Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj: Kur detyrohesh të gënjesh

5
Sigal

Tani që kishim dalë në pension, kishim boll kohë për t`u takuar e zhytur në biseda të kota e të pafund, me shokun tim Mediun. Të dy kishim shërbyer dikur në ushtri dhe kishim pasur fate të ndryshme. Ai kishte studiuar në Akademinë Politike në Moskë, dhe pasi qe kthyer prej andej e kishin caktuar për disa vjet në aparatin e ministrisë së Mbrojtjes. Kishte pasur epror një gjeneral të shquar, të cilin, pas ndonjë ëndrre që kishte parë Komandanti i Përgjithshëm, e kishin akuzuar së bashku me disa të tjerë, si tradhtar e armik i lidhur me revizionistët dhe kapitalistët dhe e kishin pushkatuar. Mediu e kujtonte shpesh atë njeri trim e të zgjuar, dhe tregonte plot ngjarje që i kishin mbetur në mend nga koha kur kishte punuar nën vartësinë e tij. Një ditë, kur me ne qe dhe Tanushi, një i moshuar, por që mendjen e kishte top, ra fjala te gjyqi që ju bë grupit të “puçistëve”, ku edhe Mediu merrte pjesë si i ftuar. “Ndër të tjera, Hitos, prokurori iu drejtua me akuzën se ai shpesh herë, djallëzisht villte vrer dhe përhapte dyshime për rolin e pazëvendësueshëm të komisarëve, pra të rolit udhëheqës të partisë në Forcat e Armatosura. Natyrisht që kjo qe shumë e rëndë, për atë që ishte vetë në krye të komisarëve. Kuptohet, që për ta bërë këtë sa më të besueshme, qoftë dhe formalisht, sollën edhe dëshmitarët. Erdhi i pari, dhe pa pikën e gajles, deklaroi se  një herë, kur me Hiton kishin qenë me shërbim në një repart, andej nga jugu, i paskej thënë se ushtria pa komisarë bën, por pa shtabe dhe komandantë, kurrë. Në sallë, pas këtyre fjalëve, u thye heshtja e varrit dhe pati një reagim të ashpër. Çfarë nuk të dëgjonin veshët. Kur u vendos qetësia, Kryetari i trupit gjykues, pyeti: “I pandehur. E dëgjuat dëshmitarin?” Ai u përgjigj shkurt: “Po.” Kryetari vazhdoi: “E pranoni që kështu i keni thënë një herë dëshmitarit?” Heroi i Popullit, i kthyer papritur në armik, gjithmonë gjakftohtë, u përgjigj: “Gënjen dëshmitari.” “Si gënjen? Vazhdon të na mashtrosh…” Për habinë e të gjithëve, ai pa u menduar gjatë ia priti: “Gënjen si derri, pasi unë nuk ia kam thënë këtë gjë një herë, por njëqind herë.” Tani jo vetëm salla ngriu, por edhe trupit gjykues dhe prokurorit ju zu goja. Dëshmitari e pa veten ngushtë se nuk e priste këtë pohim i cili e komprometonte keq. Si kish mundësi që ai, komunist i vjetër, dhe me goxha detyrë, ta kishte dëgjuar sa e sa herë armikun e partisë që të shprehej kaq poshtërsisht për udhëheqjen politike të ushtrisë dhe të mos e raportonte, qoftë dhe në organizatën bazë? Këtu luhej me mbrojtjen e vendit. Ku ishte vigjilenca revolucionare e kuadrit dhe komunistit?” Dhe pas asaj dite, atë dëshmitarin e degdisën në një repart andej nga jugu, ku pas ca muajsh e liruan fare nga ushtria.” Tanushi që deri tani vetëm kishte dëgjuar me një nënqeshje të pakuptimtë, ndërhyri: “E dini pse po qesh. Se m`u kujtua një historia ime.” Dhe zuri të tregojë: Në fshat ne ishim pak a shumë mirë ekonomikisht para çlirimit. Kishim plot bagëti të imta dhe babai kishte ngritur dhe një baxho për të tregtuar bulmetin në qytet. Edhe leshin e mish shiste im atë. Jo se bënim ndonjë jetë kushedi çfarë, por im atë e kishte merakun më shumë të na linte diçka ne fëmijëve, se ishim gjithata. Kur mbaroi lufta, dhe nisën këto shtetëzimet, e konfiskimet, e dënimet, më thirri mua si më i madhi dhe më tha se sido që të vente puna, një metër nga fiku në fund të oborrit, andej nga rruga këmbësore, kishte groposur një qyp, ku kishte fshehur pesëdhjetë florinj. S`kaloi shumë dhe babanë e thirrën ata të sigurimit dhe s`i lanë kusur që të tregonte se ku i kishte florinjtë. Ai nuk e hapi gojën dhe nga torturat u mbeti në dorë. Erdhi një polic dhe na tha se i kishte pushuar zemra dhe duhej të shkonim ta merrnim trupin në seksionin e Brendshëm, për ta varrosur. Ashtu bëmë. Dhimbja qe e madhe po ku ta gjenim të drejtën.?Varrosëm babanë, por unë, edhe