Suplementi Pena Shqiptare/ Naun Prifti: U gjetën nallanet e Ali Pashait

239
Sigal

Javën e kaluar një lajm i botuar në gazetën lokale me titull “U gjetën nallanet e Pashait të Tepelenës”, pati jehonë të gjerë. Tani edhe ata që e shpërfillnin Tasin u detyruan të ndërronin mendim. E reja befasuese pushtoi atdheun, sapo gazeta “Bashkimi” e ribotoi artikullin. Genci e quajti zbulim të madh dhe meritat ia veshi Tasi Qabesë, drejtorit të Muzeut, që kishte mundur të binte në gjurmët e tyre. Që nga koha kur ia prenë kokën Ali Pashait në Janinë më 1821, kishin kaluar 150 vjet dhe ishte paksa e habitshme si ishin ruajtur reliket e tij aq gjatë dhe ca më e çuditshme se si arriti Tasi t’i zbulonte. Le ta mbanin nëpër gojë si njeri të fandaksur, pacient rezervë të psikiatrisë.

Me t’u kthyer nga Lushnja, Genci kërkoi të vizitonim muzeumin, për të parë reliket e çmuara. E drejta, mua s’më hante malli për nallanet e Ali Pashait, se në fund të fundit nuk janë relike e çmuar për një pasha, por e shoqërova, meqë nuk desha t’ia prishja gëzimin.

Për mungesë ciceroni, Tasi shoqëronte vetë çdo grup vizitorësh, që nga hajati i katit përdhes deri te kati i tretë ku kishte zyrën e tij. Po ashtu edhe asaj të diele. Kaluam pa ndonjë emocion mbi vitrinat me enë bakri dhe rroba të vjetra, të cilat i kishim parë kushedi sa herë. Gencit nuk i durohej sa të shihte nallanet e famshme, mirëpo drejtori duke ua ditur vlerën, i mbante me çelës në sirtaret e tryezës së tij, tok me disa arturina antike, dy karfica ilire si dhe disa fotografi të Ministrit të Kulturës kur vizitoi muzeun dy vjet më parë. Aty në plan të parë dukej Tasi dhe pas tij një stendë me shpata e këllëçe. Ato objekte përbënin kulmin, ose kajmakun e vizitës së çdo vizitori në muze. Edhe asaj të diele vazhdoi i njëjti ceremonial. Pasi na futi në zyrën e tij, drejtori u rehatua në karrige, nxori çelësat nga xhepi, hapi një sirtar dhe si rastësisht vuri mbi tryezë disa fotografi ku shquhej Ministri i Kulturës dhe Tasi përballë tij duke i shpjeguar eksponatet.

“Ministri mbeti shumë i kënaqur nga vizita” -tha Tasi kalimthi. Pastaj nxori disa gjerdanë, varëse dhe byzylykë prej floriri, zinxhirë ergjëndi, duke thënë se femrave ilire u pëlqenin ornamentet prej floriri. “Paskan qenë të zgjuara “,- pëshpëriti dikush. Padurimi i Gencit sa vinte po shtohej duke pritur të shihte eksponatin më të vyer të muzeut. Çasti i shumëpritur arriti. Tasi duke zgjatur dorën drejt një sirtari tha:

– Ja edhe nallanet e Ali Pashë Tepelenës.

Nallanet prej druri të kuq, po kalonin dorë më dorë. Njerëzit po habiteshin si me formën e tyre me taka, ashtu me shkëlqimet e sedefit mbi to. Genci i mori ndër duar dhe po i rrotullonte nga të gjitha anët sikur donte të zbërthente ndonjë enigmë. Pafkat prej sedefi të bardhë në formë gjysmë hëne, shndritnin mbi drurin prej të kuq me reflekse vezulluese.

– Të Ali Pashait janë këto nallane? – e pyeti me ton dyshimtar Genci.

– Po,- tha Tasi.

– Këto që kam unë në dorë?- deshi të sigurohej njëqind për qind Genci.

– Po, Ali Pashai u fuste këmbët kur shkonte në harem…

– Genci ia preu hovin e rrëfimit duke i thënë:

– Tasi, harrove? Këto t’i solla unë gjashtë muaj më parë. A nuk të thashë se mezi ia shkula gjyshes, mbasi i kishte kujtim nga i shoqi dhe nuk donte të ndahej prej tyre?

Vizitorët filluan të shihnin herë drejtorin, herë vizitorin e zemëruar. Fytyra e drejtorit ndërkohë po merrte të gjitha ngjyrat e ylberit. Ai rrokëzoi diçka se ato ngjanin, por nuk ishin tamam ato, se këto i kishin gjetur në Dishnicë, te familja e një agai, stërgjyshi i të cilit paskesh qenë qehaja i Ali Pashë Tepelenës.

– Ik or dreq me gjithë to!,-i tha Genci duke ia lënë nallanet mbi tryezë.

Zbritëm shkallët pa folur. Disa muaj më vonë dëgjova se ishte gjetur ombrella e Luigj Gurakuqit. Një ombrellë e madhe, më thanë, që as hapet, as mbyllet. Më vajti mendja se do të ishte ajo që i shpuri Genci, tok me nallanet e gjyshes. Ia thashë dyshimin tim vëllai.

– Nga ai ëndërrimtar i fandaksur, mund të priten dhe zbulime të tjera,- ma ktheu Genci.- Ai e ka mani t’ua kushtojë reliket personave historikë për të joshur vizitorë.