Suplementi Pena Shqiptare/ Kosta Nake: Me sytë e fëmijës

955
Sigal

Jam fatlum që nëna ime ishte nga Hoçishti, një nga fshatrat më të zhvilluar të Devollit. Po lidhja ime me Hoçishtin është e dyfishtë, pasi im atë e gjeti shoqen e jetës në shtëpinë ku kishte dhënë motrën e vet të madhe. Pra e kisha dajën dhe hallën në të njëjtën shtëpi dhe kaloja shumë ditë të verës atje.

Poloska dhe Hoçishti kishin vetëm një gjë të përbashkët: në të dy fshatrat bashkëjetonin njerëz të dy besimeve të ndryshme, në të parin mbizotëronin myslimanët, në të dytin të krishterët. Shumë të tjera i kishin të ndryshme: qymyrxhiu dhe bujku, mali dhe pylli, guri dhe plithari, civilizimi dhe paragjykimet.

Rrjedhimisht, Hoçishti ishte një botë e dytë plot dritë për mua. Që nga fëmijëria e hershme e kam përshkuar atë largësi prej rreth katër kilometrash mes dy fshatrave me qindra herë në këmbë dhe me të gjitha mjetet e mundshme: kalë, gomar, karrocë, qerre, biçikletë, pjesërisht edhe me kamion.

E shikoja Hoçishtin që nga Turckat, aty ku ishte një nga varrezat e vjetra të fshatit tim, pastaj zbrisnim poshtë te Lëndina e Madhe. Atëherë ujëmbledhësi i Oçovecit nuk ishte ndërtuar dhe përfund lëndinës kalonte përroi që mblidhte ujërat e krojeve që rreshtoheshin nga brigjet e lindjes njëri pas tjetrit duke krijuar moçale dhe duke u dhënë jetë lëndinave me bar që, pasi korreshin, shërbenin si kullota për bagëtitë e fshatit. Krojet fillonin që përfund Përroit të Thellë dhe mbaronin te Moçali i Geços, të gjithë me emra dhe karakteristika të dallueshme. Kur binin shira, përroi fryhej e bëhej i rrezikshëm.

Pengesa e dytë ishte lumi i Vërlenit ku e ku më i madh se përroi i Lëndinës së Madhe sepse mblidhte ujërat e Moravës që zbrisnin nga Vërleni dhe Çipani. Shelgjet dhe drizat që ishin në të dy anët e shtratit e bënin zap në verë e dimër, por kur binin shirat apo kur shkrihej dëbora ai turbullohej dhe fshinte brenda dallgëve gurë e drurë.

Shumë vite më vonë shtrati i tij u devijua duke u futur te Luadhi i Çakos dhe mbi të u hodh një urë betoni që u krijonte mundësi kalimi edhe automjeteve. Sapo kaloje lumin ishte një rrugë e drejtë deri te kryqëzimi me rrugën e Vllanicës që dilte mes Borshit dhe Vërlenit, pastaj kishte një kthesë majtas dhe mbërrije te çezma e Kanos, që nuk sterronte asnjëherë dhe shërbente si pikë ndalimi për udhëtarët dhe për bujqit e Hoçishtit.

Prej atje rruga merrte djathtas dhe zbriste buzë rrethimit të Vllanicës, ku kishte një tjetër përrua që duhej kapërcyer. Ai mblidhte ujërat e brendshme të fermës dhe shumë herë e rrëmbente urën prej dërrase që ishte vendosur aty.

Disa metra më tej ishte rruga hyrëse për në Vllanicë. Kisha qenë te objektet e saj, pasi për një kohë punuan në fermë të dy motrat e mia të mëdha. Një përrua tjetër ishte i baraslarguar nga rruga e Vllanicës dhe tani mund të thoshe se kishe arritur.

Rruga ngrihej pas faqes së kodrës në të majtë, zhytej mes degëve të pemëve e shkurreve ku mbizotëronin trëndafilat e egër dhe zbriste në të djathtë. Aty pranë e pranë ishin qendra veterinare në të djathtë dhe kishëza e Shën e Dielës në të majtë e cila, me bardhësinë e vet, të bënte ta adhuroje Zotin.

Pas kishëzës kalonte një degëzim rruge që e lidhte fshatin me Vërlenin, pastaj vinin stallat e kooperativës në të djathtë, kovaçhana dhe baxhoja në krahun e majtë. Kish një hapësirë të vogël pas stallave dhe fillonin shtëpitë e banimit deri te rruga kryesore që vjen nga Bilishti dhe përshkon fshatin fund e krye.

Që këtu Hoçishti kthehej në një fshat që të bënte të vëmendshëm. Rruga ishte me kalldrëm, me bordure në të dy anët dhe pastrohej gjithmonë. Në të majtë kish ndërtesa të vjetra prej guri me dy kate, disa prej tyre ishin bërë enkas për t’u përdorur si shitore në katin e parë.

Në të djathtë gjithë madhështi ngrihet kisha e Shënkollit, investimi më i bukur për një objekt kulti në gjithë Devollin. Rruga vazhdon në drejtim të malit duke u ulur për t’iu afruar urës mbi lumin e fshatit.

Në të djathtë kishte një mulli, kurse në të majtë ishte vatra e kulturës ku kisha parë një shfaqje të shkollës për vitin e ri me të njëjtin nivel si të qyteteve të mëdha. Rruga ngjitej sërish për të dalë te klubi dhe libraria, vazhdonte pak më tej me një ndërtesë të bukur prej guri të Koraqve që kishte shërbyer edhe si zyrë komune, sillej në të djathtë pas saj, kthehej menjëherë majtas dhe vazhdonte një ngjitje të butë drejt, deri aty ku shfaqej Svetivraçi.

Që këtej, në krahun tjetër ngrihej shkolla trekatëshe dhe pas saj në një kodër të veshur nga një pyll i dendur ishte manastiri i Shëndëllisë; poshtë në përrua kishte një çezmë që kishte marrë emrin e saj ku kisha shkuar shumë herë më kushërirat e mia për të mbushur ujë.

Svetivraçi është vendosur në faqen e një kodre në të djathtë dhe një vend i shenjtë që i ka bashkuar gjithmonë të dy besimet. Mbaj mend që aty ishte vendosur një dhisk ku viheshin monedhat dhe thuhej që po u ngjit monedha, Svetivraçi të do dhe të ndihmon. Halla kishte një bahçe matanë lumit, në hyrje kish dy arra të mëdha, më tej mollë behari dhe në një cep në te djathtë një dardhë të madhe që bënte kokrra të shijshme e gjithë lëng.

Pranë bahçes, shtrati i lumit kish llagëme që ne i quajmë llome dhe, duke qenë kryesisht vizitor i stinës së verës, shkoja të lahesha me bashkëmoshatarë të asaj mëhalle si Luli, Xhikja, Mili e Berti. Me Hoçishtin lidhet edhe mbresa ime më e thellë për dasmat.

Kur u martua Metushi në fillim të viteve ‘60, morën sazet e Poloskës dhe në një moment Fuat Skermo me klarinetë dhe Sami Belloja me fisarmonikë dolën në oborrin e shtëpisë dykatëshe të dajës e morën një kaba. E ndjeva aq thellë sa zbulova se brenda meje paskej qenë strukur një shpirt delikat. Aty që vinin në dasmë u ndahej sherbet në gota qelqi dhe që atëherë më është fiksuar urimi “Ta pifshim sherbetin!”