Prof. Dr. Ago NEZHA/ Librat, prostitutat e rrugëve

661
Sigal

Libri, për pesë ditë rresht gjeti strehë në mjediset e Muzeut Kombëtar. U vizitua, u kundrua, u vlerësua, e u ble nga shtresa të ndryshme lexuesish. Shtëpitë botuese ishin të vendosura në kushte jo të barabarta. Kishte të privilegjuara, të përkëdhelura dhe të preferuara nga stafi organizator i panairit të librit, që ishin vendosur në ambiente të brendshme të korpusit të Muzeut. Kishte dhe të privuara që ndodheshin nën mbulesën e çadrave që ngjanin me refugjatët që kërkojnë një strehë për të futur kokën. Pabarazia është elementi i cinizmit intelektual në çdo fushë të jetës në vitet, e të ashtuquajturës, demokraci. Por edhe librat, që ishin strehuar në çadra, ndiheshin të vlerësuara duke u krahasuar me librat që rrinë rrugëve të trotuareve si “lypsa” për t’u blerë nga kalimtarët. Libri është aristokrat, nuk fle, rri gjithmonë zgjuar. Kur e sheh librin të vendosur në çadër, mendon se kanë dashur ta ruajnë të mos e zërë shiu, mos e rrahur era, e mos e “dërsijë” vapa. Libri është tepër fisnik. Ai na mëson pa u kursyer, pa u lodhur, pa na sharë, pa na qortuar, është pafundësisht i duruar. Librin që ne shqiptarët dikur e kishim të shenjtë, mikë në çdo shtëpi, në këto 24 vjet nën demokraci kemi filluar ta braktisim, ta mohojmë e injorojmë, se shpenzojmë shumë para për drogën, krimin, prostitucionin e korrupsionin që po ecën me hapa galopante. Të çoroditur në kaosin e veseve që kanë pushtuar jo vetëm të rinjtë, por edhe breza më të kaluar në moshë, po humbasim rrugën e të parëve tanë, rilindësve të shquar, Çajupit, Naimit, Samiut dhe shumë të tjerëve dhe po rendin pas parasë, duke injoruar kulturën.

