Kujtojmë Pano Taçin në 10-vjetorin e largimit nga jeta
(1929-2012)
Pano Taçi lindi në Gjirokastër më 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen
në Tiranë. Ka botuar që në moshë të re në revistën “Bleta” me ndërmjetësinë e Lasgush
Poradecit. Më 1944 inkuadrohet në brigadën 245 të UNÇl. Pas Luftës vazhdon shkollën, po
më 1947 arrestohet dhe vuan afro çerek shekulli, burgime e internime nëpër burgje e
kampe përqëndrimi si kundërshtar i regjimit. Pas rrëzimit të diktaturës jetoi i vetmuar
deri në fund të jetës së tij më 13 qershor 2012. Shkroi e botoi përmbledhje poetike, drama e
kujtime. Është vlerësuar nga kritika si dhe ka marrë disa çmime letrare brenda dhe jashtë
vendit.
Libra të Pano Taçit: Blerimi i thinjur (1994); Dhe vdekja do paguar (1997); Hukama e Venusit
(1999); Shpirt i zbardhur (2001); Muzg (2000); Qirinjtë (2000); Flakë në terr (2001); Lakuriq
(2002); Sa pak qiell (2003); Kokoveja e Kokoshit (2003); Poezi të zgjedhura (2003); Ofshama e
dell-arit (2004); Pani plak (2005); Prit e prit (2007); Bijtë e erës (2009); Muzgu vjen papritur
(2013)
Sigurisht që do të vdiste një ditë. Dhe e mbajti fjalën. Siç do ta mbajmë edhe ne, tani për tani
ende gjallë, kur të na vijë dita të ndjekim shtegun dhe shembullin e tij. Vdiq Pano Taçi, rrugaçi, i pabinduri, margjinali, outsider-i, vulëhumburi dhe vetvetegjeturi, i pafati e dhimbjelarti.
Edhe sikur Parajsa të mos ekzistonte, do të ishte e nevojshme të shpikej vetëm për atë, poetin e mallkuar, e ndaluar, grushtshtrënguar, zemërmjaltë e shpirtbukur. Të shpikej jo vetëm se emri i tij fillon me të njëjtën rrokje si ajo.
Po t’ju bjerë rruga, shkoni te kafe “Europa”, pyeteni kamerierin ku ulej zakonisht Pano Taçi dhe rrini disa çaste atje. Nuk do të vonojë dhe veshi e zemra do t’ju dëgjojnë zërin e tij të heshtur ose heshtjen e tij tingëllore. Që vjen nga Parajsa. Me damkën e mrekullueshme të lirisë e të erosit. Nga Parajsa ku ai rikrijon e rijeton vetveten për vete dhe për ne të tjerët. Ku ai vazhdon të shkruajë rrethuar nga krijesa qiellore me një shije sajuar enkas për të.
Nga Parajsa pa dyer e dritare, ku shkojnë vetëm poetët si ai. Poetët që vuajtën dhe me vuajtje shkruan të parrëfyeshmen para se të vdisnin. E shkruan për ne. Edhe te kafe “Evropa”. Ku secila e secili nga ne mund të bëjë herë pas here, por heshtazi, homazhe për Pano Taçin. Herë pas here, një pelegrinazh shpirtëror për atë që, tashmë në Parajsë, habit shenjtorët e engjëjt, madje edhe vetë Zotin, me veçantësinë e tij çapkëne të papërsëritshme.
Po, Pano Taçi e meriton plotësisht Parajsën. Dhe meqenëse nga Parajsa nuk arratisesh dot
(ndryshe ai me siguri do të orvatej të kthehej ndonjëherë në tokë, sa për të na befasuar e
mrekulluar ne, miqtë apo lexuesit e tij besnikë), le të na presë atje për të na rrëfyer një ditë të parrëfyeshmen. Duke pritur këtë ditë, ne, të mbeturve në tokë, që do të na bjerë herë pas here rruga nga kafe ,“Europa”, ka për të na marrë malli për Pano Taçin. I cili, me shijen që i dha jetës sonë, e meriton plotësisht Parajsën, por që do të kishte bërë mirë të rrinte dhe ca më gjatë mes nesh.
Nga poezitë e fundit të Pano Taçit:
Ringjallja
Tërë jetën ç’jam përpjekur,
si t’ia zbus shpirtit hallin.
Për ç’premtova duke vdekur,
them se vargjet më ringjallin.
Për ç’jap shpirtin zemërmekur
n’atë varr ku do më kallin,
për ç’këndova duke vdekur
them se këngët më ringjallin.
Rob i mallit
Rob më mban një mall i vjetër,
aq sa trupin ma zhuriti.
Desh ta ndaja me një tjetër,
por s’ma do, që s’ma do shpirti.
Edhe vajza ma pëlqen
gjer në vdekje t’i jem skllav.
Them se jeta nuk më vlen
në se shpirti s’më ka mall.
Dhe në gjumë kur e thërras,
vjen si hije e më zgjon.
Siç vjen e përcjell me gas,
dhe pse zemrën ma sumbon.
Mallkim
Mallkoj veten që kot rroj,
mallkoj jetën që më mban,
mallkoj varrin ku do shkoj,
lotin që ma bën haram.
Mallkoj ditën që kam lindur,
mallkoj çastin që do vdes,
mallkoi shpresën për ç’jam grinder,
se më doli e pabesë.




















