Vangjush Saro: Pushtet i përjetshëm, baras… prapambetje

Ç’është kjo frikë nga dorëheqjet, nga zgjedhjet e parakohshme, nga zgjidhjet racionale? O zotëri, e ka humbur besimin tek ti një pjesë e madhe e popullsisë, përfshi opozitën, ashtu siç është. Nuk ka dialog, nuk ka mirëkuptim, nuk ka mbështetje.

Po përpiqem të sjell në këto radhë një përqasje në kohëra; edhe pse ka ndryshime të dukshme dhe të vërtetat e pranëvëniet mund të mos jenë gjëja më perfekte që mund të bëjmë për momentin. Por “ngrihet” zëri vetiu, teksa mendon që Shqipëria e shkretë nuk shpëtokërka kurrë nga hallet dhe nga episodet përjashtuese; (as edhe nga “Enverët”). Kjo është një situatë sa komike, aq edhe për të vënë kujen. Ne vijmë nga eksperienca të shëmtuara, por duket se ende nuk kemi mësuar asgjë nga ato. Pse do të duhej t’i rijetonim atëherë, pavarësisht situatave krejt të ndryshme? (“Vetëm budallai është gjithmonë i kënaqur nga vetja.” Popullore)

Meqë u kthyem pas në kohë, po përcjell këto episode nga biseda të (të hershme) me njerëzit e mi. Duhet të ketë qenë dita e fundit e ndonjë prej Kongreseve të PPSH-së dhe po e ndiqnim te TVSH-ja; ku tjetër! E. Hoxha po lexonte në mënyrë vanitoze emrat e anëtarëve të Byrosë Politike, pastaj të Sekretarëve të K.Q. të PPSH-së dhe, më në fund, thirri: “Sekretar i Parë i PPSH-së, Enver Hoxha!” Isha vetëm me tim atë në shtëpi dhe ai gjithashtu thirri, në mënyrë sarkastike: Bravo! As merrej me politikë, as e donte atë pushtet; por si mikroborgjez që ishte, pasi i kishin shtetëzuar dyqanin, bënte pjesë ndër njerëzit që e përtypnin mundimin dhe mëritë. E murit me kokë s’i bihej, por atje ku familja ishte solide, gjendej një mënyrë për të shkarkuar pakënaqësinë.

NOA

E thotë këtë edhe episodi i dytë: Ishte fillimi i viteve ‘80; punoja në Gramsh. Kisha filluar herët të botoja ndonjë libër e krijimtari (satirike) dhe kjo bënte që shumë njerëz, por më së pari të afërmit, të më shikonin me njëlloj besimi dhe… pa le ç’dija më shumë (!) Kështu, në një nga vizitat e mia në qytetin e lindjes, në Korçë, një nga xhaxhallarët e mi, gjeometër me profesion, komunist, pikërisht duke pasur parasysh staturën time si shkrimtar – atëherë nuk bëja gazetari – më thotë: “Po mirë mo, ç’bën ky Enveri, pse nuk ua lë të tjerëve punën, gjersa është i sëmurë…” Unë në fakt, kisha qenë së fundi në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, që u zhvillua në Sallën e Akademisë së Arteve dhe në një moment që E. Hoxha, i shoqëruar ng R. Alia, etj., u shfaq (mes duartrokitjeve) në llozhën anësore, vërtet m’u bë se vështrimi i tij ishte i përhumbur, dukej sikur mezi qëndronte në këmbë. Por ç’mund t’i thosha xhaxhait; asgjë nuk e vlente…

Vijmë sërish në kohën tonë komike. Për disa personazhe nga Sporti, nga Dhomat e Tregtisë, por sidomos nga politika – S. Berisha, E. Rama, F. Mediu, etj. – që janë skicuar dhe më parë, nuk po shtyhem të tregoj se ç’probleme mund të kenë edhe me Drejtësinë. Nuk e gjej veten mes atyre që gëzohen kur dikujt i vijnë rrotull akuzat, përbaltja, rrëzimi, ndalimi… Por e kishim fjalën që jetojmë në një rend demokratik. Kështu sikur themi. Dhe cilat janë rregullat, parimet e Demokracisë? Që të rrish jetë e mot në krye të Partisë a të Qeverisë a të aksh institucioni, pa t’u dridhur qerpiku?! Përjetësisht në poste; këtë “përvojë” mund ta gëlltisë vetëm një vend i prapambetur. Kaq. Nuk mund të ketë shpjegime të tjera.

