Ekspertët kërkojnë përjashtimin e kontributeve të detyrueshme për pensionistët e punësuar

851
Sigal

Studimi sugjeron se personat që vazhdojnë punën pas daljes në pension të mos paguajnë siguracione

Qendra për të Drejtat në Punë prezantoi të hënën një studim që synon përmirësimin e mbrojtjes sociale për kategorinë e pensionistëve, të vetëpunësuarve dhe punonjësve familjarë. Studimi i kryer nga ekspertët Zaim Bajraktari dhe Aurela Gjokutaj doli me tre propozime përfundimtare për Këshillin e Ministrave, Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Kujdesit Shëndetësor, si dhe administratën tatimore. Përmes analizimit të kuadrit ligjor për sigurimet dhe aktet nënligjore të tij, ekspertët identifikuan disa mangësi që lidhen me kontributet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore. Skema e kontributeve shëndetësore dhe shoqërore lidhet me sasinë e kontributeve që derdhen nga çdo individ në marrëdhënie pune, për të përfituar më pas nga mbrojtja sociale përmes pensioneve, pagesave të papunësisë, shërbimeve shëndetësore, barrëlindjes etj. Propozimi i parë i studimit prek kontributet e detyrueshme të pensionistëve të cilët vazhdojnë të punojnë në sektorin privat edhe pas daljes në pensionin e pleqërisë. Një vendim i Këshillit të Ministrave nr. 551, datë 8.11.1993 i ngarkon pensionistët e punësuar dhe të vetëpunësuar në sektorin privat me detyrimin për të vazhduar derdhjen e kontributeve dhe njëkohësisht marrjen e pensionit. Sipas ekspertëve të studimit, Zaim Bajraktari dhe Aurela Gjokutaj, pensionistët e punësuar nuk marrin asnjë përfitim për kontributet e detyrueshme që ata paguajnë përtej viteve të detyrueshme të kontributit. Aktualisht ata nuk përfitojnë rillogaritje pensioni për kontributet shtesë pas daljes në pension.

Tre problematikat e identifikuara lidhen me kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore të pensionistëve që ushtrojnë veprimtari ekonomike, deklarimi dhe pagimi i kontributeve për personat që punojnë si punëtorë shtëpie dhe së fundmi për llogaritjen e kontributit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes. Një projektligj aktual synon ta adresojë këtë pikë duke parashikuar se pensionistët e punësuar vazhdojnë të paguajnë sigurime shoqërore dhe të tërheqin pensionin, por në ndërprerjen e marrëdhënies së punës, atyre u shtohet 0.20% për muaj vlera e pensionit kur kjo marrëdhënie pune ndërpritet. Megjithatë autorët e studimit e shohin si joefektiv këtë propozim për ndryshim, pasi i ngarkon pensionistëve detyrimin të paguajnë kontribute për degë nga të cilat nuk përfitojnë, si për shembull barrëlindja, papunësia etj. Ata argumentojnë se një akt normativ i vitit 2017 i lejon Këshillit të Ministrave të vendosë për përjashtimin nga derdhja e kontributeve shoqërore për disa kategori, përfshirë pensionistët. Ekspertët sugjerojnë që pensionistët të tërheqin pensionin dhe të mospaguajnë kontribute pavarësisht zhvillimit të aktivitetit në sektorin privat. Ky përjashtim do të prekte rreth 10.000 pensionistë që vazhdojnë marrëdhënien e punës dhe do të kishte një ndikim financiar shumë pak të ndjeshëm për buxhetin e shtetit. Propozimi i dytë lidhet me kontributet e personave që punojnë si punëtorë shtëpie në shërbime si kujdestar fëmijësh, kuzhinier, pastrues, asistent për të moshuarit, të cilët sipas një VKM-je të vitit 2015 paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 3.948 lekë. Ata megjithatë aktualisht nuk përfitojnë të njëjtat favore në sigurimin shëndetësor si barrëlindja apo sigurimi i papunësisë. Ekspertët e studimit sugjerojnë që VKM nr 77. Datë 28.1.2015 të ndryshohet për të shtuar se “Personat që punojnë si punëtorë shtëpie duhet të sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e pensioneve, barrëlindjes, papunësisë dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor, llogaritur sipas pagës minimale”.

Propozimi i tretë lidhet me bazën e llogaritjes së kontributit të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Autorët e studimit propozojnë që kontributi i detyrueshëm i sigurimit shëndetësor për të punësuarit të jetë paga brenda kufirit të pagës minimale dhe maksimale; ndërsa për të vetëpunësuarit, punonjësit e papaguar të familjes dhe ata që bëjnë sigurimin vullnetar kontributi i detyrueshëm të llogaritet sipas pagës minimale. Aktualisht, ligji parashikon se personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes duhet të paguajnë sigurim të detyrueshëm shëndetësor në masën 3.4 për qind të dyfishit të pagës minimale. Për të punësuarit sigurimi i detyrueshëm shëndetësor paguhet në masën 3.4 për qind mbi pagën bruto brenda kufirit minimal dhe pa kufi të sipërm. Sigurimet e të punësuarve paguhen përgjysmë nga punëdhënësi dhe punëmarrësi. Ndërsa në rastin e vetëpunësimit janë në masë 100% nga i vetëpunësuari. Për personat që kanë pagë bruto të lartë, dy-tre fish mbi pagën maksimale kontributi shëndetësor llogaritet 1.7 për qind e pagës. Studiuesit argumentojnë se përfitimet dhe trajtimet nga skema e sigurimeve shëndetësore nuk kanë dallim mes këtyre personave. Ata argumentojnë se ndryshimi ligjor për t’i lejuar të vetëpunësuarit të paguajnë kontribute bazuar në pagë minimale dhe jo në dyfishin e saj do të ulë evazionin fiskal, pasi do të nxisë ata të deklarojnë të ardhurat reale. Në mbyllje të prezantimit të studimit të mbështetur nga Qendra Ndërkombëtare “Olof Palme” në Shqipëri drejtuesi i CLR, Edison Hoxha u shpreh se propozimet e studimit do të diskutohen me grupet e interesit dhe më pas do t’i prezantohen qeverisë për të parë mundësitë e përmirësimit të kuadrit ligjor. Ivana Dervishi