Suplementi Pena Shqiptare/ Vullnet Mato: Djaloshi që kish turp të zhvishej

328
Sigal

Ishte viti 1982, sezoni i kontrollit mjekësor të rekrutëve për në ushtri.  Të qeshurat e mbytura, që nisën të vinin nga korridori i ngushtë, tregonin se rekrutët kishin filluar të zhvisheshin. Të tre pjesëtarët e komisionit dhe mjeku patolog, që bënte kontrollin, e prenë njëherësh bisedën e pushimit të shkurtër. Ata zunë sërish vendet në tryezën e gjatë të mbuluar me çarçaf të bardhë dhe u përkulën mbi letrurinat që kishin përpara. Shefi i degës ushtarake, një oficer fytyrëgjerë, që çapitej me vështirësi për shkak të këmbëve dystaban, thirri me emër nënoficerin e shërbimit. Dera u hap me vrullimë. Bashkë me vërshimin e ajrit të vakët, të përzier me erën e djersës, që lëshonin trupat e sapozhveshur të rekrutëve, hyri ai, që e thërrisnin kapter Xhepi. -Urdhëro, shef Stefani! -I ke gati të fillojmë? -pyeti shefi me një ton pakëz të shtrirë e të njëtrajtshëm. Nënoficeri shtrëngoi nofullat një grimë dhe mustaqet e holla të zeza pis iu mblodhën hark rreth buzëz së poshtme. Duke e bërë të qartë shprehjen nervoze në fytyrën e tij të rruar paq. -Një rekrut nuk pranon të zhvishet!… – tha kapter Xhepi me duf zemërimi.  -Si ka mundësi? -pyeti shefi, pamja babaxhane e të cilit ndryshoi menjëherë nga habia. -Kundërshton për qamet, o shef Stefani! -Mbase nuk e ka kuptuar akoma që këtu s’është të mamaja. – qeshi shefi, duke kthyer vështrimin me nënqeshje nga anëtarët e komisionit.  -Mund të jetë me ndonjë ekzagjerim patologjik në organin mashkullor. – bëri shaka mjeku, bluza e bardhë e të cilit nuk arrinte t’ia mbulonte pjesën e barkut të shëndetshëm. Shefi u ngrit si me përtim dhe, duke hedhur me ngathtësi hapat e rëndë të këmbëve të dysta, doli mes rekrutëve lakuriq. Ata vunë menjëherë duart përpara dhe i prenë të qeshurat, që u shpërthenin herë pas here, kur shihnin përmasat e ekstremiteteve mashkullore të zbuluara të njëri-tjetrit. Gjysmerrësira, që kishte krijuar zënia e dritares me batanije, e pengoi shefin të orientohet dhe u ndal një grimë. Kapter Xhepi i priu deri pranë dritares, ku një djalosh, i veshur me kominoshe doku, kishte zënë fytyrën me duar, i tmerruar nga ajo lakuriqësi e përgjithshme me gjeste mburrjesh mashkullore, ku secili tundte penisin e forcuar para të tjerëve. Shef Stefani u përkul pakëz, e kapi lehtësisht nga kyçi i dorës dhe u orvat ta kthejë për t’i parë fytyrën.  -Pa dale, mor djalë, çfarë ke ti kështu?… Djaloshi kundërshtues e tërhoqi dorën me forcë, pa ia hedhur sytë fare dhe u mblodh gërmuq nën cepin e varur të batanies së leshtë. Sakaq  shtrëngoi më fort të dy duart mbi fytyrë.  Shef Stefanit nuk i pëlqeu aspak mënyra, se si kundërshtonte edhe për të kthyer përgjigje. Mbase duhej marrë me të mirë. Shefi u ul mbi gjunjë dhe u afrua te shpina e kërrusur e rekrutit. -Ma thuaj mua që jam komandant, si e ke punën, pa hë?… -i foli me zë të ulët. Përsëri asnjë përgjigje. Shef Stefani mblodhi supet dhe tundi kryet i befasuar prej tij.  -Ohu, – ia bëri Xhepi me padurim. -s’lashë gjë pa i thënë unë, po ku ha pyka ky.. -Shprehu lirisht me mua, unë do të të ndihmoj ! – ngulmoi shefi me durim. Rekruti vazhdonte të qëndronte kundërshtues, shpërfillës dhe gjithnjë i gërmuqur.  -Si quhet? -pyeti shef Stefani duke u kthyer përgjysmë nga nënoficeri, i cili shkumëzonte nga inati dhe ishte gati ta shkundte për krahësh para eprorit këtë rekrut kokëngjeshur.  -Gëzim Alhysa. -tha prerazi kapter Xhepi. -Është nga Funarësi dhe e ka kokën si Shkëmbi i madh i Çermenikës. Shefi tundi kryet në shenjë pohimi.  -Pse nuk bën si gjithë djemtë e tjerë? -vijoi t’i flasë me një zë gati prindëror. -Këtu s’ka ndonjë gjë për t’u turpëruar, të gjithë shokët janë zhveshur… është rregull, do të të vizitoj mjeku. Rekruti prap nuk u bë i gjallë. Kapter Xhepi e humbi durimin dhe u bërtiti me nervozizëm rekrutëve të tjerë që ishin grumbulluar përqark, me të dy duart mbi organin mashkullor. -Si t’ia bëjmë? -pyeti kapteri në hall dhe me shenja tregoi, se kërkonte lejen e shefit për ta zhveshur forcërisht. -Vazhdo! -tha shefi, duke parë se e vonuan shumë komisionin.  