Po vërtet. Pse nuk lexohen siç duhet kundërshtitë? Pse e paska kaq të vështirë të dorëhiqet z. Rama? Ia ka kërkuar disa herë Opozita e vendit. (Atje ku një tjetër gjithashtu duhej të ish dorëhequr me kohë.) Po ia kërkojnë tani, me shumë këmbëngulje, një numër i madh protestuesish, të cilët kanë kaq shumë ditë që nuk shkulen nga sheshet dhe rrugët e Tiranës. Ndërkaq, SPAK, sikur të ishte në mbështetje të këtyre kërkesave, sot dhe më parë, ia ka marrë nën hetim një sërë ministra dhe nëpunës, komisarë policie dhe drejtorë gjithfarë, madje edhe dy zëvendëskryeministra. Dhe së fundmi, kjo dosja Aruba duket se u vë vulën gjithfarë palaçollëqeve në kurriz të qytetarëve. Çfarë duhet të ndodhë ende, që të gjejë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize Kryeministri i një vendi që mëton të pranohet në BE? Kjo punë po shkon keq e më keq; me sulme dhe me gënjeshtra nuk shtyhet më. (“Lumi nuk mbahet me dy duar.” Popullore)

Po bëjmë një pauzë. Në fillim të protestave në fjalë, pati disa teori konspirative. Mbase ka ende të tilla. Ashtu siç mund të ketë diversione, cinizëm; për fat të keq, edhe nga vetë Kryeministri, që duhej të dinte të sillej më hijshëm me çfarë po ndodh. Dje ish publikuar një shënim pa kuptim nga një ish-gazetar i ZP-së, që në vitin 1988, kur u shfaq filmi (im) “Shkëlqim i përkohshëm” (Regjisor Albert Xholi) na u vërsul me kritika, kurse ishte fjala për një djalë të shkretë që thjesht donte t’i ikte fshatit… Xhaketat e vjetra s’mund të na shesin sot “antikomunizëm” e t’u mësojnë të rinjve si bëhen demonstratat. Koha e tyre dhe e liderëve të tyre, të vjetër e të rinj, ka mbaruar.

Teoritë dhe shënimet po përmbysen; edhe ajo vjega ku kapen disa: identifikimi politik i protestës, që në fakt është një zemërim popullor ndaj klasës politike. Dhe s’është nevoja të ngjyroset edhe ajo politikisht. Ka kërkesa të qarta; nga ato që s’i kemi për ‘fis” t’i pranojmë. Mendoj që situata ka arritur pikun e vet. Forcat politike dhe përfaqësuesit e demonstruesve duhet të bien në njëlloj ujdie: qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme. Ndryshe, nuk dihet ku mund të na çojë këmbëngulja e protestuesve (tash edhe e Opozitës) dhe, nga ana tjetër, frika e PS-së, e Qeverisë së saj dhe e Kryeministrit të saj për t’u përballur me këtë ngërç. Flitet për Turizmin, për hapat e fundit drejt BE-së, për projekte. Si do të mbrohen ato duke tërhequr sebkush anën e vet? Ç’është kjo frikë nga dorëheqjet, nga zgjedhjet e parakohshme, nga zgjidhjet racionale? O zotëri, e ka humbur besimin tek ti një pjesë e madhe e popullsisë, përfshi opozitën, ashtu siç është. Nuk ka dialog, nuk ka mirëkuptim, nuk ka mbështetje. Çfarë duhet të bëjmë? Do të vazhdojmë të ecim kështu, nëpër gropa e nëpër mjegull? (“Gjëja që nuk zgjidhet pritet.” Popullore)