Ti ishe gabimi im,
ti ishe dashuria ime.
Kthehesh shpesh, shumë shpesh,
nuk njeh dogana as dhe orare,
kapërcen dete, qiej të zymtë,
troket në shpirt ditën, natën.
Nuk e di nëse vjen me makinë,
me avion a ndoshta me traget,
ndodhesh te unë në një pulitje
të syve, oh, arrin aq shpejt!
Nuk pret në radhë, të gjitha
mendimet e tjera i kapërcen,
qëndron i pari, me atë siguri
që mua më magjepste njëherë.
Por ç’të sjell vallë tek unë,
nga ditët e mia çfarë kërkon,
do t’më largosh nga e tashmja
që e ndërtova me mund e thonj?
Do të më ngjallësh veç pendim
e dhimbje apo dëshira pafund,
do të më tregosh se dashurinë
asgjë s’e ndal, rrjedh si lumë?
Ti ishe gabimi im,
ti ishe dashuria ime.