“Prania Besnike”/ Rama: “Partia Socialiste, do të të gjej një mënyrë tjetër funksionimi”

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me grupin parlamentar dhe drejtuesit politikë, ku ka prezantuar një dokument të ri strategjik për organizimin e partisë, quajtur “Prania Besnike”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se, pas 13 vitesh në qeverisje, pyetja se përse Partia Socialiste kërkon të vazhdojë të qeverisë është plotësisht legjitime, por theksoi se përgjigjja duhet të vijë përmes demokracisë dhe votës së qytetarëve.

Sigal

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se prania e Partisë Socialiste nuk duhet të reduktohet në një “sportel ankesash” apo të kopjojë modele të huaja, por të ndërtojë një mënyrë të re funksionimi, të bazuar te dëgjimi i qytetarëve, organizimi pa burokraci dhe ndihma pa kushte.

Ai iu referua edhe kritikave dhe kërkesave të qytetarëve për largimin e mazhorancës nga pushteti, duke thënë se pyetjet për qëndrimin në qeveri janë legjitime, ndërsa mallkimet nuk i konsideron.

“Pas 13 vjetësh në qeverisje, ‘Pse doni të qëndroni?’ është pyetja më legjitime. Duhet të ndajmë dy gjëra: pse nuk largohemi ne sot dhe pse duam të meritojmë vazhdimësinë nesër.

Kjo është demokracia dhe një parti nuk e trashëgon timonin e pushtetit, nuk e ka pronë dhe as nuk mund ta lëshojë rrugës.

PS ushtron pushtetin sipas Kushtetutës dhe votave në Kuvend. Protestuesit nuk janë populli, as ne këtu nuk jemi populli. Të gjithë jemi pjesë e tij dhe mund ta përfaqësojmë vetëm nëse ai na jep mandatin në emër të Kushtetutës”, u shpreh Rama nga Pallati i Brigadave.