Xhepi i kapi djaloshin me kominoshe për krahësh dhe e ngriti në këmbë me forcë. Ai klithi egërsisht, u kap pas batanies aq fort, sa e shkuli nga thumbat që e mbanin dhe përplasi këmbët përtokë, duke u bërë më ngulmues në kundërshtimin e tij kategorik. Rekrutët e tjerë klithën nga drita e fortë që u ra përnjëherësh. -Lere! -urdhëroi shef Stefani dhe drejtoi trupin. – Mirë, mos u zhvish, po çou të bisedojmë në zyrë! Po ke ndonjë hall, mundet mos të të marrim ushtar!… Toni i tij tingëlloi tepër i butë e mirëdashës në veshët e djaloshit. Ai u kthye me ca sy të hapur tej masës, si sytë e ndonjë egërsire të kapur në lak. Mandej lëvizi ngadalë, rrëzoi kokën mbi gjoks dhe bëri përpara, duke shkarë rrëzë murit. Te pragu i derës së zyrës u ndal si i gozhduar. Shef Stefani i rrahu supet nga prapa për ta nxitur të hyjë brënda. Rekruti bëri edhe dy hapa të tjerë me kokën ulur, por sytë kureshtarë të anëtarëve të komisionit, që ranë mbi të njëherësh, e bënë të shtanget në vend. Mjeku patolog, me gjithë shtatin e rëndë, kërceu vrikthi nga karrigia anësore dhe i shkoi fare pranë. Ai zgjati dorën te mjekra e djaloshit fshatar dhe ia çoi kokën lehtë. Sytë e tij zhbirues hetuan me kujdesin e ekspertit profesionist fytyrën e njomë, lëkurën me pore të pastra, formën e butë e të lakuar të faqeve me mollëza të përskuqura nga turpi, sytë e druajtur me qerpikë të gjatë e të zinj, ku shëndrisnin ende pikëzat e lotëve të patharë dhe në fund, gjoksin e sheshtë por të valëzuar. Mandej me një nënqeshje të lehtë u kthye nga shefi, që kishte qëndruar përballë dhe i shkeli syrin. -Të presi pak përjashta! -tha me një ton që mund të merrej si kërkesë e specialistit. Shef Stefani, që s’kuptoi asgjë nga ai vëzhgim i sipërfaqshëm dhe vendim i papritur i mjekut, i tha rekrutit në mënyrë automatike të priste në oborr dhe iu drejtua kapter Xhepit, që gjendej një hap prapa: -Shoqëroje deri te stoli dhe prisni aty të dy! Djaloshi doli nga dera si i çliruar nga një ankth i tmerrshëm. Mjeku hoqi stetoskopin nga qafa dhe duke e lëshuar mbi tryezën e komisionit pa ndonjë ngutje, tha me ton të qetë, gati pëshpëritës: -Është vajzë!…-pastaj lëshoi një buzëqeshje, që shprehte siguri absolute. -Vajzë? -zgjati qafën e hollë krejt i çmeritur përfaqësuesi i pushtetit lokal, një tridhjetëvjeçar me flokë të rëna, -Po ju… si?… Pa e vizituar… Të paktën gjoksin… -Nuk ishte e nevojshme. Kuptova që e kishte shtrënguar fort me diçka, si brez.  -Epo, paska pasur të drejtë. Bo,booo, ç’i kanë parë sytë asaj të gjorës mes gjithë atyre pykave të djemve!…- qeshi përfaqësuesi beqar i pushtetit lokal.  Shef Stefani iu afrua mjekut dhe pyeti me zë të ulët: -Pse të jetë veshur si djalë?!… Mjeku, iu shmang hamendjeve dhe heshti një grimë. Pastaj tha:  -Veshja ka mundësi të jetë maska që fsheh ndonjë dramë familjare… -Dramë?! -ia bëri përfaqësuesi i pushtetit lokal, – Atëherë të thërrësim të atin! -Nuk jam dakort. -ia ktheu mjeku. -Zbulimi i menjëhershëm i maskimit, do të hapte telashe për dikë të familjes. Mbase do të ishte më mirë të zbulohet enigma, me rrugë anësore. -Po, po, duhet vepruar me takt, që të mos diskreditojmë edhe vajzën! – sugjeroi shef Stefani, duke e kundruar përfaqësuesin e pushtetit lokal ngultas e pa kujdes në zhogën e kokës tullace. – Më mirë thërresim kryeplakun e fshatit. Ai mund të na sqaroj diçka para se t’i drejtohemi babait të saj. -Po më e lezetshmja qënka, se ky “djalosh” femër paska profesionin ndihmëstraktorist… -Ndihmës!… -shqeu sytë përfaqësuesi beqar i pushtetit lokal. -Dhe ustai i traktorit të mos e ketë kuptuar që është vajzë?… -Ku dihet, edhe mund ta dijë. -u gjegj shefi duke rrudhur supet. -Nuk e teproj po të them, se në këtë mes nuk kemi të bëjmë jo vetëm me një dramë, po edhe me një komedi. – ia priti buzagaz përfaqësuesi i pushtetit lokal.