Letërsia Shqipe, ka pasur dhe ka njerëz të shquar që janë nderuar dhe nderohen edhe sot në botën e qytetëruar. Në poezi  e në prozë mund të përmendim emra pa mbarim duke filluar nga Naimi, Çajupi, Migjeni, Ali Asllani, Noli, Konica, e duke ardhur te Dritëro Agolli, Ismail Kadareja, Rexhep Qosja e shumë të tjerë, që fatkeqësisht, veprat e tyre i gjejmë duke u shitur jo vetëm në libraritë e qyteteve, por edhe në rrugë. Duke shëtitur rrugëve, apo duke kaluar nëpër lulishte, veç të tjerave i gjen librat e këtyre korifenjve të letrave Shqipe të shtrira për tokë, si ushtarët e një ushtrie të shpartalluar pas një beteje. Këto viktima të kulturës Shqiptare, megjithëse janë “nuse” të reja, të sapo botuara, i sheh në rrugë të vyshkura, të nxira, të thinjura si të jenë plaka, nga veprimi i faktorëve atmosferik të shiut të dimrit apo vapës së verës. Këto libra e kanë humbur bukurinë dhe freskinë e botimit dhe po t’i vendosësh në bibliotekë e shëmtojnë tempullin e kulturës familjare. Një ditë në librarinë “Agolli”, duke biseduar me nusen e djalit të tw madhit Dritëro, Majlindën, lidhur me qarkullimin e librit te lexuesi, ajo më tha që shumë pak blihet libri, e veçanërisht nga rinia. Një nga sfidat që i bëhen librarive sot, është edhe tregu i rrugës që shumë autorë të zëshëm i gjen të shiten trotuareve apo lulishteve me një çmim më të ulët, se është e kuptueshme që tregtarët ambulantë nuk paguajnë qiratë e objektit. Kjo është një tregti e shëmtuar për një gjë të shenjtë siç është libri që të gjithë e ndeshim në të katër anët e Tiranës dhe zëri i intelektualëve nuk dëgjohet, qoftë edhe me një protestë mediatike. Me të drejtë më tha Majlinda, që në atë mori librash që kanë pushtuar rrugët në një pikë shitje kishte gjetur një libër të Dritëroit dhe e ndier e fyer e kishte blerë për të mos e lënë përtokë. Ky nuk është një rast i shkëputur, por një fenomen që përballesh çdo ditë kur lëviz nëpër Tiranë. Ishte kjo indice që më shtyu të nis këtë shkrim. Të sillesh në mënyrë kaq të paqytetëruar me librin, tregon se shkalla e kulturës ka filluar të rrjedhë. Kjo është përgjegjësi jo vetëm e shoqërisë, por edhe e institucioneve arsimore e kulturore të vendit. Kam parë policë që ndalojnë të shiten në rrugë perime nga fshatarët, bile dhe shfaqje të shëmtuara duke jua shqelmuar prodhimet në mënyrë brutale, që jam ndier unë i fyer si kalimtar dhe jam revoltuar, pa menduar se fshatari i ka prodhuar me djersë, por nuk kam parë të ndonjë rast që të ndërhyhet për t’i hequr librat nga rruga. Në rrugë shiten fruta-perime, rroba të vjetra, bagëti të therura, e bashkë me to shiten edhe libra. Një veprim dhe qëndrim i tillë i shoqërisë dhe shtetit shqiptar, fyen traditën dhe kulturën kombëtare. Të duash dhe të respektosh librin, do të thotë të duash jetën. Asnjë teknologji, sado bashkëkohore që të jetë, nuk e zëvendëson dot rolin dhe magjinë që ka libri në formimin dhe kënaqësitë që të sjell estetikisht. Libri është princi i kulturës njerëzore që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Libri është si “zonjë” që me delikatesën e vetë, na bën që ta përkëdhelim duke mos e hequr nga dora, duke lexuar e mësuar shumë prej tij. Libri është kurora intelektuale. Ai është këshilltari më i mirë që na mëson pa na fyer, pa na mërzitur e pa na bërë dëm. Kur e mbajmë afër, na orienton drejt dijes dhe nuk na lë të gabojmë. Këtë krijesë intelektuale s’mund ta lëmë në rrugë si një zhele të hedhur për tokë. Pyesim veten, a e shohin librin në rrugë ministra, deputet, shtetarë, që pa dashur mund ta shkelin me këmbë ata që janë këmbësor, apo me makina të rënda ata që janë me timon. Libri, zëri i arsyes njerëzore, thërret, qan, vajton, por askush nga institucionet nuk e dëgjon. Libri megjithëse ka vendlindje, ka atësi, por s’ka atdhe. Ai jeton kudo dhe lëviz pa vizë në gjithë kontinentet dhe flet në gjithë gjuhët e botës. Kur flasim për librin, nënkuptojmë librat e shkrimtarëve të vërtetë, jo për letrat që shkarravisin grafomanët. Në vitet e demokracisë ka një “pranverë” botimesh, ku s’ka ngelur kush pa nxirë letra, duke i emërtuar krijimtari në prozë e poezi, e deri në monografi e enciklopedi. Kjo është një marrëzi. Pa frikë mund të themi se shqiptarët janë bërë të gjithë shkrimtarë. Ka një inflacion të fjalës së shkruar që qarkullon pa u censuruar, pa u kontrolluar e vlerësuar. Në këtë bollëk botimesh me këtë dinamikë ka humbur hierarkia e vlerave dhe lexuesi s’ka sensibilitet për të ndarë grurin nga egjra. Në një treg botimesh ku mediokriteti shitet për gjenialitet, ku lëvdatat nuk kursehen edhe për krijues analfabetë, shoqëria po e humbet busullën orientuese se çfarë produkti do konsumojë për kulturë apo antikulturë. Sot qarkullojnë shumë libra “OMGJ” ku shumë prej tyre shkruhen e rriten me “hormone” miqsh e shokësh që kanë lekë pa kufi e nuk kanë ku t’i konsumojnë, e thonë pse të mos botojmë dhe në ndonjë libër. Kjo grafomani, po dëmton shijen e lexuesit dhe shëndetin mendor të tyre. Sita e botimeve të sotme,nuk ndan më miellin nga krundet. Botimet pa limit, ku nuk ka më as recens, e as kritikë, ka bërë që të kemi botime kilometrike. Këto dukuri nuk e përligjin firon që ka pushtuar rininë duke e abandonuar librin. Kjo është edhe përgjegjësi e shkollës ku letërsia është lënë jetime. Mësuesit e letërsisë, në kohën tonë, me komentet e tyre letrare dhe me aktivizimin në klasë na e bënin letërsinë shumë të dashur për ne. Ky është një nga defektet që e ka zbehur leximin te brezi i ri. Një fenomen tjetër që ka zhvlerësuar librin, si pasuri kulturore, është se në tregun e botimeve nuk njihet më e drejta e autorit, juridikisht si pasuri personale përderisa ajo nuk mbrohet me ligj. Kështu që i është hapur rruga abuzimeve, plagjiaturave, e përvetësimeve. Kjo ka bërë që letërsia e sotme të kalojë një krizë të rëndë morale. Kësaj maratone botimesh duhet t’i vënë fre dhe t’ia ndalin vrapin institucionet kulturore siç ndodh në të gjitha vendet e qytetëruara europiane ku duam të integrohemi. Pirateria e botimeve duhet të asfiksohet jo moralisht, por ligjërisht. Urojmë që Ministria e Kulturës, librin, këtë krijesë universale për kulturimin e shoqërisë, ta ngrejë në këmbë dhe mos ta lerë më të nëpërkëmbet rrugëve dhe trotuareve, por të ngjitet në raftet e librarive dhe të mbushi raftet e shtëpive. Le të kujtojmë thënien e Ciceronit se: “Një dhomë pa libra, si një trup pa shpirt”. Shpresojmë që kjo situatë e dhimbshme me librin do të ndryshojë.