E rëndë në Morinë! Efektivi nga Kosova vret veten me armë zjarri në varrezat e fshatit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Morinë të Kukësit, ku një efektiv policie nga Kosova është gjetur pa shenja jete në varrezat e fshatit.

Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 08:25 është gjetur i pajetë shtetasi Sh. H., 35 vjeç, banues në Prizren, i cili ishte punonjës policie në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren.

NOA

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka vrarë veten me armë zjarri, pistoletë. Arma është sekuestruar nga autoritetet në cilësinë e provës materiale.

Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë akt.

Ndërkohë, Policia e Shtetit është në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e sekuestruar është arma e shërbimit të efektivit 35-vjeçar, si dhe për të siguruar çdo informacion të nevojshëm për dokumentimin ligjor të rastit.