                                                     *         *        *

Kryeplaku u fshatit, që u lajmërua ngutësisht, erdhi pas dy orësh. Ai e mori vajzën për të biseduar diku aty afër. Ajo pranoi t’i zbulonte të fshehtën e madhe të jetës, me kusht që kryeplaku të mos i tregonte asgjë babait të saj. Dhe vetëm kur ai u betua për kryet e dy fëmijëve, ajo besoi në sinqeritetin e tij.  – Gjyshja më ka tregue, se kur edhe unë fëmija i katërt dola cucë, nanës sa s’i pikoi zeher nga sytë e deshi me vdekë qysh atë minutë. Po gjyshja i shfryu keq, edhe pse nana ishte lehonë e rënkonte aty pranë vatrës. Ia rrëmbeu thikën nga duart dhe e hodhi jasht dritares mbi togun e plehut. E për ta qetuar, gjyshja i tha duke shfryrë e zemëruar:  “Tafilit ia marrtë dreqi surratin! Ai vet i pjell cucat. Te ara mbin ça ke mbjellun. Për këtë s’është faji yt!. Ti vërtetë polle belanë, oj nuse, po edhe mua më polli mendja një yçkël që të shpëtosh nga kjo bela. Do ta baj djalë vet!” Dhe me veshi si djalë që atë çast. -Edhe kur vazhdova shkollën e fshatit edhe kur u rrita e baba më vuni të mësoj traktorin me Petrit Bashën, gjyshja vinte shtatë herë në ditë, gjoja për me më sjellë bukë e ujë e më mësonte si të sillem me të. Po sot nuk dinte si të më mësonte, se as ajo dhe as unë nuk e dinim që këtu në degën ushtarake… Kryeplaku i fshatit, që kishte mbetur i mahnitur nga ato që po dëgjonte, sakaq e mblodhi veten dhe u përqëndrua te pikëpyetjet e fundit. -Po mirë, moj cucë, Petriti nuk të tha gjë sot, kur ia le traktorin vetëm, se ti kishe për të dalë e zhveshun para komisionit?… Ajo uli kryet, qeshi dhe kafshoi buzën. Pastaj tha gati duke iu dridhur zëri: -Petriti e ka kuptue me kohë që jam vajzë. Po sot unë nuk i thashë që më kërkojnë në degën ushtarake. -Ai e di që je vajzë dhe sillet me ty si me një djalë?!…  Vajza uli përsëri kokën e turpëruar. Mandej drejtoi vështrimin me një skuqje të lehtë dhe mbi buzë i farfurinte tashmë një gaz i fshehtë. -Ty të lutem, si xhajë që të kam, se jemi kusherinj me fisin tuaj, të mos i thuash gjë babës, deri në vjeshtë, kur e kemi lanë me Petrit Bashën të martohemi!… Kryeplaku u kollit lehtë, nxori një cigare nga paketa dhe e ndezi me një çakmak metalik. -Ja ku po të them, moj cucë, Tafili është kokëshkretë dhe ti prapë ke për të hapur sherr në vjeshtë, kur t’i kërkosh të shpallësh fejesën apo dasmën… Vajza shkuli një tufë bar të njomë aty pranë dhe e vuri sipër një guri. -Petriti ka me më rrëmbye dhe i vëmë kapak këtij sherri që u fsheh për kaq vjet. Dhe kështu ngjau. Kryeplaku rregulloi punët me regjistrat në degën ushtarake dhe nuk foli me askënd deri sa të vinte koha.  Vjeshta erdhi shpejt. Të nesërmen, e dasmës me kërkesën e të dyve, kryeplaku, që e kishte mësuar i pari të fshehtën tronditëse dhe e kish mbajtur sekret, njoftoi Tafil Alhysën, se tani ai ishte bërë vërtetë, me një goxha djalë…