Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: Çel agimi vetullngrysur

Çel agimi vetullngrysur,

reja puth ballin me rrudha.

NOA

Dita ndryshe paska nisur,

bishtpërdredhur duket udha.

 

Edhe maja e një mali,

si e lodhur,rraskapitur.

Pirgje,pirgje ngrihet halli,

përmbi shpinën e djersitur.

 

Pemët zverdhur e të rjepura,

vdes mbi baltë një fletë e rënë.

Era fle përmbi të qepura,

hëna duket si e ngrënë.

 

Edhe dielli i përgjumur,

shtrihet pllajave gojëhapur.

S’di ç’kërkoj,çdogjë ka humbur,

ferri vdekjen e ka kapur.

 

Po ç’kanë zogjtë që s’cicërojnë,

pse të ndrydhur flenë mbi pemë.

Po ç’kanë pyejt që rënkojnë,

pse lumenjtë nuk dinë nga venë.

 

Vetëm unë qesh dhe nis ditën,

në kontrast të plotë me ç’ka.

S’di pse hallet u mërzitën,

unë me to bëj veç shaka.