Suplementi Pena Shqiptare/ Armenida Qyqja: Shpirti i pagëzuar

Drita e syrit tënd më lan

Pikërisht kur nis dyshoj veten,

NOA

Vlerën time nën zhubrat e kohës,

Tymin e rrugëve të pashtruara…

 

Ti më lan në çdo qoshe e kthinë

Dhe më kthen përsëri pafajsinë,

Pastaj i kënaqur me tempullin tënd,

Nis me pagëzimin e zjarrit…

 

Në buzët e mia frymon

Dhe më bën të them fjalë,

Që veç shpirti i shenjtë i kupton,

Dhe unë lutem të më pagëzosh,

Përsëri, e përsëri, dashuri…

 

Prill 2024

 

 

 

RRËMUJË E HATASHME

 

Ti je dashuruar me mua

Dhe me tërë gabimet e mia,

Rrëmujën time të hatashme,

Bindjet e forta, lëkundjet,

Zërat që vetët ndërrojnë brenda meje

Sa herë hyj nën lëkurën tënde,

S’mjafton të vesh vetëm këpucët e tua…

 

Ti mund të dashuroje një femër perfekte,

Që mat dhe gramët e ajrit mes fjalëve,

S’gabon e s’rrëzohet

Dhe kurrë s’e sheh të palyer e krehur,

As edhe në shtrat!

 

Por ti e di pse u zbraz e u braktis Olimpi,

Tundimit nuk i rezistuan dot as zotat!

Kjo rrëmujë e hatashme,

Ky shpirt me mijëra plasaritje,

Di të të dojë gjer në thyerje…

 

Prill 2024

 

 

 

 

DITË TË VRARA

 

Ra dhe kjo ditë,

Si një zog i vrarë në mes të fluturimit,

U mbyllën dhe për sot lajmet e shpresat,

Mbaroi orari zyrtar…

 

Pjesa tjetër është një zvarritje e gjatë,

Përcjellja e diellit në cepin tjetër,

Dhe sërish pritja e së nesërmes,

Së nesërmes zyrtare…

 

Zyrtarët tani dënden diku,

Në ndonjë breg deti, taracë,

Dhe shesin profka pafund,

Për punën e rëndë, vetingun…

 

Thithin me nge purot e shtrenjta

E as që duan t’ia dinë për ty dhe mua,

Për zogjtë e rënë, as ajrin e rralluar…