mendimin se pranë fikut na kishte lënë qypin me flori. Neve, ç`është e vërteta, nuk na ngacmuan, vetëm që triskat e frontit nuk na i dhanë. Për ta ishim si biçim kulakësh. Turp ishte, por hajde… pamë edhe më keq. Si kaluan disa vjet, një ditë erdhi te dera Meti, traktoristi i fshatit. Atë e konsideronim disi mik, pasi kishim luajtur bashkë kur ishim fëmijë e pastaj kishte ruajtur dikur bagëtinë tonë, sido që tani edhe qe distancuar pak. “Urdhëro brenda o Met” – i thashë. “Jo, m`u përgjigj se nuk kam kohë, kam ardhur për tjetër punë. Dua të vish me mua deri te gardhi se kam urdhër të çrrënjos fikun e madh, se aty do kalojë rruga. Po vinë dhe ata të tjerët.” Unë mbeta për një çast, por shpejt e mblodha veten. “Dëgjo – i thashë – se ne jemi dhe miq të vjetër. Të dy kemi ngrënë tek ai fik kur ishim më të rinj. Mirëpo, meqenë se puna qenka kështu, dua të të besoj një sekret që ma ka thënë im atë. Aty, nja një metër nga fiku, andej nga kalon rruga me kalldrëm, ai ka futur pesëdhjetë florinj, të cilat ti e di se me sa mund i ka fituar. Siç e di dhe atë se si e pagoi me jetë. Meqenë se je ti, i nxjerrim, dhe le t`i ndajmë për gjysmë. Kështu edhe mua nuk më hapen telashe edhe nuk i japim mundësi të tjerëve që të thonë mirë ia bën babait, se paska gënjyer. Pastaj pse t`ua lemë t`i gëzojnë të tjerët.” Mirëpo Meti na qenkej bërë parimor i madh. Rrëmben një lopatë, nxjerr qypin që ishte bërë jeshil nga lagështia, dhe drejt e tek ata të këshillit. Hej ç`më gjeti, thashë me vete. S`vonoi dhe ja mbërritën policët. Duke sharë e mallkuar si mundnin, më vunë hekurat dhe më çojnë në Degë, se kështu quhej tani. Kuptohet që më rrahën mirë deri sa dola në gjyq. Ditën e gjyqit, që ma bënë në mes të fshatit, u mblodh i madh e i vogël. Keq e kisha punën. He more Met çobani ç`më bëre. Ke ngrënë dhe bukën tonë, se të kemi mbajtur si djalin e shtëpisë. Dëshmitar ishte vetëm ai. Kur i erdhi radha, u paraqit, të thuash ti se kishte bërë ndonjë gjë të mirë. Kryetari i seancës, para se t`i merrte gjeneralitetet, jo babai, jo nëna e ku di unë, serioz i tha të hiqte kapelen. Të thuash se atje kishte mbetur puna. Nejse. Pasi e vuri kapelen në sqetull, Meti mori drejtqëndrim. Kur kryetari e pyeti se ç`ke për të thënë, – ai filloi të pohojë ato që i kisha thënë unë; pra se babai im kishte fshehur te fiku, një qyp me pesëdhjetë florinj. Dhe se unë i kisha thënë që para se të fuste traktorin, ta nxirrnim atë qyp dhe t`i ndanim nga njëzetepesë florinj secili. “A je dakord ti, i pandehur me ato që thotë dëshmitari?” Jo, ia ktheva unë. – Jo, se ky nuk thotë të vërtetën. Nuk thotë të vërtetën, sepse nuk ishin pesëdhjetë florinj, por njëqind. Kaq duhet t`u ketë dorëzuar edhe Meti. Shtangën të gjithë. Meti kërceu përpjetë: Kjo nuk është e vërtetë”. “Si do gënjej unë, – fola serbes – apo të rëndoj veten duke shtuar dyfishin e florinjve? Po ti Met, edhe delet na i vidhje ndonjëherë, kur ishe çoban te ne. Apo ke harruar. Edhe për këtë gënjeva, se s`kisha nga ja mbaja. Meti u tërbua. Por ata që mbushnin sallën, u zemëruan keq me të, dhe i thanë se çfarë nuk vjedh me atë traktorin ti Met. Jo bostan, jo domate… Si e pa kështu, kryetari i trupit gjykues, urdhëroi arrestimin e Metit në sallën e gjyqit. I bënë atij një gjyq tjetër, si hajdut i florinjve dhe e dënuan me ca vjet burg. Mua më liruan me kusht, pasi nuk kisha figurë të besueshme krimi. Dhe isha treguar i sinqertë. Fshehja ishte vepër e babait tim dhe ai e kishte shlyer mirë mosdorëzimin e tyre. Kur doli Meti nga burgu, dhe më takoi një ditë, i zbutur më tha: -Po ti ç`më bëre ashtu mor faqezi? Nga dolën njëqind florinj në qyp? -Njëqind, mbase s`dolën – i thashë – por doli e qartë se ti ishe burrë i pabesë, ndaj mirë të gjeti! Ishe ti që më detyrove të gënjeja. Tani më thoni ju: a nuk është normale të gënjesh në kushte të tilla, si të ishe ai shoku i çobanit Met, si të ishe ai gjenerali Hito, eprori i Mediut, që gjatë luftës, ju e dini, çuditërisht, e kishte pasur pseudonimin “Çobani”.