Kishte kthyer shtëpinë në thertore dhe mbetjet i hidhte në lumin Vjosë, arrestohet 62-vjeçari

Një skandal mjedisor dhe i sigurisë ushqimore është zbuluar në fshatin Qilarisht të Përmetit, ku një 62-vjeçar kishte përshtatur banesën e tij si thertore të paligjshme, ndërsa mbetjet e therjeve i hidhte direkt në lumin Vjosë.

Gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Përmetit, Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe AKU Gjirokastër, u vu në pranga pronari i thertores, shtetasi A. L., 62 vjeç.

NOA

Në ambientet e shtëpisë së tij u gjetën dhjetëra bagëti të imta në proces therjeje dhe të therura, si dhe matrikuj të dyshuar të falsifikuar. Policia dhe inspektorët zbuluan gjithashtu një tubacion përmes të cilit mbetjet e therjes shkarkoheshin direkt në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të rëndë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bllokoi menjëherë ambientin dhe gjobiti pronarin me 200 000 lekë të rinj.

Nga ky operacion u proceduan penalisht për “Shpërdorim detyre” edhe dy veterinerë, shtetasit L. D., 54 vjeç, dhe Y. H., 66 vjeç, të cilët dyshohet se nuk kanë ushtruar kontrollet ligjore mbi bagëtitë e therura në këtë ambient.