Qeveria si bunkier, 70% e VKM-ve miratohen në “ilegalitet” duke fundosur ekonominë

121
Sigal

Ja si PPP-të u bëhen “peshqesh” personave me rekorde kriminale. Si u blenë aksionet e kompanive me shuma qesharake dhe detajet e skemave për fituan lejet minerale dhe tendera shtetëror

 

Si u blenë aksionet e kompanive me shuma qesharake, ja detajet e skemës së Mond Begës për të fituar leje minerale  dhe marrë tendera shtetëror

Lejet minerale  u bëhen ‘peshqesh’ personave me probleme me ligjin

Dalin në dritë të tjera detaje nga licenca për shfrytëzimin e minierës së Selenicës, që kanë përfituar dy ish-të dënuar për vepra të ndryshme penale, Mond Bego dhe Luan Saraçaj. Sipas ligjit, Bego dhe Saraçaj nuk mund të merrnin tendera shtetërorë se kanë qenë të dënuar. Por leja minerare u është dhënë fillimisht personave që nuk kishin probleme me ligjin dhe më pas Mond Bego dhe Luan Saraçaj kanë blerë aksionet e kompanive me shuma qesharake, duke marrë shfrytëzimin e një pasurie publike.

Në vitin 2018, Parlamenti miratoi një ndryshim në ligjin “Për prokurimet publike”, nëpërmjet të cilit ndalonte përfshirjen në tendera shtetërorë kompani në pronësi apo me aksionerë persona të dënuar për një kategori veprash penale.

Megjithatë, ky ndalim ligjor nuk ka penguar aspak që individë me të shkuar kriminale të aplikojnë skema për të përfituar nga pasuritë publike. U raportua më herët se Luan Saraçaj  dhe Mond Bego, dy persona të dënuar për vepra të rënda penale,tashmë janë bashkuar në aktivitetin e tyre privat në shfrytëzimin e një prej zonave minerare të Bitumit në Selenicë të Vlorës. Bego dhe Saraçaj kanë aplikuar një skemë aspak origjinale, por gjithsesi efikase për interesat e tyre ekonomike.

Në fillim licencat publike sigurohen nga persona pa probleme me ligjin dhe, më pas, ua kalojnë individëve me të shkuar kriminale nëpërmjet transaksioneve me vlera qesharake. Gjithçka është bërë në dijeni të plotë të autoriteteve shtetërore, të cilat janë të ngarkuara për zbatimin rigoroz të ligjit. Në vitin 2015, Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, jep një leje shfrytëzimi në zonë minerare, në Selenicë, në emër të kompanisë “D&AB” shpk. Kompania, në atë kohë, ishte në emër të shtetasit S.G. Administrator i kompanisë ishte shtetasi Bledi Liçaj, i akuzuar më herët për “Falsifikim dokumentesh” në dosjen hetimore, ku i pandehuri kryesor ishte ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Në maj 2017, pronari i vetëm shet 76 përqind të aksioneve tek tre persona të tjerë. Njëri prej blerësve të rinj ishte Flavio Isaraj, djali i Arben Isaraj, një eksponent i rëndësishëm i Partisë Socialiste.

Vetëm 2 muaj më pas, në korrik 2017, të gjithë ortakët, ia shesin të gjithë aksionet shtetasit Luan Saraçaj. Në kontratën e shitjes është shënuar shifra 100 mijë lekë të reja, një vlerë fare minimale për një kompani që kishte siguruar leje për shfrytëzimin e një zone bituminoze. Pra, licenca për nxjerrjen e bitumit është marrë formalisht në mënyrë korrekte, tashmë prej katër vitesh shfrytëzohet nga Luan Saraçaj, një ish-i dënuar për rrëmbim personi në vitin 2006.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2020, në zonën e Saraçajt hap një adresë dytësore kompania “Inerte Express”, në pronësi të Mond Begos, mik i ngushtë i Taulant Ballës dhe ish-i dënuar si anëtar i Bandës së Lushnjes. Begos dhe personave të tjerë të dënuar për vepra të rënda penale nuk u lejohet të përfitojnë të ardhura nga pasuritë publike. Madje Parlamenti, në vitin 2018, ndaloi me ligj pjesëmarrjen në tendera të të dënuarve për vepra të rënda penale, pikërisht pas denoncimeve të Partisë Demokratike se Mond Bego kishte siguruar leje dhe licenca nga autoritetet shtetërore.

Prej vitit 2018, kompanitë private të Mond Bego nuk kanë siguruar në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhura nga tenderat shtetërorë, kjo edhe për shkak të ndalimit ligjor. Megjithatë, duket se ai ka zgjedhur skema të tjera për të rritur fitimet, duke iu shmangur kontrollit nga autoritetet shtetërore.

Rast i tillë është pikërisht afrimi i tij në zonën minerare bituminoze të administruar nga Luan Saraçaj në Selenicë të Vlorës. Pra, as Saraçaj dhe as Bego nuk e kanë siguruar licencën minerare në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por, pasi ajo u është dhënë një kompanie në pronësi të personave të tjerë, Luan Saraçi ka blerë kompaninë së bashku edhe me lejen e shfrytëzimit për zonën minerare dhe më pas, afrohet edhe Mond Bego.

Përfundimi është i qartë- dy të dënuar për vepra të rënda penale, nxjerrin përfitime nga pasuri publike, në kundërshtim flagrant me frymën e ligjit “Për prokurimet publike”.