Nga Prashitës toke tek toga e gjyqtarëve me kollare Lala prodhoi perime, por jo prova: si u konfirmua gjyqtari me miliona lekë të pajustifikuara nga burime të ligjshme
Milionat që Gjyqtari Ramiz Lala kërkon ti marr me çekiçin e drejtësisë dhe 9 milion lekë që nuk u dihet burimi i ligjshëm i ardhur
Gjyqtari Ramiz Lala nuk justifikonte miliona lekë në 2021 dhe në 2026 mori vendim për rritjen statosferike të pagave të gjyqtarëve.Dy gjyqtare të pakicës kundërshtuan: balanca negative prej 939.061 lekësh nuk ishte një hollësi që mund të mbulohej me fjalën “proporcionalitet”.
Në Shqipëri, edhe një gjyqtar me minus në bilancin e vetingut mund të dalë në mbrojtje të pagave milionëshe të drejtësisë. Ramiz Lala, gjyqtari që urdhëroi kalimin e pagave të GJKKO-së në kulmin e debatit për rritjen e tyre, e njeh mirë vlerën e një llogarie financiare. Dosja e tij e vetingut nxori 939.061 lekë mungesë burimesh të ligjshme të dokumentuara për katër vite.Gjyqtari për të justifikuar burimin paraqiti një ekspertizë për prodhimet bujqësore dhe vërtetime nga Paskuqani për tokën e familjes. Kolegji i Posaçëm i Apelimit i quajti shpjegimet për të ardhurat nga bujqësia pjesërisht të besueshme, por të pambështetura plotësisht në dokumente. Megjithatë, shumica e konfirmoi në detyrë. Në dosjen e vetingut të Ramiz Lalës, toka bujqësore hyri si argument financiar. Sipas aktit të ekspertizës agronomike që gjyqtari paraqiti në Kolegj, prodhimet bujqësore dhe blegtorale kishin sjellë rreth 205–210 mijë lekë në vit për periudhën 2011–2016. Ai paraqiti edhe vërtetime nga Njësia Administrative Paskuqan: një për pagesat e taksës së tokës bujqësore dhe një tjetër që përshkruante si banorët e zonës përdornin prodhimet për familjen dhe shisnin tepricat në mënyrë ambulatore. Por këtu fillon pjesa që nuk e zgjidh dot asnjë vërtetim për zakonet e fshatit. Të kesh tokë, të kultivosh perime dhe të ulësh shpenzimet e ushqimit nuk është e njëjta gjë me të provuar se sa para ke përfituar në një vit të caktuar. Vetë Kolegji vlerësoi se shpjegimet për krijimin e të ardhurave nga bujqësia dhe blegtoria, ndonëse deri në një masë të besueshme, mbetën në nivel deklarativ dhe nuk gjetën mbështetje të plotë në dokumentacion. Ai pranoi si të besueshme mundësinë që prodhimet e tokës të kenë ndihmuar ekonominë familjare duke ulur shpenzimet e jetesës. Pra, ara mund të ketë mbushur tryezën; dosja nuk provoi plotësisht sa para ka mbushur ajo. Ndërkohë, analiza financiare e kryer në Kolegj nxori një balancë negative prej 939.061 lekësh për vitet 2011, 2014, 2015 dhe 2016. Vlen për tu theksuar se me këtë shumë në këto vite mund të blije një banesë.Për një qytetar që paguan taksa, ky është një minus që kërkon shpjegim. Për një gjyqtar që kalon vetingun, duhej të kërkonte edhe prova. Lala e kundërshtoi analizën dhe kërkoi të rishikoheshin disa zëra: kur ishin kryer shpenzimet e arredimit të banesës, si duheshin trajtuar dietat e shërbimit dhe çfarë vlere kishin prodhimet bujqësore e blegtorale të familjes. Kjo ishte diferenca mes burimeve të ligjshme të dokumentuara dhe parave të nevojshme për të mbuluar investimet, shpenzimet e kursimet e gjyqtarit dhe personave të lidhur me të. Shumica e trupit gjykues zgjodhi një tjetër peshore. Ajo arsyetoi se mungesa e burimeve nuk përfaqësonte një vlerë të konsiderueshme, ishte e shpërndarë në katër vite dhe, e parë edhe në dritën e shpjegimeve të subjektit, nuk mund të shërbente si shkak për shkarkim. Me këtë arsyetim, KPA la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që kishte konfirmuar Lalën në detyrë. Për gjyqtaret Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, të cilat votuan kundër, kjo llogari nuk ishte aspak e vogël. Në mendimin e pakicës, ato vunë në dukje se balanca negative përbënte mesatarisht 19,5% të pagës vjetore të Lalës në vitet me diferencë negative. Gati një e pesta e pagës: një shumë që, sipas tyre, nuk mund të quhej e papërfillshme vetëm sepse ishte shpërndarë në disa vite. Ato vlerësuan se gjyqtari nuk duhej të ishte konfirmuar në detyrë për kriterin e pasurisë, duke marrë parasysh edhe gjetjet në vlerësimin profesional. Ky ishte mendim pakice, jo vendimi që mori fuqi. Ironia e dosjes është se argumenti bujqësor nuk u pranua si provë e plotë për të ardhura të dokumentuara, ndërsa mungesa financiare u gjykua, në fund. Kjo nuk do të thotë se toka ishte e trilluar apo se çdo prodhim i familjes duhet të ketë një faturë. Do të thotë se pyetja kryesore e vetingut mbeti aty ku ishte: me cilat burime të ligjshme, të provuara, u mbuluan shpenzimet?Në një proces të ngritur për të rikthyer besimin te drejtësia, përgjigjja nuk mund të jetë thjesht se diferenca duket më e vogël kur ndahet në katër pjesë. Perimet mund të ndahen në katër vite; prova për burimin e parave nuk kultivohet me proporcionalitet.Ka një mënyrë të veçantë si trajtohet paraja në këtë histori. Grykësia për milionat-Kur bëhet fjalë për pagat e gjyqtarëve, kërkohet që Thesari të hapë llogarinë dhe pagesa të kryhet. Kur bëhet fjalë për burimin e parave në dosjen e vetingut të gjyqtarit Ramiz Lala, llogaria mund të mbetet me minus dhe, megjithatë, gjyqtari të vijojë detyrën.Në shtator 2026, Lala pranoi kërkesën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, dhe urdhëroi kalimin e pagave të gjyqtarëve të saj. Vendimi erdhi në mes të konfliktit mes institucioneve të drejtësisë dhe Ministrisë së Financave për listëpagesat e llogaritura sipas formulës së re. Debati nuk është për një shtesë të vogël që humbet në fund të muajit. Nëformulën e pretenduar rritja mund t’i çojë pagat vjetore të disa gjyqtarëve në nivele shumë të larta, që afrohen te 9 milionë lekë. Kundërshtimi është për këtë rritje dhe për koston e saj ndaj buxhetit publik. Por rasti i Lalës i shton debatit edhe një pyetje tjetër: çfarë standardi kërkohet për paratë kur gjyqtari është ai që vendos pasi ëhstë drejtë për drejtë në konflikt interesi, dhe çfarë standardi u kërkua kur gjyqtari duhej të shpjegonte bilancin e vet? Përse duhet të priste populli shqiptarë(që ky gjyqtar që sipas një pjese të komisionit nuk duhet të ishte më në detyrë) të vendoste pro mirëmenaxhimit të parave publike dhe shpërndarjen tek pensionet apo ndonjë shtresë tjetër si invalidët që realisht kanë nevojë për më shumë likuiditet (para)?






















