Suplementi Pena Shqiptare/ Bledi Ylli: Ti dhe shpirti…

37
Sigal

Do të dua edhe pas vdekjes,

pas asaj bojës sime t’hirtë.

Hyre shumë thellë brenda meje,

aq shumë, saqë m’u bëre shpirt!

Pjesë në trup nuk le pa m’prekur

gjersa arrite në piedestal.

E di, akoma s’më ke vdekur…

do t’më vdesësh, dal’ngadalë.

Më preke duart, teksa unë rrija.

Përk’dhelje ëmbël nuk them se jo,

mirëpo sa herë doja të t’shtyja

ti më thoje, ”më afro”!

Duke plotësuar dëshirën tënde,

duke të mbartur në krahët e mi.

N’ato shtrëngime, në buz’mbrëmje

ish’ hapur shpirti! Hyre ti…

Shumë kanë hyrë aty e dashur

E më pas, ikën me erën.

Kurse ti, dije ç’ kërkoje,

ndaj nga brënda mbylle derën.

Gjersa prej kohësh aty endesh

edhe mendon të rrish, aty.

Pas vdekjes sime e gjallë do gjendesh

ti dhe shpirti im, të dy!

 

Treguam veten

Dëshirën tënde mund ta gënjesh,

hapat drejt meje ti mund t’i ndalësh.

Të është më e lehtë të më urresh

…, se të më falësh!

Të është e lehtë t’më rrish larguar

dhe të dëfresh në shumë mënyra.

Kur fsheh një shpirt të dashuruar

të tradhëton gjithmonë fytyra!

Por, ti ke zemrën të fortë si hekur

dhe egoizmin në ” Everest “.

Ti mund të ndjehesh netëve e vdekur

e prap se prap s’e bën një gjest!

#

Shpirtërat tanë i tregon koha:

Na i var portret në mur…

Unë të dua siç të njoha,

kurse ti s’më njohe kurrë!

Nuk më vjen keq për çfarë të shkruaj,

që të kujtoj nuk më vjen keq …

Nuk të shoh dot si një të huaj

e as nga zemra s’mund të heq!

Ndryshe nga ti, unë mund të vuaj,

këtë lloj zemre kam ( për dreq )!