Suplementi Pena Shqiptare/ Namik Selmani: Fluturo, o erë në dete!

94
Sigal

Fluturo, o erë në dete…

Merr me vete shpirtin tim.

Nëpër degë e nëpër gjethe

bëmë zog ndë fluturim.

Bëmë zog me krahë të fortë

të çaj retë kur fryn stuhia.

Gjithë mjegullat do dëboj

të më dehë kaltërsia.

Bëmë zog me krahë zgalemi,

nëpër gurra, nëpër maja

të më dalë zemra nga vendi,

të jem shkumë te ujëvara.

Bëmë zog që kërkon çerdhe.

Bëmë këngë që kërkon buzë.

Fluturo, o erë në dete

përkëdhel çdo gur e dru.

Mos të lodhë udhë e gjatë

merrma vargun jepi force,

se do bëhem valë e dallgë

do puth lisat në dëborë.

Merr një shegë që e skuq vjeshta!

Merr një det mbushur me shkronja!

Kur të vijë maji në shkrepa

mblidh një grusht me xixëllonja.

Merr një degë të blertë ulliri

ku lavdia i ul gjunjët,

nga ky mall çel trëndafili

filizon bari te gurët.

Nga ky mall limonët zverdhen,

larë me vesën pikëlore.

Zgjo kujtimet që nuk treten

nëpër viset shenjtërore.

Bëmë moj, pëllumb postjer,

që s’e ndalka lodhja, terri.

Mos u tremb kur mbin një ferrë

përcill frymë kapiteni.

Jepmë ëndrra peshkatari.

Jepmë stërrall për zemrën time.

Këngë pas kënge Lumëbardhi

ta përcjellë me ligjërime.

 

Bëj të zë, po të merr era…

Motiv popullor

 

Prita, prita shtiza syri

sa një mijë gjyle të nxehta!

Bëj të iki, s’më lë gjuri,

bëj të rri, po s’më lë etja.

Bëj të flas, fjala më mpihet,

si pulëbardhë që s’paska det.

Ku ta gjej diellin që fshihet?

Ku ta gjej një këngë që s’vjen?

Bëj të prek, s’më ngulet gishti,

fshehur-o si zog në muzg.

Rrëzon rrezja gjoksin, shpirtin

e gardhijet bëhen shkrumb.

Ngjalëron trupi në shtrat

dridhet thoi e dridhet dora,

herë bëhem lundërtar

herë si mal që e fsheh bora.

Ngjalëron ky shtat i dridhur,

se folenë e ka marrë zogu!

Mbeti krahu, lart i ngritur

kur mbi të mbin borziloku.

Bëj të zë, të marrin zogjtë

që sqepojnë mbi ullinj

e më bëjnë mbret pa kurorë

nën një strehë ku pikon shi.

Vij nga larg ku zbardh Lugina,

si kurorë hedhur mbi drurë.

Ngrije lesën, ballëdrita

të të them se ç’dua unë!

Të të them se ç’kërkon sofra

shtruar-o sa ngopet syri,

do të puth duart e ngrohta

do ta vë kokën te gjiri.

Do të prek Lëndina zjarri

ku s’ka prush e ku s’ka fletë.

Aty mbjell si bahçevani

aty shporr të gjithë rrufetë.

Aty prek spiranca detesh

dhe pse pikë uji s’ka!

Herë më ngjan si hënë që tretesh,

herë më ngjan si borë e bardhë.

Farfurin gusha qelqore

e mund majin që shpërthen

O moj buzë qumështore,

lemë të bëhem princ a mbret!

…Bëj të zë, por të merr era,

të bën lule dhe polen.

Përmbi buzë çel luleshqerra,

përmbi ballë një diell zbret

bëj të zë, e s’të zë dot….