Kryeministri Rama: Projekti në Zvërnec më i madhi në turizëm në mbarë Europën, anëtarësimi objektiv strategjik dhe i pandryshueshëm

Rama për projektin në Zvërnec: Më i madhi në turizëm në mbarë Europën

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar lidhur me investimin në Zvërnec, i cili është në këtë moment investimi më i madh në turizëm në mbarë Europën, që vlen 4 miliardë euro.

NOA

Në kuadër të Forumit Botëror Future Investment Initiative (FII) që po zhvillohet në Romë, kryeministri Rama mori pjesë në një bashkëbisedim me prezantuesen dhe korrespondenten e CNN, Eleni Giokos, ku trajtoi ndër të tjera dhe perspektivat e investimeve strategjike në vend.

Lidhur me investimin në Zvërnec, Rama pohoi se toka është blerë nga investuesit dhe është tokë private.

“Po, po kryhet një vlerësim i ndikimit në mjedis. Po, nuk ka një projekt të miratuar. Po, nuk ka ende një leje ndërtimi. Nuk ka asgjë për të shqetësuar asnjë ambientalist që mendon si duhet”, theksoi Rama.

Rama: Anëtarësimi në BE, objektiv strategjik dhe i pandryshueshëm

Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rëndësinë e forcimit të rolit politik dhe vendimmarrës të Europës përballë sfidave globale, duke riafirmuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian si një objektiv strategjik dhe i pandryshueshëm. Kryeministri theksoi se Shqipëria e do anëtarësimin në BE dhe do ta arrijë pavarësisht gjithçkaje.

Në valën e protestave, Rama mbledh grupin e PS-së

Edi Rama do të mbledhë ditën e shtunë, në orën 10:00, grupin parlamentar socialist në Pallatin e Brigadave.Mbledhja vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur prej disa ditësh në vend po mbahen protesta qytetare kundër projektit të parashikuar në Zvërnec dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Po ashtu, takimi zhvillohet në një kohë kur mazhoranca përballet edhe me largimin e një deputeteje nga radhët e saj, atë të Marjana Koçekut që kryesonte listën e socialistëve të Shkodrës.Takimi shënon edhe rikthimin e mbledhjeve të përmuajshme të grupit parlamentar socialist, të cilat nuk janë zhvilluar prej muajit prill. Mbledhja e fundit e grupit është mbajtur pikërisht në prill, ndërsa tashmë socialistët rikthehen në formatin e zakonshëm të konsultimeve politike.Në takim pritet të marrin pjesë deputetët e mazhorancës, ndërsa në fokus do të jenë çështje që lidhen me agjendën politike dhe prioritetet e qeverisë për periudhën në vijim.