Dhe lind i trëndafiltë agimi
në atë qetësi olimpike,
mbi kriporet e Nartës dalldis vezullimi
heshtja e Zvërnecit si këngë magjike…
nga një vezë që çahet, një zog po del,
flamingoja e vogël si trëndafil që çel.
Dikush, diku larg, ka pirë verën e shtrenjtë,
po tret kaviarin e deteve të largët,
ka vënë një kompas mbi zonën e shenjtë,
dikujt nga kënaqësia po i bien jargët…
Duart u shtrënguan, uruan për bingot,
do zotëronin vendin që lind shenjtorë,
atë, që shtëpi e kanë dhe flamingot,
me tela me gjemba ta shtinin në dorë.
Flamingot elegante, zogj perëndie
përkëdhelin qiellin kur vallëzojnë,
janë për ne të gjithë gëzim i fëmijëve,
u rritën me ju, prandaj po u mbrojnë.
Në lagunën plot,
e lëvizshme kolonia me trëndafila,
herë shkojnë në qiell, herë zbresin në tokë,
urë dashurie ka ngritur vetë natyra,
shqiponjat me flamingot bëhen shokë.
Jemi shqiponja, thonë ca, ç’i duam flamingot,
harrojnë se dhe shqiponjat nuk rrojnë në beton,
pastaj ca përralla na tregojnë për gringot,
por nuk është në shitje toka jonë!
U themi: Ikni se nuk jeni Zoti,
atë ne e kemi investitorin tonë,
po zgjohet nga gjumi vetë Gjergj Kastrioti,
shqiponjat prijnë flamingot në revolucion!




















