Një zgjidhje e pazakontë po testohet në Brazil për të luftuar ndotjen e ujërave nga nafta dhe substancat e tjera të dëmshme, flokët e njeriut.
Projekti po zbatohet në Enseada de Bom Jesus, në brigjet e Gjirit të Guanabarës, në Rio de Zhaneiro, një zonë e prekur prej vitesh nga ndotja dhe derdhjet e naftës, ndërsa trafiku i lartë detar e ka përkeqësuar situatën.
Flokët e mbledhur nga parukeritë vendosen në struktura cilindrike, të cilat më pas fiksohen në barriera lundruese. Në kontakt me ujin, ato funksionojnë si një material absorbues, duke ndihmuar në kapjen e naftës dhe ndotësve të tjerë që grumbullohen në sipërfaqe.
Strukturat mund të qëndrojnë në ujë deri në katër muaj, duke krijuar një barrierë që synon të kufizojë përhapjen e ndotjes dhe të mbledhë substancat e dëmshme.
Ideja nuk kufizohet vetëm te flokët e njeriut. Edhe qimet e kafshëve mund të përdoren për të njëjtin qëllim, pasi kanë aftësi të thithin vajra dhe substanca të ngjashme.
Projekti po testohet në një zonë ku ndotja përbën një problem të drejtpërdrejtë edhe për komunitetin lokal të peshkatarëve. Ata thonë se njollat e naftës shfaqen shpesh në sipërfaqen e ujit dhe ndikojnë edhe në thellësi, duke larguar peshqit dhe duke vështirësuar aktivitetin e tyre.
Nisma synon kështu të kthejë një mbetje të zakonshme të parukerive në një material të dobishëm për mbrojtjen e ekosistemeve ujore.






















