Kozma Gjini/Mësuesja e Divjakës, Kristina Londo

652
Sigal

Kristina Londo është një ndër mësueset shumë të nderuara e të respektuara të qytetit të Divjakës. S’është shkruar asnjëherë për të edhe pse talenti i saj në fushën e mësuesisë dhe të veprimtarive jashtëshkollore spikat si rrallë kush. Kurse ajo vazhdon të punojë me ngulm, të krijojë e të përhapë kulturë, dije, inteligjencë…me një zell të pashoq. 35 vite më parë e nisi profesioin e saj me një përkushtim e pasion të veçantë në fshatin e lindjes, Karavasta, më pas në Gur,  në shkollën “Koli Sako” Divjakë dhe tani në 9-vjeçaren e fshatit Mizë, bashkia Divjakë. Mësuese Kristina Londo nuk është thjesht një mësuese e dalluar dhe rezultative. Me kulturën, horizontin dhe mirësinë që rrezaton ka fituar dashurinë e respektin e kolektivit, të nxënësve dhe prindërve të komunitetit. Karakteristikë e spikatur e punës së saj është se ajo punon me të njëjtin përkushtim me të gjithë nxënësit pa dallim, e aftë të futet në brendësi të botës së brendshme të tyre duke zbuluar dobësitë e secilit e duke programuar punën diferencuese me qëllim që në bllok fëmijët të marrin njohuritë e duhura në mënyrë të ndërgjegjshme e të përparojnë sistematikisht. Përgjegjshmëria për mbarëvajtjen e detyrave që duhet të përballojë mësuesi, tek Kristina dalin nga zemra. Ajo di t’i motivojë e t’u rrit besimin fëmijëve për kryerjen me ndërgjegje të mësimeve dhe marrjen pjesë me po kaq dëshirë në aktivitetet jashtëshkollore. Gjatë këtyre 35 viteve ajo ka mundur t’u transmetojë mirësi e gëzim në qenien e të vegjëlve, por edhe inkurajimin, “fshirjen” e drojës nga kujtesa, për t’u shprehur lirshëm, kusht pa të cilin një mësues nuk mund të zbulojë dot botën psikologjike dhe shkencore të fëmijëve. “Aftësia për t’u futur në botën shpirtërore të nxënësve është art, thotë Kristina, sepse shpirti është instrumenti i parë ku kristalizohen elementet fillestare “i rritur-fëmijë”. Ajo u “përkëdhel” sedrën nxënësve me një sinqeritet prej nëne, për çdo veprim të mirë dhe u tërheq vëmendjen me takt, shumë ngrohtë e njerëzisht, miqësore, në mënyrë që të mos fyhet fëmija, të mos thyhet “kristali”i karakterit në formim e sipër i asnjë nxënësi edhe në rastet kur ai e ka konceptuar gabim një detaj mësimor. Konceptin “Mësimi është art dhe shkencë” e ka zbatuar më së miri duke i gërshetuar këto dy element të rëndësishëm  gjatë orës së mësimit. Të punosh me fëmijët e sapo ardhur nga kopshti e t’i përgatitësh ata të denjë shkencërisht për të  kaluar në ciklin e lartë, është një punë e vështirë, por që Kristina e ka bërë realitet me vullnet të paepur. Mësuese Kristina kurdoherë është pranë shqetësimeve të  nxënësve dhe i trajton ata si t’i kishte fëmijët e saj.

Ajo është edhe një veprimtare jashtëzakonisht e spikatur me fëmijët. Me një pasion të veçantë ajo organizon festa mbresëlënëse me fëmijët edhe prindërit e tyre. Shumë prej këtyre festave ajo i ka fiksuar në arkivin e saj. Një mësuese e angazhuar me aktivitete të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mësimin dhe edukimin e fëmijëve, zgjerimin e horizontit të tyre për t’u bërë njerëz të vlefshëm në shoqëri. Edhe në kohët më të trazuara që  ka kaluar qyteti, ajo ka sfiduar mentalitetin e kohës, ka shpërfillur ndodhitë kalimtare dhe me aktivitetet e saj ka bashkuar njerëzit. Janë të shumtë aktivitetet mësimore-artistike-edukative që ka organizuar mësuese Kristina, por do të veçonim disa prej tyre, ku më së miri del në pah personaliteti i padiskutueshëm i mësuesit, si faktori kyç në gjallërimin e jetës artistike në shkollë. I tillë ishte koncerti recital “Krijimtaria dhe fëmijët”, cili përmbante këngët e saj në festivalet e fëmijëve, valle (nën koreografinë e saj) dhe të pjesëve muzikore e poezive të cilët u interpretuan bukur nga nxënësit. Ky aktivitet u prit mjaft mirë nga komuniteti i prindërve i cili mbushi plot sallën e shfaqjeve në Pallatin e Kulturës, Divjakë. Mësuesja organizon me shpirt krijues, po  kaq bukur  edhe festat e ndarjes së fëmijëve nga cikli i ulët, siç ishte edhe “Fluturim të mbarë!”, disa javë më parë. Edhe sivjet  ajo i përcolli nxënësit e klasës së pestë me një spektakël ku u interpretuan këngë, valle, dramatizime e recitime të përjetuara plot emocione e lot. Është shumë vështirë në ditët e sotme të bësh pjesë e veprimtarisë artistike të nxënësve edhe prindërit, ku së bashku të luajnë, të recitojnë, të aktrojnë, të vallëzojnë, të këndojnë e kështu njësh, të argëtohen dhe përcjellin mesazhe bashkëpunimi shkollë-familje. K.Londo e ka realizuar shkëlqyer këtë bashkëpunim dhe është një mësim i mirë  e përvojë që duhet ndjekur. Kristina Londo është edhe një krijuese e poete e njohur. Tekstet e krijuara nga ajo kanë qenë pjesë e këngëve në  Festivalet e Fëmijëve të Divjakës, por edhe të Lushnjes e përreth. Me tekstet e saj ajo përcjell mesazhe që kanë në themel vlerësimin e ndjenjave dhe bukurinë shpirtërore  fëmijëve. Për të e rëndësishme është që fëmijët të hyjnë në marrëdhënie me botën nëpërmjet bisedave për t’u bërë të nesërmen njerëz të mirë, të zot të vetes, siç është edhe vet ajo një familjare, bashkëshorte dhe nënë e mrekullueshme e dy djemëve. Kristina mendon se çdo fëmijë, sado i dobët  të jetë , po të gërmosh thellë brenda tij, do të gjesh patjetër  diçka me vlerë. Këtë e sjell edhe kënga e saj e kënduar në Festivalin e Divjakës, “Edhe zeroja ka vlerë”, e vlerësuar me çmimin e parë. Portretin e mësueses Kristina Londo do ta mbyllja me vargjet e saj “Zgjidhe fjalën, o njeri” ku ajo bën apel për përdorimin e kujdesshëm të fjalorit  në shoqëri: Porsi bujku që zgjedh farën /O njeri, ti zgjidhe fjalën / Që të bëhet gruri det / Kujdes fjalën, kur e flet…