Dosja “Aruba”: Hetimi i SPAK ngre dyshime për pastrim parash në Green Coast

Artur Shehu kishte kontratë sipërmarrje me kompanisë Green Coast për zhvillimin e një sipërfaqe prej 22, 629 metra katrorë tokë

 Bisedat në SKY ECC mes personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe Artur Shehut hedhin dritë mbi planet e tyre për të investuar në resortin luksoz “Green Coast” në Palasë – një nga investimet kryesore strategjike të vendit. Por shumëfishimi i vlerës së tokës nga 5.5 milionë euro në 122 milionë euro brenda pak muajsh po hetohet nga Prokuroria e Posaçme

Në fund të janarit të vitit 2021, një grup i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës i ktheu sytë nga njëri prej projekteve më të lakmueshme të bregdetit shqiptar – resorti Green Coast buzë detit Jon në Palasë.Përmes aplikacionit SKY ECC, anëtarët e këtij grupi nisën të shkëmbenin fotografi të projekteve të zgjerimit të resortit dhe të shprehnin interes për të investuar atje. Më aktivë mes tyre shfaqen Alfredo Hamzai dhe Artur Koçeku – dy persona të akuzuar së fundmi nga SPAK për trafikimin e tonelatave të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt porteve të Bashkimit Europian.Hamzai fotografon mbi ekran një sipërfaqe toke anash projektit “Green Coast 2” dhe e pyet Koçekun nëse e kishte marrë lejen.“Duhet të paguaj ca lekë për ta hequr nga zona e gjelbër dhe e vendos për të ndërtuar,” citohet të këtë thënë Koçeku në mesazhet e SKY ECC.Të dhënat e siguruara nga një hetim i gjerë i Prokurorisë së Posaçme sugjerojnë megjithatë se Hamzai dhe Koçeku tentuan një rrugë më të shkurtër. Sipas dosjes hetimore, ata i kërkuan biznesmenit Ilir Shtufi të ndërmjetësonte me biznesmenin Samir Mane, që ky i fundit të përfshinte tokën e tyre në projektin “Green Coast” dhe t’u mundësonte lejet.“Nga analiza e bisedës, arrihet në përfundimin se marrëveshja me Samir Manen është që ky i fundit të marrë pagesën prej tre milionë euro dhe do kryejë ndërtimin e 40 vilave, nga të cilat, 20% do i jepen personit nën hetim Alfredo Hamzai. Sa i përket hotelit, Artur Koçeku shprehet se e ka kërkuar hotelin me 120 dhoma dhe do jetë i këtij të fundit dhe Hamzait,” thuhet në dosjen e SPAK.

NOA

Hamzai dhe Koçeku nuk ishin të vetmit

Edhe Artur Shehu – një personazh kontrovers me origjinë nga Vlora, i shpallur në kërkim për pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, kishte sipas SPAK një kontratë sipërmarrje me kompanisë Green Coast për zhvillimin e një sipërfaqe prej 22, 629 metra katrorë tokë në pronësinë e tij.Shehu është gjithashtu një ndër personat kyçë të projektit turistik të Zvërnecit përmes shitjes së tokës në favor të një kompanie në pronësi të investitorëve nga Katari, vëllezërve Al Khayyat. Por shumëfishimi i vlerës së tokës nga 5.5 milionë euro në 122 milionë euro brenda pak muajsh po hetohet nga Prokuroria e Posaçme nën dritën e pastrimit të parave, ndërkohë që dyshohet se origjina e tokës është e falsifikuar.Biznesmeni Samir Mane, pronar i grupit Balfin që ka zhvilluar resortin Green Coast, nuk është mes rrethit të njerëzve nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, por oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zhvilluan kontrolle në zyrat e biznesit të tij gjatë fundjavës. Gjithashtu, pasuri të lidhura me 9 vila në “Green Coast” u sekuestruan me vendimin të Gjykatës së Posaçme.Grupi “Balfin” i hodhi poshtë si të pabazuara dhe të pavërteta pretendimet e ngritura në dosjet e SPAK mbi marrëdhënie të mundshme financiare apo bashkë-investime me Hamzain dhe Koçekun.“Duhet theksuar se nuk ka ekzistuar asnjë shkëmbim apo transaksion financiar midis z. Mane dhe personave të përmendur nga ju. Asnjëri nga personat e cituar nuk është dhe nuk ka qenë investitor apo bashkë-investitor në projektin Green Coast. Struktura e pronësisë dhe e investitorëve të projektit është e qartë dhe e dokumentuar,” deklaroi “Balfin” përmes një zëdhënësi.Balfin sqaroi më tej se “Green Coast” kishte një kontratë këmbimi për një sipërfaqe të kufizuar toke, me përqindje të dakordësuar paraprakisht, duke e quajtur atë një marrëdhënie të zakonshme tregtare që nuk nënkupton asnjë formë partneriteti, bashkëpronësie apo investimi të përbashkët në projekt.“Çdo kontratë këmbimi e lidhur nga kompania është realizuar duke u bazuar rreptësisht në dokumentacionin zyrtar të pronësisë, i certifikuar nga institucionet kompetente shqiptare, dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

Bisedat në Sky ECC

Kompleksi “Green Coast” shtrihet në një sipërfaqe mbi 67 hektarësh në plazhin dikur të virgjër që njihet si Dhraleo ose Rrugët e Bardha në Palasë. Prej vitit 2015, qeveria e kryesuar nga Edi Rama i dha kompleksit statusin e investitorit strategjik në fushën e turizimit.

Komunikimet përmes aplikacionit SKY ECC në dosjen e SPAK derivojnë nga hetimet e kryera nga autoritetet spanjolle dhe belge ndaj Artur Shehut, Ardian Ramës dhe personave të tjerë lidhur me takime të zhvilluara në Majorka të Spanjës, në Aruba apo në Belgjikë. Qëllimi i këtyre takimeve sipas SPAK ishin marrëveshjet e biznesit për trafikimin e drogës dhe projektet e ndërtimit në Tiranë dhe në bregdet.Mes komunikimeve të përfshira në dosje për vitet 2020 dhe 2021 përmendet disa herë emri i kompleksit Green Coast dhe i biznesmenit Samir Mane. Roli i Manes në dosje mbetet i paqartë, por në analizë të bisedave, Prokuroria pretendon se personat e implikuar në trafik po planifikonin ta paguanin atë për të përfshirë tokën e tyre brenda perimetrit të resortit.Alfredo Hamzai, Artur Koçeku (alias Luçiano Koçeku) dhe Artur Shehu kishin interesa pronësie në Palasë dhe po përpiqeshin prej disa kohësh që t’i zhvillonin ato.Në një nga bisedat e zbardhura të datës 26 gusht 2020, Hamzai, i njohur ndryshe edhe si Genci Bedini, udhëzon Orest Sotën për kryerjen e procedurave për marrjen e një lejeje për tokat në Palasë, duke përfshirë në diskutim edhe Klodian Jahjan – një ish-zyrtar i Kadastrës i akuzuar më herët për përvetësim pronash.