nuk ishte mbushur me dhurata si ai. Mali vazhdonte t‘u jepte ilaçe atyre të sëmurëve që u qëndronte Xhebrahili tek këmbët, dhe ”ilaçet” e bënin ”efektin” menjëherë. Kaluan gjashtë muaj dhe atij nuk i kishte rastisur që të ”vizitonte” ndonjë të sëmurë tjetër, të cilit Xhebrahili i qëndronte tek koka. Ai kishte ”vizituar” dhe ”shëruar” vetëm njerëz të cilëve xhebrahili u qëndronte tek këmbët. Por edhe ajo ditë erdhi. Lul Zylfi, megjithëse ishte burrë dyzet e pesë vjeç, gjuante me llastiqe zogjtë e malit që rrinin nëpër pemë. Një ditë, guri i vogël, sa një kokërr lajthie, me të cilin donte të qëllonte zogun, i bëri rigoshet dhe i ktheu nga trungu i manit dhe i ra në ballë. I hapi një plagë fare të vogël, prej të cilës nuk dolën më shumë se dy-tri pika gjaku. Luli nuk i vuri shumë rëndësi asaj plage aq të cekët dhe të vogël. Por pas disa ditësh, ndjeu disa ankesa të vogla, ku shqetësohet edhe familja e tij. Djali i Lulit shkoi dhe mori me kalë Mal Bregashën. Luli ishte shëndoshë e mirë në krye të vendit, tek oxhaku, dhe pinte kafe dhe duhan.

– O Malë, të munduam kot, por qofsh i nderuar që erdhe, – i tha Lul Zylfi.

– Jo, mor mik, për mua mos të të vijë keq,shyqyr që qenke më mirë, – tha Mal Bregasha, dhe shtoi:

– Por që të bindem se nuk ke asgjë, ti duhet të shtrihesh në shtrat. Unë, vetëm aty e ndajë shapin nga sheqeri. Nuk di si të gjykoj, kur njerëzit nuk kanë zënë shtratin.

– Nuk kam asgjë, pse të shtrihem? Ata të familjes, që të nxirrnin merakun, e katandisën Lul Zylfin, të zinte shtratin, sikur të ishte i sëmurë rëndë. Sa u shtri Luli, pranë shtratit i erdhi Xhebrahili dhe i qëndroi tek koka.

– Mirëmbetsh, o Lul Zylfi!, – i tha Mal Bregasha atij dhe doli nga oda. Luli dhe familjarët e tij kujtuan që Mali nuk kishte çfarë të thoshte, se kuptohej që Luli nuk ishte sëmurë. Djali i Lulit që e kishte marrë me kalë, doli ta vinte përsëri në kalë dhe ta çonte deri tek shtëpia. Kështu vepronin të gjithë. Do t‘i jepte edhe paret, se i takonin. Por Mal Brgasha, as paret nuk i mori dhe as në kalë nuk hipi.

– E dini si është puna, – tha ai duke vështruar ndër sy djalin e ri të Lul Zylfit.

– Luli mbas një jave ka për të vdekur, bëhuni gati. Djali ishte i ri dhe nuk e mbajti fjalën ndër dhëmbë. Por më mirë që nuk e mbajti, se vërtetë në krye të javës Lul Zylfi vdiq. Në mort, burrat mbanin në gojë se çfarë kishte thënë Mal Bregasha. Autoriteti dhe pasuria e tij veç vinin duke u shtuar. Kaluan shumë vite dhe Mal Bregasha po i ndiente shije të madhe jetës. Kudo i ftuar, i nderuar dhe i shpërblyer, por edhe punën e bënte të madhe. Kurrë nuk kishte gabuar, kurdoherë i kishte dalë fjala. Për të sëmurët, që do të vdisnin, Mali u thoshte familjarëve të mos shpenzoheshin kot, por të përgatiteshin për mort. Edhe kjo vlerësohej shumë dhe pothuaj ishte baras me ata që i shëronte. Një natë, krejt pa pritur, Mal Bregasha, u zgjua nga gjumi, i larë në djersë dhe me dhimbje të forta në kraharor. Kur hapi sytë, pa Xhebrahilin tek koka. U rrotullua me mundim në krevat dhe ku kishte kokën vuri këmbët. Por Xhebrahili i doli përsëri te koka. Mal Bregasha disa herë e bëri këtë veprim, deri sa Xhebrahili i tha:

– Kthehu dhe rrotullohu sa të duash, mua te koka më ke, se, tani e tutje, ti nuk je më, as bujk dhe as mjeku i padukshëm…!